Tuesday, September 29, 2009

Gjon Gàzulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV


Anila Prifti
Daniel Gazulli

Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës evropiane të shekullit XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidh dy prej epokave më në shenja të kohës: humanizmit dhe Rilindjes Evropiane. Duke marrë parasysh shtrirjen e veprimtarisë së tij: astronomì, matematikë, fizikë, filozofi, diplomacì, arte, mund të thuhet pa frikë se ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet.
Pa dyshim, dy lëmet ku ai shkëlqeu më shumë janë astronomia dhe diplomacia.
Që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e tij, është e domosdoshme të gjurmohen arkivat e kohës: të Padovës, të Budapestit, të Venecias e sidomos të Raguzës (Dubrovniku i sotëm – ku ai jetoi e punoi më gjatë). Janë veçanërisht me vlerë seritë e mëposhtme arkivore: Diversa Notare; Acta Consilii Rogatorum; Acta Consilii Minoris; Lettere et commissione Levantis; Testamenta Notarile etj.
Por edhe arkivat private (nëse ruhen ende, e nuk i kanë rrënuar dallgët e mbrapshta të kohëve) kanë vlerë të madhe. Ndër to do të kujtoja: Arkivin e Fondeve Private Bassegli-Gozze.
Duke qenë se Gàzulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali, në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera evropiane, ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhëna të vlefshme jep edhe literatura e kohës, mbi këtë enciklopedì shqiptare.
Rreth veprimtarisë së tij shkencore gjendemi në një vështirësi tash për tash të pakapërcyeshme: duhet të kënaqemi me sa na japin autorë të tjerë për të, veçanërisht Grmek, Boshkoviç, Juriç, Musantius, Appendini (sidomos ky), Johannsis de Monte Regio, Brotto – Zonta, etj., pse libri i tij, për të cilin Jan Pannoni, oborrtar i mbretit të Hungarisë,. Matia Korvini, i shkruan: “……ai libri i Juaj ku do mendime të kapërthyeshme të astrologëve të vjetër… i gjetëm të shtjelluara në dritë të diellit”, fatkeqësisht, nuk është gjetur ende e duhen kërkime të posaçme, ndoshta në Budapest.


ASTRONOMI

Gàzulli, sipas autorëve të ndryshëm, gjuhësh e kombësish të ndryshme, na sillet herë me emrin Gjon e herë Gjin (natyrisht edhe Joanis, Giovanni etj., por që është e njëjta gjë), ashtu edhe me mbiemër të pakristalizuar, si Gàzulli, Gazulis, Gaxuli, Gazzolo etj., por që është fjala gjithmonë për të njëjtën figurë historike e shkencore. Që të mos e endim tepër lexuesin në këto hulumtime, format Gjon e Gjin janë një ngatërrim i thjeshtë, pse Gjin quhej i ati.
Nëse Gjoni lindi në tokën amë, apo në Raguzë, ku ishin strehuar shumë familje shqiptare mbas trazirave tronditëse të pushtimeve turke, sidomos aty nga fundi i shekullit XIV e fillimi i shekullit XV, autorë të ndryshëm e ngatërrojnë keqas këtë temë, por një gjë është e sigurt: familja e tij i përkiste atij trungu fatlum të Gazullorëve që i lanë emër të pashlyeshëm vetes në historinë kombëtare, përgjatë gjashtë shekujsh.
Aso kohe, në Raguzë u ngulën shumë familje shqiptare, që lanë emër, si Gjon Durrsaku (Johannes de Durachio), i biri Domenik Durrsaku, piktor i përmendur, Marin Beçikemi, e sa të tjerë, ndër ta arkitektë të famshëm, që lanë vepra monumentale e, simbas Giuseppe Gelcich, “janë vepra të gjenisë e mjeshtërisë shqiptare”.
Po nga kishte ardhur familja Gàzulli në Raguzë?
Për këtë na ndihmojnë vepra autentike arkivore: Regjistri i Kadastrës dhe i shitblerjeve për krahinën e Shkodres i viteve 1416-1417, që ruhet në Arkivin e Shtetit në Venedik (Archivio di Stato di Venezia) (Shih edhe: Giuseppe Valentini “Acta Albaniae Veneta”, pjesa II, vëllimi VIII, ku zihen në gojë, si pronarë në Zadrimë, veç të tjerësh, edhe Bardh Gàzulli, Dedë Gàzulli, Klamada Gàzulli e Mankez Gàzulli).
Gjyshi i Gjonit quhej Pal, një emër që sot e kësaj dite, bashkë me atë Gjon, përsëriten prej brezi në brez në këtë familje, siç është zakon në Veri të Shqipërisë. Ndërkohë, axha i tij, Matia, që cilësohet shumë i pasur, ndeshet qoftë në Raguzë, ashtu edhe si prift në Barbullush.
Pra, edhe nëse familja Gàzulli, ose një pjesë e saj, lëvizi, apo jetoi edhe në Raguzë, për shkaqe historike që i përmendem, ajo rrënjët i ka pasur përherë në trojet tona Veriore.
Mbiemri Gazulli, apo Gazullorë, që gjendet në Veri qysh në krye të kohës (si në Sapë – pra Zadrimë - Kashnjet, por edhe në Fan e Kabash), duhet të ketë edhe një shpjegim të thjeshtë etimologjik: gazullor në atë kohë e më herët do të thonte gazmor i të sotmes. Bie fjala, te Zef Serembe ndeshim: Kangjelë gazullore, që në shqipen e sotme do të ishte “Këngë gazmore”. Është gjasa, pra, të mendohet se ndonjë i parë i fisit të ketë qenë njeri i gëzueshëm, i hareshëm, hokatar – si i thonë popullorçe - e të jetë thirrë pikërisht për këtë, bie fjala, Pal Gazullori, që sot do të ishte sot Pal Gazmori. Por ndërsa mbiemri cilësor “gazullor” ndër shekuj është shndërruar në “gazmor”, mbiemri i familjes, siç është e natyrshme, ka mbetur i ngurtësuar, Gàzulli. Kaq sa për të thënë se toponamistika nuk mund të na ndihmojë shumë për prejardhjen e kësaj familje, për shkak të dyndjeve të shpeshta, si rrjedhojë e mizorive të kohës. Gjithsesi, si Gjoni, ashtu edhe Gazullorë të tjerë në shekuj, mbesin pinjoj të shquar të një trungu të padyshimtë shqiptar e më ngushtë të Shqipërisë Veriperëndimore.
Duhet shënuar se dokumentet më të besueshëm mbi prejardhjen e Gàzullit duhet të mbahen një Testament Noterial i Mati Gàzullit (Arkivi Historik i Dubrovnikut) i datës 24 shtator 1426, ku caktohet si trashëgimtar (pse vetë Matia ishte prift) nipi i tij Gjoni, i biri i Gjinit, nipi i Palit. Po ashtu, nga një prokurë noteriale e datës 02.06.1428 Gjon Gàzulli, “figlio di Gini” (i biri i Gjinit) deklaron se gjatë studimeve në Padova ka lënë një arkë me libra dhe sende të veta, e se cakton si të plotfuqishëm të tij Anton Vuçetën nga Raguza për tërheqjen e arkës.
Nga këto dy akte gjejmë të dhëna që dëshmojnë se Pali (gjyshi i Gjonit) ishte nga Zadrima (de Sapa), ashtu si ishin prej asaj ane edhe shumë të tjerë që përmenden në këto dokumente të ardhur prej Deje (Vau i Dejes), Pultit, Ulqinit e Tivarit, të gjitha treva shqiptare.
Këto dokumente kaq të vlefshëm kanë një mangësi keqardhëse: asnjëri nuk bën fjalë për datëlindjen e Gjonit apo për kohën kur filloi shkollimin.
Pse kjo mangësi, kur dihet sa e zhvilluar ishte Raguza aso kohe e se ruhen sot e kësaj dite të gjithë regjistrat i lindjeve?
Përgjigjen mund ta gjejmë te një dokument tjetër, protokollin e dhënies së gradës doktor shkence në Universitetin e Padovës, 31 janar 1430 (shih Brotto-Zonta, Acta graduum Academicorum Gymnasii Patavini”, ai quhet: “Ioannis q. Gini Gaxuli de Albania” (Gjoni, i të ndjerit Gjin, nga Shqipëria), çka dëshmon jo vetëm përkatësinë e tij etnike, por edhe faktin që (bashkë me mungesën në regjistrat e lindjeve në Raguzë) Gàzulli kishte lindë në Shqipëri e në Raguzë ishte i ardhur, ndoshta te axha i tij, prift e i pasur, Mati Gàzulli. Pra, mungesa e regjistrimit të lindjes së tij në regjistrat e lindjeve në Raguzë dhe cilësimi “DE ALBANIA” e bëjnë të padyshimtë vendlindjen e tij në tokën amë. (Kujtojmë edhe se qytetarët e Raguzës në dokumente të viseve të tjera cilësoheshin “DE RAGUSA” duke qenë kjo, ashtu si Venediku, Republikë më vete).
Atëherë, ku duhet ta vendosim datëlindjen e Gàzullit? Sigurisht aty nga fillimi i shekullit XV, derisa më 1428 ai kishte kryer studimet në Universitetin e Padovës.

Ndriçimi i veprimtarisë së Gàzullit si shkencëtar, fatkeqësisht, mund të bëhet vetëm nëpërmjet referimeve të tërthorta, pse nuk kemi arrijtë me gjetë asnjë vepër të tij.
Atëherë le t’u referohemi atyre.
Historiani i madh Francesco Maria Appendini, në veprën e tij “Notizie istorico-critiche sulla antichità, storia e letteratura de Ragusa”, II, Raguzë 1803, shkruan për një letër të J. Çesmiçkit, ku thuhet: “Libri, për të cilin flitet në këtë letër, duket të ketë qenë botuar dhe ndoshta nuk është vepra e vetme e shkruar nga Gjon Gàzulli. Ky hamendësim fiton një gjasë më të madhe pse në tabelën kronologjike të Musantio-s, Gàzullin e ndeshim ndër matematikanët më të mëdhenj të shekullit XV”. (Shih edhe: Giovanni Domenico Musantio, “Tabulae chronologichae”, 1740). Atë e përmendë edhe një bashkëkohës i tij i shekullit XV, astronomi Johan Myler nga Kënigsbergu. Po ashtu, astronomi Georg Peurbach në veprën e tij «Theoricae novae planetarum» sjell edhe një vizatim të Gàzullit. Ndërkaq, historiani rus i shkencave ekzakte, V. Zubob,i thotë se veprën e tij të madhe mbi astronominë Gàzulli e botoi më 1438.
Pra, gjithsesi, këto janë një pjesë e vogël e dëshmive të tërthorta që flasin për Gàzullin astronom me famë evropiane.

Si arriti ai deri këtu?
Sipas të gjithë gjasave, Gàzulli studioi në Raguzë, e mandej, në vitin 1422, shkon në Padova, ku kryen studimet universitare më 1428, kurse më 31 janar 1430 mbron doktoratën në një atmosferë me ngjyra të theksuara atdhetare, pse aty morën pjesë shumë abreshë të Italisë, ashtu edhe shqiptarë të tjerë të ardhur kryesisht nga Raguza (përmendin pjesëmarrjen e tyre në këtë datë të shënuar Gjergj Gaspri, Andrea Durrsaku etj.).
Mbas doktoratës Gàzulli niset «me mision» në Itali e Francë (do të ishin misione të natyrës diplomatike, pse mbi Ballkan po bënte gj ë mën gjysmëhëna) e mandej kalon disa vite në Raguzë, deri më 1439, kur mori Katedrën e Matematikës po në Padova.
Në Raguzë ai thellon kërkimet e tij në lamë të astronomisë. Sot e kësaj dite në Bibliotekën e Raguzës (Dubrovnikut) ruhen disa shënime kritike mbi veprën më të shquar të asaj kohe Theorica novae planetaruum të astronomit vjenez G. Purbah.
Pa dyshim që përmasat e Gàzullit astronom, sadoqë përsëri tërthoras, dalin në lidhjet e vlerësimin e tij në oborrin e mbretit hungarez Matia Korvini.
Shumë studiues, sidomos kroatë, marrëdhëniet aq të mira në mes Raguzës dhe mbretërisë më të fuqishme e më të lulëzuar të kohës, Hungarisë, i shohin të kushtëzuara edhe nga personaliteti i Gàzullit e te fama e tij në atë kohë.
Siç thamë, një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, qoftë në mes viteve 1433-1439 (para se të shkonte rishtas në Padova), ashtu edhe në vitet e moshës së shtyer. Këtu ai u emërua nga Këshilli i të Urtëve (kujtojmë se Raguza ishte Republikë e pavarur) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u bë astronom në zë në mbarë Evropën, sa mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre dërguar Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij Këshilli që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike. Në një letër të dytë datë 26.06.1459 Këshilli i Republikës njoftonte rishtas lartmadhërinë e tij Korvini se po përpiqeshin me i mbushë mendjen Gàzullit të shkonte atje, po ky gjente si shkak kundërshtimi moshën e tij. Teoria e tij e “yjësive qiellore” tashmë ishte bërë mbizotëruese në botën shkencore që do të printe Kopernikun. Ja një fragment nga letra e Çesmiçkit, edhe ky shkencëtar i shquar kroat e ishnxënës i Gazullit, tashti në oborrin e Matia Korvinit, drejtuar pikërisht Gjonit tonë:
“Ju jo vetëm keni plotësuar shpresën tonë, por keni bërë edhe më shumë. Libri, të cilin na keni dhuruar, na pëlqen pa masë. Ai është aq i mbushur me dijeni e risi, sa që leximi i tij na ka sjellë kënaqësi sikur edhe studimi me interes të jashtëzakonshëm. Pranojmë se aty kemi gjetë sqarime për disa thënie të ngatërruara të astronomëve të lashtë, që prej moti kemi arrijtë t’i kuptonim. Për këtë arsye Ju porosisim me gjithë shpirt që të mos përtoni të vazhdoni me shkrue e t’i jepni fund veprës së filluar, e cila do të ketë rëndësi të madhe për shkencëtarët dhe për famën Tuaj ………….. Angazhohuni të punoni për llogari tonë e me shpenzimet tona sferat armilare të Ptolomeut, për arsye se këtu, në Mbretnin e Hungarisë, nuk kemi një mjeshtër, i cili të dijë t’i punojë ato … “
Mbas vdekjes së Gàzullit, më 1465, këtë vend, pra të astronomit në Oborrin Mbretnor të Hungarisë, e zuri Johan Myler, më i famshmi i astronomëve të kohës, që në veprën e tij më të rëndësishme botuar pikërisht aty (Budapest) përmend shpesh Gàzullin, edhe duke iu kundërvënë atij mbi disa trajtesa mbi yllësit qiellore, çka dëshmon se Myler në Hungari u përball jo vetëm me famën e Gàzullit, por padyshim edhe me librin e tij, që na sot nuk e kemi në dorë. Është pikërisht kjo kundërshti – më një anë fama e tij, më anë tjetër mungesa e librave të tij – që na kthen gjithçka në një enigmë që sot nuk jemi në gjendje ta zgjidhim. Kjo nuk ulë aspak vlerat e tij mbarë evropiane, siç e dëshmon një bibliografi e pafund që gjendet anë e kënd Evropës: në Krakovë (Poloni), në Karlsrue (Gjermani), në Bibliotekën e Vatikanit ku Johan Fisher na sjell tabelat astronomike të Gàzullit, e referimet e shumë e shumë astronomëve të famshëm edhe në shekujt vijues (Jo që teoria mbizotëruese e ndarjes së yllësve të qiellit për më se një shekull mbas vdekjes së tij mbeti ajo e quajtur e Campanum dhe Gàzulli, kurse emri i tij vazhdoi të përmendet në shumë studime të shekujve XVI-XVII. Vetëm në shekullin XVII kur astronomia gjet mjete të reja studimi e ishte shtyrë shumë përpara drejt asaj që njohim sot, Gàzulli fillon e përmendet më rrallë, edhe pse autorë të shquar si Musanti ende i referohen atij si fillesë e një këndvështrimi të ri astronomik (dmth shkëputja nga astrologjia e mesjetës së hershme).
Vërtetë Eskilit i humbën tragjeditë, por jo të gjitha (Ka që thonë se më mirë që i humbën, se tragjedi kjo Botë po ka mjaft edhe pa Eskilin). Kurse humbja (shpresojmë mosgjetja deri më sot) e veprës së Gàzullit për historiografinë e shkencave shqiptare është vërtetë një humbje e madhe.
Në Arkivin e Raguzës ruhen 11 faqe dorëshkrim i Gjon Gàzullit, por ato nuk janë një vepër e mirëfilltë, por thjeshtë udhëzues për përdorimin e astrolabit. Edhe pse vetëm një udhëzues, autori shfaq aty një kthjelltësi të tillë, që ka bërë t’u kthehen studimit të atyre faqeve të pakta shumë e shumë studiues të ditëve tona.
Meqë jemi ende në lamë të shkencës, simbas dokumenteve arkivore të kohës, del se Gjon Gàzulli kishte një prej bibliotekave më të pasura për kohën jo vetëm në Raguzë, por edhe më gjerë.

DIPLOMATI

Aftësitë e rralla të Gjon Gàzullit janë shpalosë, jo vetëm në lamë të shkencave të sakta, por edhe si një prej diplomatëve më të shquar të kohës.
Siç dihet, popujt ballkanikë po përpiqeshin t’i bënin ballë pushtimit osman. Ishin kohë të vështira, jo vetëm për Gadishullin, por rrezikoheshin edhe pjesë të tjera të Evropës, e këta, më shumë se me mbështetë luftën e popujve ballkanikë, për interesa të veta, u bënë aktivë në mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Qendrat kryesore të një diplomacie aktive ishin aso kohe Roma e Budapesti.
Mision i parë diplomatik i dokumentuar i Gàzullit është udhëtimi i tij për në Romë, që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (paraardhësin e Korvinit), me rastin e kurorëzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, simbas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besuar më të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë.
Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e, fill mbas pak në Slloveni.
Në ato vite bashkëpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësuar shumë. Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në Atdhe, me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane, e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj.
Duke qenë i përpirë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emëron në vend të tij Pal Gàzullin, të vëllanë, që cilësohet ndër dokumente “magister, prudens et literatus vir”, çka do të thotë se kishte kryer edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”. (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëlla tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Kastriotit).
Po afrohej “Stina e madhe e Kastriotit” e vëllezërit Gàzulli, Pali, Andrea, Dhimitri, e mbi të gjithë Gjoni, do të kishin një vend të rëndësishëm në atë “stinë”.
Nga viti 1443 Raguza shërbeu si qendër informacioni për Evropën e krishterë, mbi sa po ndodhte në Shqipëri, ku kishin filluar në masë kryengritjet antiosmane, me në krye Gjergj Kastriotin. Gàzulli, si diplomat i sprovuar, u angazhua pothuaj tërësisht në çështjen shqiptare. Në vitet e para ai bëri sa askush tjetër për tërheqjen e vëmendjes për çka po ndodhte në Shqipëri, duke shfrytëzuar udhëtimet e tij të shumta diplomatike për llogari të Raguzës.
I gjendur nën trysninë e rrethimeve të njëpasnjëshme turke, Kastrioti u kërkoi ndihmë si Raguzës, ashtu edhe Venedikut, Romës, Napolit e Hungarisë. Me përjashtim të kësaj të fundit, të parët u mjaftuan me ndihma financiare apo edhe me ndonjë armatim, por jo me një bashkëpunim konkret, pse nuk donin të hynin në luftë të drejtpërdrejtë me Turqinë.
Në gjithë këtë veprimtari diplomatike, dy ishin “ambasadorët” shëtitës më të rëndësishëm të Kastriotit, vëllezërit Gjon e Pal Gàzulli, ky i fundit sidomos me përfaqësimin e Kryezotit të Shqipërisë pranë Papatit, por edhe si “këshilltar” i Gjergjit tonë, aq sa qé quajt “mendja e Kastriotit”.
Por Gjoni, si do ta tregonte fundi jo i largët e jetës së tij, pak e nga pak u tërhoq nga diplomacia për arsye shëndetësore e moshe, por shumë historian janë të mendjes se u tërhoq edhe nga dëshira e zjarrtë t’i çonte deri në fund studimet e tij shkencore.
Ishte pikërisht në këtë periudhë kur doli më në dukje roli i Pal Gàzullit si diplomat.
Duhet thënë se aty nga fillimi i viteve 50 e deri sa u shua Fatosi i Kombit, Pal Gàzulli ishte ai që mbajti lidhjet e Shqipërisë me Hungarinë, Raguzën e me mbarë Gadishullin Apenin. Për këtë ka dokumente të pafund, por nuk është rasti me i sjellë këtu. Po kujtoj vetëm një frazë të Barletit “.. e ishte ky Pal Gàzulli mendja e Gjergjit tonë e që ia mbushte zemrën me guxim me vazhdue luftën kundër të pafeve ..”.

Thursday, September 24, 2009

Historia e shqiptarëve dhe “Historia e Shqipërisë”


Nga Anila Prifti

Përkimet e ngjarjeve tronditëse, prej kohësh jam munduar t`i emërtoj, herë si mallkim... e herë si rastësi të këqija. Shpeshherë i kam veçuar në mendimin tim, kam ndenjur ngeshëm me to, për të marrë të gjitha sepse-të e mundshme. Mirëpo, më ndodh që, në ngatërrime “themelesh” të më turbullohet mendimi, të më lëshojë arsyeja dhe të më braktisë perceptimi. Këto ditë u pështjellova në vorbullën e Historisë, ndërtuar mjeshtërisht prej pseudohistorianëve, ose historianëve dhe akademikëve, që na ushqejnë me bëmat e skandaleve të tyre shkencore dhe mentale. Ca njerëz të mbyllur, të mykur në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, kanë vendosur të hedhin dritë mbi veten, duke thënë se shqiptarët paskan qenë ardhacakë në tokën e tyre!? Ca hartues librash historie, këtej nga anët tona, seç kanë “mrekulluar” me një libër, që po kthehet në gangrenë. Lëmsh i vërtetë historie, i përzier me histori jetësore puthadorësh e servilësh.
Akademikët maqedonas vërtetuan dëshpërimin e radhës, me anë të pretendimit të tyre qesharak mbi autenticitetin e shqiptarëve, mbi kohëvendosjen e tyre në trojet e Maqedonisë, mbi rolin e shqiptarëve në atë vend prej shekujsh. Por ndaj tyre u ngrit një masiv i tërë kundërshtish, jo vetëm historike, por edhe etike; me kundërshti, jo vetëm historianësh shqiptarë, por edhe nga qarqe të caktuara ndërkombëtare, të cilët vetëm sa ia tërhoqën pak “veshin” Maqedonisë, që tashmë ka pranuar tërheqjen e versionit meskin për origjinën e shqiptarëve të Maqedonisë.
Po me këtë “historinë” tonë, çdo të bëhet?!
Kryefjala apo vëmendja e opinionistëve këto ditë është përqendruar te një tekst historie, që tashmë është servirur. Ekspertë të historisë sonë, të kësaj historisë së kohës sonë, kanë derdhur gjithë talentin e njohurive të tyre, kanë shpalosur gjithë vizionin e tyre të largët, duke na treguar se historisë së `97-s i vëmë emër që sot, ca kryeministra s`janë të devotshëm të listohen përkrah të tjerëve, madje, këta “historianë”, me tentativën e tyre të të bërit histori, na mbyllin edhe dosje e gjyqe, për të cilat, në një tjetër anë po bëhet debat i ashpër...
Çuditërisht, në të njëjtën kohë, më vjen kjo “përzierja historike” e historisë së shqiptarëve, e Historisë së Shqipërisë, e historisë sime... Për të parën tashmë u sigurova: ata akademikët e Maqedonisë do të rishikohen nga një palë tjetër vërtet akademike, në gabimin e tyre të vetëdijshëm. Në rast të kundërt, ndërkombëtarët më kanë mësuar të çlirohem nga ky shqetësim: më kanë bindur se ata dinë ta thonë fjalën e tyre në kohën e duhur. Ndaj, edhe shqetësimi im realisht ishte krejt i pakët, në lidhje me “pakujdesinë” enciklopedike të FYROM. Mirëpo, frymëmarrja ime ndalon dhe çalon pikërisht në këtë “historinë” tonë.
Ajo çka vërej më së miri, ka të bëjë me paqartësinë, me të cilën na përcillet ky moment, i cili, gjithsesi, jam e bindur se do të kalojë po me mjegullnajën e nisur. Ndërsa dëgjojmë politikën apo kronikat me opinione fëmijësh, pështjellohemi më tepër rreth asaj mugëtire apo ironisë së fatit historik të shqiptarëve, i përcaktuar që në gjenezë nga opinionet, dëshirat individuale apo grup individësh, interesat e të cilëve janë më tepër se meskine dhe krejt të përkohshme, por që lënë pas tyre gjurmët më të shëmtuara dhe më të hidhura për një popull. Këtë shije provova, ndërsa, me vëmendje po ndiqja debatet për akademikët maqedonas dhe tërheqjen e tyre pas sinjaleve nga larg. Kur, befasisht m’u përplas para fytyrës historia e viteve të mija, por, sipas versionit shkencor dhe atij politik të një hapësire më të ngushtë spirutale. Është ky momenti ku nis dilema për çdo banor të këtij vendi që, çuditërisht, është virusuar nga opinioni. A është kjo historia që duhet të mësojnë brezi më delikat i kësaj shoqërie, apo duhet diçka tjetër? E, pavarësisht nga zgjedhja që duhet të bëjmë, çfarë e bashkon këtë moment me atë të historisë së shpallur nga maqedonasit? Ishte e mjaftueshme koha, përtej vulgaritetit të treguar nga politika për këtë çështje, për të më vendosur në pozicionin e një njeriu të pamundshëm, të një individi, forca apo vërtetësia e të cilit është e pavlerë. Po aq e mjaftueshme ishte koha dhe përpëlitja e paralelizmit apo e njehsimit që tregon gabueshmëritë historike, saqë në heshtje lajmërova breza të tëra pas meje: Do të keni fatin tim!

Gazeta "Libertas"

Tuesday, September 22, 2009

Parlamenti 2009’ në duart e Oligarkëve

Parlamenti i ardhshëm, ka shumë mundësi të jetë pushtet në duart e biznesmenëve, të grupeve të interesit për të qenë të pranishëm me përfaqësues politikë, në ligjbërje,
Lobingje etj. Masat për këtë tashmë janë marrë, pritet vetëm finalizimi.
Mbi 150 mijë Euro janë vënë në dispozicion për të shënuar emrin e një kandidati në listën e të përzgjedhurve për deputetë, në zgjedhjet e ardhshme. Njerëzit e pazareve tentojnë të kapin elitën e politikës. Paratë afrohen nga bizneset e ligjshme dhe ato të paligjshme.
Ky informacion doli së fundi nga burime të besueshme të dy partive kryesore të politikës shqiptare, PD dhe PS. Sipas kësaj skeme, deputetët e ardhshëm do të jenë në shërbim të biznesit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm, duke krijuar kështu pushtetin e oligarkëve shqiptarë. “Gjithçka po realizohet sipas një skeme hartuar, skemë kjo që e posedojnë katër personalitetet më të larta të Partisë Demokratike. Çdo emër kandidati, në listë, do të vendoset në pozicionin e fituesit të mandatit nëse ai përfaqëson interesat e një biznesi. Brenda partisë, të gjithë e kanë të qartë, ka pakënaqësi, por askush nuk mundet të flasë. Janë paratë ato që do të përcaktojnë listën me emrat fitues për parlamentin e ardhshëm. Propozimet e bazës do të rezultojnë të pavlefshme, nëse ato nuk do të miratohen nga qendra e përbërë prej krerëve të grupeve në parti.”- tregon burimi brenda Partisë Demokratike
Situata brenda partive politike, të lartpërmendura, ka filluar të jetë jo e qetë. Zgjedhjet e ardhshme po venë në lëvizje strukturat e mundshme formale dhe informale për blerjen e pushtetit. Burime të besueshme tregojnë se po përzgjidhen emra, pas të cilëve qëndrojnë biznese qofshin këto të ligjshme ose jo të tillë. Për të konkretizuar skemën, vendosja e një emri kandidati në listë, në pozicionin e fituesit sipas proporcionalit në zgjedhjet e kësaj radhe, shpërblehet me një vlerë mbi 150 mijë euro, e cila rritet sipas rëndësisë së rajonit ku personi do të dalë fitues. Të njëjtat burime tregojnë se vlerat e afruara mbi shumën e lartpërmendur lëviz nën dorë, kur është fjala se ajo afrohet nga bizneset informale. Për këtë janë gjetur edhe “sekserët” e duhur. Nga ana tjetër, të interesuarit për marrje pushteti, që përfaqësohen me biznese të ligjshme, sipas informacioneve, po marrin kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësues të elitës së politikës.
Kjo skemë, duket se nuk është përvetësuar vetëm nga partia në pushtet. Edhe opozita e parti të tjera po përballen me pasojat e skemës. Në Partinë Socialiste, thuhet se me hartimin e listës po merret një grup i ngushtë. Ata, që mendojnë se i kanë dhënë forcës së tyre politike në vazhdimësi, ndjehen të rrezikuar. Afrimi i bizneseve informale, kryesisht, po tenton rrëzimin e emrave të “veteranëve” me qëllimin e prurjes së kontingjentit në interes të bizneseve.
Kësisoj, në një të ardhme të shpejtë, do të shohim se pushteti do të jetë i përqendruar në duart e oligarkisë shqiptare, që pasurohet duke spekuluar, në informalitet, nga trafiqet etj. Gjë, e cila do të afrojë një pushtet ekonomik politik të paqëndrueshëm, kapitalizmit pa vizion dhe një parlament kryesisht pushtet i bandave. Kjo, për shkak se në vendin tonë vazhdon kapitalizmi anarkik. Raportet e fundit të ndërkombëtareve, për trafiqet dhe korrupsionin tregojnë se shteti e ligji nuk kanë kontroll mbi territorin, mbi ekonominë. Ai shfaqet i dobët dhe në interes të atyre që kanë kapur shtetin. Korrupsioni në Shqipëri, treguar në raportet e investuesve të huaj, ka majmur zyrtarët. Politologët shpjegojnë se kjo e fundit ka afruar dhunim të drejtave të njeriut dhe dhunim të lirisë së shtypit.
Vetëm dy muaj më parë, në gazetën “Agon” u botua një paralajmërim. Në të thuhet se çdo deputet, politikan i shfaqur në publik pas votës së qytetarit, do të jetë një pjesëtar i krimit të organizuar, që parashikohet të jetë Qeveria e Mafies në Ballkan. Në këtë konkluzion duket se po arrijnë specialistë të shërbimeve inteligjente ndërkombëtare, të cilët në bashkëpunim me ekspertë ekonomiko-financiar, me qendër në Nju York, po përgatisin një raport studimi për Ballkanin 2010. Hartuesit e "Ballkan 2010" janë të mendimit se korrupsioni dhe krimi i organizuar në Ballkan është ,fatkeqësisht, një nga shembujt e parë të bashkëpunimit të mirë ndëretnik. Studimi po i referohet kryesisht të dhënave të ekonomisë informale e kriminale; trafikut të drogës, trafikut të armëve, korrupsionin të qeverive, lidhjeve kriminale të politikës ballkanike, financimeve të errëta në fushatat elektorale, sistemit të drejtësisë dhe atij policor në të gjitha vendet e rajonit. Antonio Maria Costa, drejtori ekzekutiv i Zyrës së OKB-së për drogën dhe krimet në Ballkan, pak kohë më parë, deklaroi se krimi ordiner në këtë rajon është ulur, por krimi i organizuar dhe lidhjet e tij me politikanët dhe biznesmenët, vazhdon jetë sfidë serioze në disa vende. Alarmi i ministrave të Ekonomisë dhe Financave, të Bashkimit Evropian, shtroi kërkesën që vendet anëtare sëbashku me institucionet evropiane dhe Europol të bashkëpunojnë me autoritetet e vendeve të rajonit për të monitoruar lidhjet e krimit të organizuar dhe financimin e tyre si dhe për të parandaluar qarkullimin ilegal të armeve në Ballkan. Në raportimet e tyre citohet se shtetet postsocialiste të rajonit (jo të gjitha), janë burgosur në kthetrat e krimit të organizuar dhe të korruptimit. Ky i fundit, gjithnjë në rritje, ka vënë në kontroll të rreptë sferat kyçe të shoqërisë, ku politika kuptohet si biznes më produktiv, i cili mundëson pasurimin brenda natës dhe privilegje të shumta pa pasur asnjë përgjegjësi.

Botuar në 2008

Portret

Ecën në atë rrugë së cilës ia di edhe foletë e milingonave. Vite më parë po në atë shteg u ikte shikimeve. Zërat e zogjve kanë pushuar. Zhurma e ndonjë llamarine makine e gërvisht, larg dëgjohen thirrje babëzie, vijnë përtej mureve të rrugicës së saj si klithmë hijena.
Eshtë muzg. Ajo kërkon fëshfërimën e pemëve, do të flas me to, por dëgjon dihatjen e bagëtive të vetmuara. Vështron drejt perëndimit, pret shkëlqimin e mikut të saj si dikur, të përshëndet për këtë natë, por zemërimi i natyrës në lot i ndriçon asfaltin që pret të kuqet. Vetëm toka, ajo është më e fortë, e zezë, asaj i dhëmbin këmbët. S’ndjen butësinë poshtë shputës, nuk i duhet të ulet për të pastruar ngadalë baltën e më pas ti japë formë zogjsh, kaproj, shtëpish, të ndërtoi përrallën e saj.
Ecën me hapa më të shpejtë, merr frymë thellë, serish thellë, derisa vendos të qetësoj kraharorin që ngrihet e ulet si të njeriut në qeli. Lëviz si një statujë patetike për të treguar legjendën e rremë; koka e ngritur lart në qëndrim sfidues; sytë e mëdhenj me shikim të tejshëm, futet në kohën e shkuar; flokët e shndritshme i bien mbi supe tw pazwshme. Çdo tipar i fytyrës i rrezaton shëndet, vullnet e forcë. Buzët dhe vetullat tregojnë femrën tekanjoze si fëmijën e uritur që i bën naze ushqimit. Kështu do të duket, kështu e shohin më të dashurit e saj. Ndaj ajo vazhdon me madhështinë teatrale për pak qetësi në këtë copë rruge të shkurtër ku takon të vërtetën e saj.
Dhoma e dikurshme tashmë i duket vetëm një kënd, një cep, ku mundet vetëm të ulet, të shikoj. Objektet përreth i kujtojnë përtacinë. Ka dëshirë të ndez një zjarr, të pjek një kafe në xhezven e saj, ti digjen gishtat, të frikësohet se mos i derdhet, por i sjellin filxhanin plot më kafe pis pa shije. Kërkon të gjej një thëngjill, të shkruaj dëshirën në dyshemenë e oxhakut, por i largohet bardhësisë së ngrirë të murit në vetmi. Do të heshtë mes atyre klithmave që i vijnë tek këndi. Zërat e pushtetit, vaji e dërdëllitja e njerëzve e bëjnë të dalë, të futet në errësirë mes për mes botës së ç’pyllëzuar.
Se shoqëron askush, as lulet e dardhës së saj, as hungërima e Xhufit shtrirë te shkallët, as edhe xixëllonjat që duhet të kishin ardhur. Përreth natë e heshtur dhe zhurmë pa pelerinë. Hyn serish në këndin e saj, tashmë zërat janë shtuar. Gra në moshë që bisedojnë për fëmijët, vajza që habitshëm presin tingullin e sms-ve, muzika e ndonjë kënge të panjohur, por që e njofton se dikush po e thërret përtej pamundësive. Atë kohë bëhet heshtje, kurse vajza që pret të flas me të fejuarin kuqet. Kënga vazhdon, ajo kërkon diku një strehëz pa veshë.
Të tjerët vazhdojnë; flasin për presidentë, për kryeministër, për shtete e popuj. Ajo duket sikur jeton në hije, rrinë larg çdo bisede të lodhëshme, nuk ndjehet asnjë tingull, duket sikur ka frikë nga zhurma, provon ankth. U flet ëmbël kur e përshëndesin, afrohet me kujdes pranë tavolinës dhe shikon më vëmendje çdo gjë që i sjellin. I trembet ndonjë ngacmimi nga ushqimi dhe pa zë kërkon diçka tw pa zhurmë, të përtypet pa mundim. Flet ngadalë në tavolinë; si për të kërkuar zë të ulët përtypet si në zakonin e hershëm dhe lutet të mos e pyesin për shkëlqimin e tyre të metropolit.
Pas ngrënies kërkon një cigare a diçka që e çlodh, e freskon dhe tërhiqet. Edhe vajza që ka pushtuar aparatin e telefonit nuk flet....
Përsëri aty te këndi i ngushtë tashmë i varfëruar pa erën e mollëve që dikur embëlsonin muret, rreth orendi të ftohta, njerëz të përgjumur, asnjë shënim a libër, as edhe komoja e vjetër, ku vendoste letrat, mes tyre lule të thara me kujdes, aroma e së cilëve e vinte në gjumin e ëmbël. Në vend të saj, një faqe muri me metalikë të shkëlqyeshme, qelq, kristal, likerna, verë, raki, musht.
Diku në një cep, barna për dhimbje të kokës, zemrës, reumatizmës, barna kundër pagjumësisë; rrethuar në frikë me tërë këtë arsenal helmesh në emër të ndihmës. Pas tyre aroma e industrisë kur shtupohet dyshemeja e sapo shkelur. Asaj i ngacmohet frymëmarrja, ngrihet të arratiset, por s’ka ku.
Kupton se duhet të shkojë të flejë në vendin kur dikur mendonte për Kleopatrën, Helenën, Afërditën, Tesin, për arratitë e pasionin e dashurisë, për poezinë, për personazhet e romaneve e dashuruar deri në thellësi. Mendonte për të moshuarën që çdo mëngjes kthehej nga truma, ngarkuar me bidonë të mbushur me ujë të pijshëm. Mendonte për fqinjët e saj të vegjël, që flinin të uritur, e ajo vjedhurazi fuste në çantën e librave racionin e saj të mëngjesit, për tu turpëruar kur shoqja e bankës ta pyeste se ç’emër kishte ajo çka përtypte me shpejtësinë e ujkut ne uri.
Këtë natë e di se nuk do të ëndërrojë asnjë nga mbretëreshat, mbretërit, perandorët, as për dashuritë e virgjra, as për fqinjën e saj, prej vitesh nuk e ka parë. Ka dëgjuar se ajo jeton diku larg, pa uri; nuk kanë harruar ti thonë se fqinja rrallë viziton rrugicat e fëmijërisë. I kanë thënë se ajo nuk mërdhin nga i ftohti, shumë syresh e kanë parë të zbres gjysmë zhveshur nga makina e shndritshme që nuk mund të futet në rrugicën e ngushtë për tek shtëpia me pamjen sipas bombardimeve në luftë.
Këtë natë ajo do të kujdeset të mos mendoj për motin e keq me shi të cilin e urren, për britmat e kryeqytetit. Do ti thotë ndal mendimit për zhargonet pabese, për mediokritetin dhe stresin kolektiv, për padijen uloke, për zërat e miqve të afërmve të saj në kërkim të vëmendjes.
Më siguri ajo nuk do të harroj sonte shumëçka. Do të vendos kokën në jastëkun poshtë të cilit dikush nuk harron ti vendos degë borziloku të tharë, të mblidhet në një teshë po me aromën e lules së preferuar. Do shpresoj të mbyll pak sytë me mendimin e bukur se dëshmitarë ka shpirtin. Kështu kjo natë dhe vetmi e shenjtë mbështjellin gjumin e saj, të asaj që beson në largimin e territ dhe në muzikën e jetës.

03.04.2009,

Monday, September 21, 2009

Nën pushtetin e energjive negative?!

Agresiviteti, inati, ndjenja e shkatërrimit, instinkti i vdekjes, e që Frojdi në librat e tij me një fjalë të vjetër greke e quante: Tanatos, po mbyt shoqërinë shqiptare. I shfaqur në format e tij të dhunshme individuale, në jetën e përditshme; vëllai urren ose vret vëllain, komshinjtë rrihen me njëri tjetrin, vritet shoferi për parkim, burri rreh gruan, prindërit dhunojnë fëmijët, kafepirësi urren kalimtarin, ekzekutohet për një dele etj. Si një shoqëri e papërpunuar në institucionalizimin e hipokrizisë, në fshehjen e urrejtjes ndaj njeri tjetrit, niveli i agresivitetit shfaqet banal, deri në formën e urrejtjes sy më sy; është i drejtpërdrejtë; një person mund të nxjerrë armën e të vrasë tjetrin pse ai e shikon në sy. Numërohen me dhjetëra raste të tilla akte kriminale që ndodhen vitin e kaluar e që policia i motivoi "krim banal për shkak të konfliktit të çastit". E lartë është dhe shifra e vrasjeve në familje për një fjalë, për një shikim jo normal pa shtuar këtu numrin e rasteve të dhunës pa pasojë vdekje, i cili disafishohet. "Duhet të ndajmë agresivitetin si sëmundje dhe agresivitetin në nivel social. Të parët, të prekur nga sintomat psikike duhen mjekuar me çdo kusht, ndërsa pjesa tjetër agresive ku futet një numër më i madh i shoqërisë duhet të aktivizohen fizikisht, të punojnë, të gjejnë forma për të shkarkuar energjitë negative e të kthejë atë në energji pozitive, të ndërtojë diçka", thotë profesor psikiatër Vuksan Kola. Për rrjedhojë të mendimit të psikiatrit sjellim faktet e mungesës së "fronteve", ku shoqëria shqiptare mund të shkarkojë atë që cilësohet energji negative, që sipas filozofëve është e njëjtë kudo, por në vendin tonë forma e shfaqjes së saj në agresivitet është në tregues alarmant, aq sa shpesh edhe nga shtypi apo raportet ndërkombëtarëve etiketohemi "shoqëri agresive, e dhunshme". Afro gjysma e shoqërisë aktive është e papunë, nuk ka aktivitete fizike, një numër shumë i vogël merret me sportin, nuk ka luftë, s'ka punë vullnetare, nuk ka zbore e aksione të gjithë duan të fitojnë e të jetojnë në pasivitet dhe një numër i lartë i të prekurve nga sëmundjet mendore dhe ato emocionale nuk kurohen, ose nuk mundësohen ekonomikisht për një proces të tillë.
Në Gjermani një qendër studimi me filozofë e psikiatër, kanë arritur në përfundimin se mbarë shoqëritë në botë kanë rënë në kurthin e mungesës së aktivitetit fizik dhe agresiviteti individual më pak formë (përpunim) mund të kalojë lehtësisht në agresivitet kolektiv - i shmangur deri diku për momentin - i cili drejtohet kundër qeverive, kundër shteteve e pjell luftëra, racizëm e masakra. Psikoanalistët mendojnë se shoqëria shqiptare ka shfaqur vetëm agresivitet individual social. Si rrjedhojë e tij; ka torturë në qeli, agresivitet në rrugë, çdo ditë një akt dhune, një vrasje në javë etj. Gjithashtu ata mendojnë se agresiviteti shfaqet nga drejtuesit e politikës me fjalorin e tyre e vazhdon deri tek shtresat më të vobekta të shoqërisë. "Stresi është agresiviteti që kemi me veten e me të tjerët, ai kërkon të shkarkohet diku, ndaj ndodhin vatëvrasje dhe vrasje, psikanaliza e shpjegon mjaft mirë këtë proces. Shoqëria jonë lëviz në kaotizëm dhe agresiviteti është kudo", thotë sociologu Edmont Dragoti. Statistikat e policisë treguan se vitin e kaluar një person në javë vrau veten, dy të tjerë tentuan të njëjtin akt, në gjykatën e Tiranës; çdo ditë u regjistrua një konflikt civil për arsye të paqarta.

2008

Shoqëri që nxit krimin

Në të gjitha shoqëritë paragjykimi është i pranishëm. Në atë shqiptare ka një ndryshim thelbësor: Ai është nxitës direkt i krimit. Kjo shoqëri, të cilën ende nuk mund ta emërtojmë, nxit krim, vrasje, dhunë, që në mënyrën e të shprehurit dhe të komunikuarit. Ambjente të ndryshme në kryeqytet e periferi jo vetëm nuk njohin rregullat me elementare të komunikimit në grup, në shoqëri, familje, profesion, por guxojnë të dalin dhe me mendje kriminale. “Gruaja jote shkon me filanin....gruaja e tij ka atë.., ai është fëmija i atij, etj, etj”, me zhargone të tilla përballen çdo ditë shtresat e shoqërisë sonë shqiptare. Si pasojë e këtij zhargoni vrastar, rritet çdo ditë numri i të vdekurve; me vetëvrasje, vrasje etj.
Në botën shqiptare çdo gjë paragjykohet. Nga ato më banalet, deri tek ccwshtjet e rëndësishme, që kanë të bëjnë me jetën e një personi. Kush është ky që flet? I kujt është ky, nga ka ardhur? Ky është djali i .... Më ka folur x për të, ai nuk di të hajë, nëna e tij ka qenë, është...ku i gjejnë paratë... ajo doli prej filan shtëpie..etj. Këto janë disa prej reagimeve primitive të shoqërisë që në pjesën më dërrmuese të popullsisë shqiptare janë farat nxitëse të një krimi makabër. Nocioni i së mirës përfundimisht është fundosur. Vlerësohet vetëm bardh e zi. Askush nuk merr përsipër ta ndryshojë këtë panoramë, por rrit te vetja dhe tek të tjerët dozat e armiqësisë..
“Do të shkojë të bëj një njoftim tek emisioni “Njerëz të humbur” për të gjetur se ku je, nga je, ku do shkosh, kush të ka bërë?”, dëgjojmë të thuhet si me shaka në ambjente të ndryshme mes kolegësh a shokësh.
Pa dashur të hyjmë në rubrikën për vërejtjet ndaj këtij emisioni, sikurse dhe për të tjera dritare televizive, ku flitet “me zemër të hapur” dhe dashuri, po shkruajmë atë çka sot po shkaktojnë shumë media televizive dhe gazeta, të cilat janë kthyer në kambana vrasëse. Shumë individë kanë rënë në kurthin e injorancës, paaftësisë dhe cinizmit komercial të mediave të tilla. Një fshatar nxirret në studio dhe vihet përballë një qenie-gazetar, si të ndodhej në hetuesi të panjohur as në sistemet më të deformuara diktatoriale. Këtij fshatari ose fshatareje – viktimë të lodhur nga jeta, varfëria dhe hallet e përditshme i drejtohen pyetje nga më të çuditëshme, që vetëm në kontingjente të pacivilizuara mund t’i dëgjosh. Pyetet; ku i ke fëmijët, nga të vijnë, me kë i ke pasur, pse nuk flisni, pse nuk i flet fëmijës, pse nuk i flet babait, etj, të kësaj natyre, që për më tepër se neveria shkaktojnë irritim në masën më të gjerë të shikuesve dhe lexuesve dhe kthehen në nxitje për krimin. Pyetje të tjera po me tingull paaftësie e të paedukatës, drejtohen kundrejt origjinës dhe ngjizjes së saj. Aty kërkohet llogari dhe etiketohen “turpet e pashpallura”. Këto të fundit shpallen si zbulime dhe arritje të suksesit në kërkim. Nëse ato me rol për të drejtuar emisione të tilla emocionalisht ndjehen gazetare, është detyrë e tjetër kujt të ndërhyjë në mosdemostrimin e paaftësisë e më këtë rast ul dhe shkallën e nxitjes vrastare mediatike.

2007

Përmes urisë në qytetin e thesarit...


Udhëtimi për në veri të ngarkon. Pas çdo kilometri, sapo kalon Tiranën, ndjesi të forta, shpesh herë në konflikt, të përfshijnë. Të kaluarën e hershme, të librave, nuk e sheh askund. Figura e burrave të urtë e trima të përzihet me kalimtarë të lodhur, pa dhëmbë, të vrazhdë prej mungesës, kurse bukuria e lartësive është ulur keqas tek e zeza që thyhet me kolorin më dramatik në trupin e femrës. Nuk ka lidhje kjo panoramë e sotme me lashtësinë e sjellë fuqishëm deri tek ne...Nuk dëgjon zë; baladat në vetmi heshtin si pulsi i një të vdekuri. Për të shkuar deri në qytetin minator në veri- lindje, Bulqizë, duhet kohë e qetësi, nerv e durim, edhe harresë... Tek Ura e Milotit, pasi devijon djathtas autostradës Tiranë- Shkodër, pa hyrë në Lezhë, një tabelë e bojatisur të tregon kilometrat, mbi 70-të, të asaj që duhet të përshkosh deri në Bulqizë. Kjo llamarinë nuk tregon asgjë para kilometrave pa fund gropash që kapërcehen duke thithur ajër të pastër.
Veriorët e këtyre zonave duken pilotë majë- malesh, ku dhe dielli del me vonesë e largohet para se të thyhet dita. Shpesh, dikush provon shtratin e lumit Mat. Ai që është më me fat ka mundësi të njoftojë familjen për furgonin apo benzin e shkatërruar e që pret rrëmbimin e tërbuar të lumit për të larguar gjurmët.
Kjo rrugë është edhe dëshmitare e krimeve me të egra ndodhur mes shqiptarëve. Larg vështrimeve, të rinj, të reja, hasëm e të pasur, i janë larguar jetës për t’u mbledhur në kocka qeniesh të humbura kur, ndonjë bari që ngrys ditët në fund të kopesë së tij kalon në ato anë.
Udhëtimi bëhet sa qesharak, aq dhe i dhimbshëm. Nuk mungojnë reklamat e prezervativëve e të duhanit. Nga Spanja, një nuse kërkohet në fshatin e thellë, matanë lumit, bri malit, në të djathtë të rrugës afër Burrelit. Dhëndri është një djalë mesa duket po i zonave përreth. Kalimtarë jo të paktë, të veshur me të njëjta rrobe. Asnjë bluzë “nuk flet shqip”. Banorët shtyjnë ditët me punë të zakonshme, jo të lodhshme. Rrisin në të rrallë ndonjë bagëti, drutë i blejnë, presin stinën për rrushin dhe përgatisin brumin e bukës për ta pjekur në kohën e duhur tek furra e druve. Nuk duken se janë aty. Mendjen dhe zemrën e kanë larg. Nuk ka shtëpi të mos provojë dhimbjen dhe të mirat materiale nga fëmijët emigrantë.
Mëngjesi ikën nxitimthi në këtë rrugë...Është dhe i zhurmshëm me lokalet pritëse që të thërrasin shpesh për një kafe. Shoferët e makinë- furgonit janë të kënaqur për këtë vakt brumrash. Pasagjerët i zbarkojnë sipas marrëveshjes me pronarin, si shpërblim në lokalin që i mirëpret pa faturën në fund. Kjo gjë ua bën udhëtimin edhe më të bukur drejt Tiranës apo Shkodrës, kur zbresin nga lart. Janë matjanë e dibranë, në “luftë” për superioritet historish.. Në dy anë të rrugës, fëmijë me vargje frutash të thërrasin. Eshtë koha e tyre dhe ata nxitojnë ta shfrytëzojnë, paçka se janë blerë në tezgat e tregjeve të një qyteti ccfarëdo...Fundja qëllimi është për të fituar prej stinës. Lugina e Klosit duket e begatëshme; vila, shtëpi në ndërtim, lokale, pemëtore, ara në gjelbërim.
Këtu, çlodhja e muza e mbërthyer me aromën e luginës së Klosit, merr fund. Ngjitja në për në Qafën e Buallit të zgjon frikshëm. Duken si dy botë. Afër shfaqet ferri, i zi, i egër...Aty është dhe Bulqiza me vrimat e saj të errëta. Paradoks! Si për të fshehur atë vlerë të magjishme që toka mban nën vete, mbi të, fukarallëk, pisllëk. Ndjen si një vajtim.
Qyteti, ngrehinë e mbetur, ngrihet mbi dy faqe mali, në një fushë që thuhet se ndriçon natën Në pjesën veriore godinat- banimi disakatëshe, ndërtuar nga të burgosurit politikë nga mesi i viteve tetëdhjetë; si për ironi tregojnë se këtu quhet “Bulqiza e Re”.
Në jug, poshtë, ndodhet një pjesë e qytetit dhe zyrat e administratës shtetërore. 20 mijë vetët që jetojnë në këtë vend, të trishtojnë. Nuk duhet të jetë një qytetë i dytë me kaq njerëz të varfër. Burrat me fizikë kockash, që do dukeshin qesharakë nëse do kriheshin, me rrudha të egra rreth gojës e syve shpues, të veshur si në kohën e Carli Caplinit, duket sikur vijnë nga tjetër botë. Hyjnë e dalin nga nëntoka. Ulen në lokale si në stom çlodhjeje dhe rrugëtojnë në fantazi. Endrra e emigrimit iu është fanitur. Kurse gra...nuk ka...nuk i sheh askund, në kafene jo e jo.
Bulqiza ngjan me tokën e burrave në arrati. Muret e zbukuruara me gëlqere duken si faqe burgu.I ndërtuan të burgosurit, sot jetojnë qytetarët.
Lart është miniera. Aty janë puset e zinj.Tashmë mbi to është turrur i madh i vogël. Të armatosur, këmbëzbathur, larg frikës së vdekjes, si në histerizëm shkojnë e vijnë natën e ditën. Bulqizakët për së fundi flakën tutje gjumin, shtetin, dembelizmin, thashethemet etj... Këtu e kështu ka nisur lufta në kërkim të kromit...!
Banorët –minatorë na tregojnë se të mërkurën, sot, do të dalin në protestë. Një miting si shumë të tjerë të mjerë organizuar herë pas here. Këta njerëz nuk trembim dot askënd, aq më pak shtetin, apo privatin. Do të kërkojnë si çdo herë pak rrogë, ndonjë palë çizme, rrip sigurimi, xhaketë etj. Një palë u duhen për gjithë vitin, 600 të tillëve. Sa pak për të shpëtuar këmbët e tyre gati në kalbëzim. Aq sa dreka e një zyrtari të mesëm të administratës shqiptare, kur do të respektojë tre miq të tij.
Në brendësi të minierës nuk mund të zbresësh. Ky urdhër është dhënë shumë herët, sidomos për gazetarët. Kompanisë nuk i pëlqen të flitet shumë për kushtet e punës. Mjaft po bezdisen nga të mjerët që çirren për një palë çizme. Po edhe në galeritë të zaptuar nga privatët nuk mund të futesh. Aty fëmijë e gra “shkulin arin” me dorë. 12 burra vdiqën 16 muaj brenda galerive me damar kromi. Ethet për t’u bërë të pasur i ka përfshirë të gjithë këta njerëz –banorë në geto afrikane....Bandat tashmë kanë marrë në dorë situatën. Ata që deri tani ditën t’i shfrytëzojnë bulqizakët tremben. Pasuria e kësaj copë nëntoke po iu ikën. Iu duhet të marrin masa...
Pasi kthen krahët për ta lënë pas, Bulqiza merr trajtën e virusit. Lugina e Klosit as që të kujtohet, kurse lart në Qafë Buall mendimet me të rënda ta pushtojnë trurin. Vështirë të harrosh atë peizazh të zymtë, të ashpër, ku natyra duket se nuk ka kursyer asgjë për të hedhur të errtën. Ky qytet i vogël mes malesh të dhemb. Njerëzit me shpinë kërrusur ngërthyer në labirinthet e galerive, venë në lojë jetën dhe vdekjen. Ky vend me heronj e pa histori rrit jetimë e vesh gra me të zeza. Kaq pranë pasurisë dhe janë më të varfërit se kudo...
Bulqiza, qyteti i atyre, merr frymë përmes urisë...

2007

Lazarati, fshati që “lufton me hënën”


Rrënojat e kullës 300 vjeçare, n’skaj të fshatit në pllajë mali, të thërrasin në lashtësi. Lazaratasve, banorëve me fytyrë si të skalitur në gurë, nuk u pëlqen të shohin shenjat e një krishterimi të hershëm. Ata betohen për muslimanizëm dhe si për çdo gjë tjetër ndjehen krenar për të. Betohen edhe se luftuan me grekët në 1854-n..., u pushtuan.... Sot kanë hashashin! Eshtë edhe fat edhe mallkim për ta. E gjelbërta e bimës së drogës gjendet edhe në sytë e tyre, si një shkëlqim kameleoni në xhungël. Këta fshatarë “kokëkrisur” të imunizuar me sirenat e policisë, me zhurmën çjerrëse të helikopterëve, vrapojnë e “luftojnë me hënën” sa herë nuhasin rrezikun...Shumë varre ka në anë të fshatit...
Po afron dita e tyre më me fat dhe u duhet të flenë në këmbë, me armë në dorë, ashtu si kolumbianët zbrasin kallshnikovët andej nga dëgjohet deri dhe fëshfërima e një gjarpri. Bima në korrik do të korret, do të shitet...Atëherë, fshatarët e vendit më me emër në Shqipëri, ulen nën hijen e fundgushtit, e llogarisin jetët e tyre me shpërblimin e helmit...
Natën e kaluar, për një orë, jugorët qëndruan zgjuar. Krisma armësh rikthyen në memorien e të shumtëve erën e luftës në 97-n. Policia përgatiti RENEA-n, kurse kryetari i komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko mohon përdorimin e armëve. Kjo ndodh shpesh në Gjirokastër që shfaqet pas Virojit të “qelbëzuar” nga Drinos-i, tashmë pa rrjedhën e tij të butshme, i kthyer egërsisht në kanal mbetjesh. Nëse gjirokastritët shumë kanë për të thënë, dëgjohen pas atyre.., lazaratasve. Të hershëm në pllajën e malit gjithë gjelbërim, stoikisht shohin fushat e djerra të Dropullit. Gjithçka është e vërtetë; ara të tëra jeshilojnë dhe bima e drogës kalon lartësinë e avllijave. Banorët burra që, frikshëm trajtojnë femrën e që s’bëjnë dot pa gratë e tyre, hyjnë e dalin nëpër shtigje degësh droge, duke shpresuar edhe për këtë radhë. Këta njerëz duken se nuk kanë dëgjuar se, aktualisht një në tre të rinj shqiptarë ose 500 mijë vetë, janë përdorues të rregullt të hashashit dhe që nuk munden të jetojnë pa të...Këtu në Lazarat të gjithë e provojnë shijen e gjethes së djegur të bimës së tyre dhe po ashtu, qetë, dëgjojnë Bob Marly-n tek i bën jehonë cigares-mariuanë.

2007

Gërdec, mallkim i hershëm


Kohë më parë dikush u ka treguar se emri Gërdec vinte nga një sëmundje e vjetër, që edhe të shëmtonte. Nuk e kishin besuar! As se, Gërdec është një mallkim i vjetër. Sot e besojnë të gjithë banorët e këtij fshati! E tregojnë në netët e lagështa, teksa rënkojnë para mureve të rëna. Kërkojnë të dinë më tepër për të, përbri themeleve -rrënoja, ku derdhën gjak e mund. Ishte një sëmundje, ishte dhe një mallkim. Sa kohë duhet të kenë kaluar, kur thuhej "të ka zënë Gërdeci" dhe sa kohë para të mallkonin "të zëntë Gërdeci"? Askush nuk e mban mend. Mallkimi ishte aty, është me ta, e do t'i ndjekë pas... Kështu besojnë të gjallët, pas tragjedisë së 15 marsit në fshatin Gërdec, ku shpërthimi i një depoje municionesh mori 26 jetë dhe la gjysmë të gjallë me qindra të tjerë. La jashtë pa rrugë e dëshirë me mijëra qenie, deri dje udhëtues në atë të quajtur Jetë. Sot, aty dëgjohen rënkime. Dikush ende thërret nga thellësia e gropës së zezë, hapur si gojë e së keqes. S'dihet dhe për sa kohë... Gjurmë gjaku të miturish sheh kudo. Edhe të kërcitura kockash të mallkuara, dëgjon. Paniku ecën në një hap me ty. Të ndjek ngado futesh, mes-përmes egërsirës në gjysmë-gjumë. Mortja ka marrë pamjen e njeriut dhe njeriu atë të mortjes. Kështu është sot në Gërdec, aty ku thuhet se fshati ka emrin e një mallkimi të lashtë....
Banorët e fshatit pas luftës nuk e kujtojnë më ëndrrën e shqiptarëve, për t'iu afruar më shumë botës së qytetëruar. Madje nuk kujtojnë asgjë nga ajo kohë vizionesh. Si në amnezi, kërkojnë një hale dhe pse aty bie veç erë e keqe. Pranvera në Gërdec erdhi e përgjakshme dhe shpendët e zinj, çjerrshëm kalojnë mbi kokat e të mbeturve mbi tokë. Sikur të mos ndodhte ai shpërthim, Murat Sela do të vazhdonte të shtonte dhe një kat shtëpi, do martonte të bijën 18 vjeçe. Po mbase do të kishte kohë të pushonte drekave pas buke. Gjallë, bashkë me fëmijët e gruan, nuk di ç'të bëjë me paratë që i dhanë pasi "hapi dyert vdekjes". Fle ballë përballë me hënën, prek ftohtë fëmijët e zbuluar, ofron këmbët tek thembra-lëvore druri të së shoqes dhe "tretet" në hapësirë.
"S'do të rri më këtu, pres të më japin dhe pjesën tjetër të parave dhe do të iki larg. Aq larg sa mos të ndjej më në hundë erën e zjarrit që shkriu njerëzit-skllevër, të cilët mbushën xhepat e milionerëve me pushtet, e pa pushtet", thotë ftohtë, 50 vjeçari Sela. Ky burrë mendon se nuk ka çfarë të bëjë më këtu, në Gërdec. Ishte në Shkodër, kur u njoftua për shpërthimin që i rrafshoi shtëpinë. "Nuk kisha gjak në trup, nuk merrja frymë, kam ecur me këmbë e duar. Kisha fëmijët dhe gruan. Falë zotit i gjeta gjallë", thotë ky njeri, që nuk di ç'të mendojë më parë, nëse ishte me fat, apo fati e treti në mes të rrugëve. Nuk beson asgjë nga ato çka thuhet e përcillet prej TV-ve dhe gazetave. Jo vetëm kaq, por nuk do të dëgjojë për politikanë e pushtetarë. Hakmarrja po e lodh më tepër se trupi i pamundur. "Ata na vranë, tani na mashtrojnë. Ç'të bëjmë më, në këtë tokë të mallkuar?", dhe pret orën kur do të ikë...Sela nuk është i vetmi banor i gjallë, pas "Hiroshimës shqiptare", që do të "arratiset" përmes natës gërdeciane. Të tjerë, me plagë që ende u rrjedhin, duan të lënë pas gërmadhën, që u la veç shpirtin me dhimbje. Nga mendja nuk do t'u hiqet ai vezullim vrasës. Nuk do të harrojnë se si u vranë, u shkulën, u njollosën, u dhunuan pse ishin të varfër dhe të turpëruar dhe vdiqën duke ngrënë barut.
Ka kaluar një muaj nga dita kur kryeministri i fshatit të vdekjes, premtoi ringjallje. Kjo nuk ndodhi. Mjerimi zë vend në atë çfarë mbeti pas 15 marsit. Banorët e fshatit Marqinet 1 shkojnë çdo ditë për të parë shtëpitë e rrënuara me shpresën për t'i riparuar. Fill pas ngjarjes, kryeministri Berisha tha se brenda 30 ditëve, jeta në fshat do t'i kthehet normalitetit. "Shikoni përreth, çfarë ka këtu që të quhet normalitet. Ne jemi të rrethuar nga gërmadhat, pa ujë, pa drita, jashtë në mes të shiut", thotë Shpëtim Hoxhaj, një i mbijetuar i tragjedisë së Gërdecit. " Isha në banesë, kur plasën predhat. Mora fëmijët dhe ika me vrap", tregon burri, tek rri ulur në cep te murit rrethues të shtëpisë, si të ishte një shpend i trembur. Ai ka frikë, ka frikë edhe të flasë...
Paratë që i janë premtuar për rindërtimin e banesës, nuk i ka marrë të gjitha. "Shtëpia ime kushton më tepër se 25 milion, më kanë dhënë vetëm 10-të. Po pres se na kanë premtuar", thotë ai me gjysmë zëri dhe sheh rrotull, a thua se dikush po e përgjon. Janë të shumtë ata banorë këtu në Marqinet e në Gërdec, që ankohen për vlerën e parave që iu është premtuar nga qeveria. Çdo ditë, pasi vështrojnë gërmadhat, marrin rrugën drejt bashkisë në Vorë. Herë i presin, e herë dyert i gjejnë mbyllur. Atëherë, iu duhet serish të shkojnë tek vendi, që u kujton se dikur kanë pas identitet. Ndezin një zjarr me ashkla të nxjerra nga trarët e thyer dhe sërish udhëtojnë përmes pasigurisë...
Pas Gërdecit gjithçka ndryshoi. Ndryshoi koncepti ynë mbi lirinë, mbi demokracinë e atyre që nuk kujtojnë miliardat e fituara me gjak fëmijësh. Gërdeci dhe viktimat e tij na treguan shumë. Na kujtuan se s'jemi askund dhe se kishim rënë në kurthet e dëlirit. Mbase, Gërdec quhej mallkimi i lashtë...
16 Prill 2008

Në Vain, aty ku kërkohen eshtrat e Remzi Hoxhës...


Të vjetrit, shfletues librash, tregojnë se, Konti Ciano, dhëndrri i Musolinit, gjuetar i zoti ishte i dhënë pas vendit të quajtur Vain, në perëndim të Lezhës. Aq shumë e dëshironte, saqë edhe kur i nevrikosur vraponte për të vrarë insektet e shpifura, mendonte se si të pushtonte Shqipërinë. Edhe sot gjuajnë në këtë vend me 2200 ha, nga të cilat 200 ha janë mbuluar me bimësi pyjore, 1900 ha sipërfaqe ujore dhe 100 ha tokë bujqësore e urbane. Rezervati i Kune-Vainit është cilësuar si rezervati më origjinal, më i bukur dhe një ndër më të pasurit e pellgut të Mesdheut, edhe pse gjahu i rosave ka rënë. Mbase, për të të treguar një tjetër gjueti, atë të njeriut...
Tabela, që të lajmëron mirëseardhjen e rezervatit, vazhdon të jetë ndanë ndërtesave të betonuara. Polici i pyllit ngre traun me përtesë. Temperatura e lartë ka filluar. Rruga përmes bimësisë, ku makinat këmbehen me vështirësi dhe shoferët shihen sy më sy nuk është aspak e qetë. Kafzhëzat që lanë pas dimrin janë zgjuar. Specie të zakonshme kanë dalë nga zgavrat, pelikanët janë zhdukur dhe çafkat nuk shihen më. Kultivimi i fazanëve me metodën franceze është harruar.
Gjithçka ndryshe. Njerëzit përreth të ngrysur psherëtijnë për mbijetesë. Nuk ka peshkatarë, ka terroristë peshku. Vaini po braktiset, ka vetëm kashtë, kallamishte e njerëz që kërkojnë varre. Magjia e Lagunës është prishur...Për t’u futur në thellësi të Vainit duhet pak kohë. Mes zhuzhurimës të gjallesave në fshehtësi, pluhurit të rrugës, kërcitjes së gurëve, kujtojmë copëza historish të frikshme në këtë vend. Edhe para 90-s, ku këtu ishte ndaluar rreptësisht hyrja për masën dhe shkelej vetëm nga paria e pushtetit; të fshehta të thella thonë se u groposën. Banorët sot kanë humbur kuriozitetin. “Në këto vite shumë varre janë kërkuar këtu, edhe djemtë e Mehmet Shehut erdhën e gërmuan, edhe ata të Luigj Kodhelit ...”, kujton Luigj Cali. Ky burrë me mimikë të çuditshme, tund kokën në shenjë mohimi, si për të thënë “di shumë ngjarje që kanë ndodhur këtej pari, por nuk më duhet gjë....”. Po t’i njohësh mirë, fshatarët lezhjanë janë shumë kuriozë, por ecin si moskovitë. Fshehin egërsisht inferioritetin dhe po më këtë “armë”, me raste, të bëjnë të ndjehesh keq. Të rrinë larg nëse “nuk u shërben për gjë...”. Dhe pse nuk iu intereson kanë dëgjuar për biznesmenin Remzi Hoxha, për torturat në godinën e SHIK-ut që ndodhet në mes pyllit, pranë bregut të detit, jo shumë larg lokalit të Diellës, gruas 55 vjeçe, së cilës ende nuk i ka ikur buzëqeshja prej naiveje, atje ku të gjithë racat e shoqërisë janë takuar të paktën njëherë. Pranë godinës së sekreteve ndodhet një repart ushtarak. Nuk ke kurajo ta shikosh qetë ndërtesën e heshtur, e mbuluar me gjethe. Pak më larg, një urë e vogël me drunj të çon në një kasolle në mes të ujit. Aty sheh burra të vegjël në trup që kontrollojnë të pakënaqur gjahun e natës. Mbledhin ngadalë rrjetat dhe shfryjnë për përdorimin e dinamitit në det. Janë të paktë peshkatarët, të cilët vazhdojnë dalin çdo mëngjes në det dhe përherë me shpresën për të kapur ndonjë peshk të madh. Në pyll, era e detit sjell zërat e rinjve në bregun jo shumë larg këtyre pak objekteve. Plazhi është i zhurmshëm këtë të Shtunë.
“ Një miku im më ka treguar se ai maqedonasi me dy të tjerët u torturua pa pushim, edhe me hekur të nxehtë... Makina nga Tirana vinin e iknin pasditeve vonë. Dikush duhet t’i ketë dëgjuar ulërimat e dhimbjes, por këtu askush nuk flet...”, thotë peshkatari me vështrimin lart, i shqetësuar për pulëbardhat në fluturim, të cilat nuk gjuhen se bien era peshk. Fëmijët në breg, të pafajshëm luajnë, hidhen e kërcejnë. Është kohë dreke dhe nënat duan t’u japin bukën e marrë me vete. Një çift të rinjsh ka guxuar me tepër, pasi vjedhurazi janë ngritur prej rërës së nxehtë. I kanë hedhur krahët në qafë njëri-tjetrit dhe futen në thellësi të pyllit, larg vështrimeve. Pak më tej këmbëve të tyre, një trup i gjymtuar, me kokë të enjtur ose pa kokë fare, me gjoks të çarë e shpërfyturuar, mund të jetë groposur. Për këtë po zhvillohet një gjyq në Tiranë. Të akuzuar, në arrest shtëpie janë ish zyrtarë të lartë të shërbimit sekret në vitin 1995: Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Ilir Kumbaro, Budion Meçe. Eshtë e tepërt t’u flasësh atyre të rinjve në pyll për një fat të tillë, të dikujt që nuk i gjendet varri.
Remzi Hoxha mund të ishte kënaqur këtu në Vain, nëse fati do t’i servirte mundësi ndryshe nga ajo e ditës së fundit për të. Ai, bashkë me dy të tjerë; Ziso Kristopullin e Ardian Loshaj, u morën në rrugë për t’u dërguar në mes të pyllit, në Vain, aty ku nuk ka vesh. Dëshmitë thonë se nuk doli më prej aty. “Nëse e gjitha do të jetë kështu, aty duhet të jetë edhe varri i tij. Nuk kanë patur pse ta nxjerrin të vdekur prej këtej dhe ta hidhnin në një vend tjetër. Shiko se si është këtu në Vain, tokë pa fund, kënetë, det, lum, pyll...”, thotë burri që më në fund ka ngarkuar në motorin e tij të vogël peshkun e zënë gjatë natës. Ai do të dalë në fshatin Ishull dhe nuk do të ndalojë askund për ta shitur. Thotë se ka kapur aq pak, sa i numëron me kokrra dhe e gjithë porosia është blerë me telefon. “Aty është një varrr”, thonë fshatarët. Duket se për ta nuk është asgjë e papritur. Janë mësuar me kërkues varresh këtej pari. Sot, nuk kanë dëshirë të flasin apo të tregojnë, se cili ishte qëllimi i ish-punonjësve të SHISH për zbulimin e mistereve të së kaluarës në lagunën e Vainit. Por, banorët përreth thonë se, pas vitit 1997- të nga shteti (në këtë rast njerëzit e SHISH) është treguar interes për të gjetur varrin e dikujt. Më ekzaktësisht askush nuk di gjë, pas gjatë viteve 97- 98 ka pasur kërkime dhe për eshtrat e dikujt. Një fshatar në Vain mban mend se, disa herë radhazi ka parë grupe njerëzish që pyesnin dhe banorët përreth për histori të së kaluarës. Copëza historish tregohen nga fshatarët me kuriozitet, ndaj dhe edhe ke endje ti degjosh…

Ikim...
Në këtë mbrëmje, kur dielli mbërrin takimin me detin, lëmë pas godinën e mistershme. Duket sikur prej andej vijnë zëra që të ndjekin nga pas, deri larg në dalje të Vainit. Në mendje janë ata peshkatarë, Luigji, fëmijët, çifti por, edhe rënkimet. Eshtë koha kur të gjithë duan të dalin prej andej. Edhe zonja e bukur e lokalit më të dëgjuar në Veri; Diella. Ka përcjellë me buzëqeshje klientët që u ka servirur peshk me shije ndryshe, shpezë që vështirë të jenë të Lagunës dhe nxiton të lërë pas atë ishull. Kur mendon për varre pa emër, ky pyll, kjo rrugë, shkurret me aromë mbrëmje, rezervati, kërcitjet e pemëve të kallin frikën. Joshja e bregut të detit në paqe, të freskët, shpejt u harrua. Eshtë muzg. Kalaja e Lezhës duket fare pak...

18 Maj 2008

Aty ku femra shitej 500 marka



Zona ka vite që është pastruar, nuk ka më femra, na thotë një oficer i antikrimit në Shkodër. "Ajo kohë mendoj se ka ikur. Shumë u vranë, disa u burgosën, të tjerë sot radhiten tek Vipa-at e parave", vazhdon oficeri, një djalë me origjinë nga veriu.
Në fakt ai dhjetë vjet më parë ka qenë në bankat e shkollës, por i kanë treguar dhe di për atë çfarë ndodhte në Bajzë, vetëm pak kilometra larg qytetit verior, Shkodër.
Historinë e vendit ku, femrat e sjella nga trafikantët këtej kufirit të Shqipërisë, tregtoheshin si bagëtitë, e dinë thuajse të gjithë banorët e këtij vendi me ajër të pastër dhe vila të sistemuara bukur, ndërtuar me herët se në çdo territor tjetër. "Ajo çfarë nuk mund ta mendosh kurrë, ka ndodhur këtu", thotë një grua, banore e komunës së Bajzës. "Femrat viheshin në radhë njëra pas tjetrës dhe detyroheshin të ecnin lakuriq për t'u parë nga blerësit. Iu shikonin gojën, dhëmbët, trupin, këmbët", thotë ajo. Pasi na nguli sytë e ftohtë dhe të ashpër, ashtu siç dinë të shohin gratë në veri, shton: "Trupi i tyre ishte taketuke duhani për kriminelet...". Sado të përpiqesh të largosh nga mendja ato çfarë thotë gruaja përmes idesë se janë vetëm copëra historish fshati të përcjella gojë me gojë, mbërthehesh nga dridhmat dhe paniku. Dhe, pse me shqetësim vazhdojmë rrugën drejt vendit me rrëfime rrëqethëse, jo në kohën e mesjetës, por vetëm pak vite më parë.
Udha e re, lë pas Koplikun dhe vazhdon deri në kufi me Malin e Zi. Prej kësaj pike, në çdo orë të ditës zbarkonin automjete të ngarkuara me skllave të mishit të bardhë. Sot, femra e huaja dhe vendase, lëvizin lirshëm dhe qetë në dy anët e kufirit, edhe pse iu duhet të kenë pak punë me punonjësin e policisë në pikën kufitare. Është më pak se një orë rrugë, e cila shtrihet këndshëm në mes ndërtimeve luksoze në këtë vend, ku të paktë janë ata që banojnë në ekonomi të fortë. Ndërsa vazhdojmë të ecim, "njeriu i antikrimit" tregon me dorë njërin prej lokaleve rresht në dalje të Bajzës. "Kjo ka qenë një ndër bazat më të forta. Përllogaritet se çdo natë në këtë zonë futeshin rreth 30 femra. Kjo ka ndodhur tre katër vjet me radhë", tregon ai. Hedhim vështrimin fshehurazi pranë lokaleve, në përpjekje për të diktuar nëse ka mbetur ndonjë gjurmë nga ajo kohë. Tek-tuk ndonjë burrë, e më rrallë femra hynin e dilnin nga ambientet, që mesa duket nuk e kanë më "shkëlqimin" e dikurshëm. Në një prej ambienteve shohim një grup burrash, që duken të paqethur mirë, tymosin qetë në territorin e tyre. Të gjithë të veshur me rroba të errëta ndjekin vjedhurazi lëvizjet e të sapoardhurve. "Secili prej tyre duhet të ketë qenë dëshmitar i historive mizore që kanë ndodhur në këtë vend", thotë njeriu i shtetit. Por të gjithë dukeshin krejt të pafajshëm...
Historitë e shumta mbi vendin, ku femrat shiteshin si lopët, na tërhoqi të vinim në Bajzë, për ta parë sot këtë copë tokë, ku mbërrinte karvani i vajzave të vendeve të lindjes, për t'u hedhur më pas në tregun e prostitucionit në perëndim. "Deri ditën që u largua dhe femra e fundit, askush nuk mund të fliste me gazetarët për këtë gjë", thotë shpejt gruaja që dukej se vetëm frikën nuk e njihte. Nuk kuptohet nëse në atë kohë për të ka qenë e thjeshtë, apo e zakonshme të jetoje me ato histori të ashpra. Nuk mund të dimë nëse një i afërmi a i njohuri i saj, mund të ketë qenë edhe protagonist i procesit të tregtisë "shtazore". Megjithatë, do të mbetet vetëm kuriozitet. Bajza është një vend që të krijon idenë e lirisë, ndërsa sheh në largësi. Edhe para se vitet të tregonin ndërrimin e sistemit, aty njerëzit kanë kaluar midis kufijve. Sot, nuk ka shtëpi pa emigrant. Këta të fundit njihen kudo si më të kamurit . Dhe pse në mungesë, ata shpenzojnë shumë për banesa e për luks të kopjuar. Politika i ka ndarë bajzjanët në dy kampe, kurse tradita e hakmarrjes vazhdon më shumë se dikur. Shumë prej tyre kanë marrë hak për ngjarjet e së kaluarës, edhe pse kanë ndodhur para disa brezash. Në 15 vitet e fundit shifrat e antikrimit numërojnë dhjetëra vrasje për gjakmarrje.
Në Bajzë thonë se "mund ta gjesh atë që kërkon". "Ka shumë agjentë, por nëse do një armë e blen, nëse do hashash e gjen…", nisi të numërojë disa artikuj të ndaluar gruaja, që mesa duket nuk jeton pa informacion për vendin e saj. Ashtu si shumica e të huajve vizitorë në Bajzë, arsyet lidhen me qëllimin për të parë nga afër këtë vend që rrethohet me fushë e mal, ku thuhet se vera e prodhuar nga vendasit ka kapur edhe tregjet jashtë kufijve. Por kulmin e vizitave nga të huajt e ka pasur kohën kur vinin vajzat e bukura…

05 Mars 2008

Kurthi i torturës

Një gruaje i duhet të lindë djalë për burrin. Një fëmije i duhet t’i bindet babait tiran; një të dënuari t’i ulë kokën policit; opozitarit të ruajë jetën nga shteti; i varfëri t’i nënshtrohet të pasurit... Shoqëria shqiptare është e zënë në kurth nga dhuna dhe tortura. Shembuj më klasikë janë rastet e bëra publike, si rezultat i dhunës shtetërore, si: Torturimi i Remzi Hoxhës dhe shokëve të tij, rrahja e gazetarëve në 97-n, deputetëve etj. Informacionet nga OJQ-të ndryshme, statistikat e organizatave të huaja, të policisë dhe gjykatave tregojnë për dhunë kolektive. Sot, në vendin tonë, në tre gra, njëra torturohet. Me qindra fëmijë rrezikojnë të kthehen në dhunues, për shkak të konflikteve familjare. Një e treta e popullsisë dhunohet për shkak të varfërisë në mbijetesë. 30 vajza në ditë i nënshtrohen kushteve të prostitucionit. Mbi 500 mijë shqiptarë përjetojnë sëmundje mendore, si pasojë e tranzicionit të gjatë. “Problemi i dhunës ndaj grave është një problem serioz, sidomos në Shqipëri. Vetë qeveria botoi një studim në nëntor të 2007-ës, sipas të cilit afërsisht një e treta e grave kanë qenë pre në një mënyrë apo një tjetër e dhunës në familje dhe statistikat tregojnë se numri i rasteve të dhunës në familje në shtëpi është në rritje.
“Ishte në rritje në 2006, 2007 dhe po ashtu në gjysmën e parë të 2008”, tha për BBC, Sebastian Saam, studiues për Shqipërinë në Organizatën Amnesty International në Londër. Fillim qershori të 2007-ës, qeveria aprovoi ligjin çivil për masat kundër dhunës në familje. Në shoqërinë tonë ende patriarkale stimulohet dhuna. Në zona të ndryshme vazhdojnë rregullat kanunore, që nxisin keqtrajtimin ndaj gruas, duke e bërë atë pronë të burrit. Ky i fundit ka të drejta dhe është i plotfuqishëm ndaj gruas, deri në torturimin e saj. Komiteti për të Drejtat e Fëmijës i OKB-së, ka konstatuar pretendimet për keqtrajtimet dhe përdorimin e papërshtatshëm të forcës nga ana e punonjësve publikë, në veçanti ndaj fëmijëve; si në ambientet e paraburgimit nga policia, në burgje dhe në institucione të tjera, ku fëmijët janë nën kujdesin e shtetit. Abuzimi i fëmijëve, duke përfshirë abuzimin seksual, sipas raportit të Departamendit të Shtetit Amerikan është i kudondodhur, por raportohet rrallë. Vetëm për vitin e kaluar u deklaruan mbi 30 raste krimesh seksuale kundër fëmijëve. Statistikat e Komitetit të Kombëtar i Pajtimit tregojnë se deri 150 fëmijë janë të rrezikuar nga gjakmarrje që prekin familjet e tyre; 50 prej tyre jetojnë në rrethana veçanërisht të rrezikshme.
Dhunë ka atëherë kur një person madhor kryen çdo veprim ndaj një personi tjetër, pa dëshirën e këtij. Llojet e dhunës janë: dhunë emocionale, dhunë fizike, dhunë psikologjike, materiale, seksuale dhe financiare. Psikologët mendojnë se krahas problemeve ekonomike dhe mungesës së formimit, dhuna vjen edhe si shkak i modelit të trashëguar nga anëtarët e tjerë të familjes, edhe si pasojë e martesave të palumtura. Bazuar në studimet e specialistëve, shkaqet e dhunës janë të shumta; gjendja ekonomike, dhuna e trashëguar nga prindërit, arsyet sociale, gjendja e vështirë ekonomike, mentaliteti, sëmundjet mendore etj.
Studiuesit kanë arritur në përfundimin se dhuna psikologjike është e njëjtë me atë fizike. Rreziku më i madh është për ata fëmijë që jetojnë në familje dhe ambiente konfliktuale. Psikologë anglezë kanë dalë me konkluzionin se torturat fizike te të burgosurit japin të njëjtat pasoja afatgjata, siç jep një përdhunim apo keqtrajtim fizik. "Një ndryshim mes torturës dhe trajtimit poshtërues nuk është vetëm i pavlerë, por edhe i rrezikshëm", ka folur për media të ndryshme ndërkombëtare psikologu Steven Milesm, profesor në Universitetin e Minnesota-s. Edhe në pasojat afatgjata psikike, shkencëtarët nuk kanë gjetur asnjë ndryshim thelbësor mes torturës fizike e asaj psikologjike. Ndërhyrja në jetën normale të një njeriu, siç është izolimi, pengimi i mundësive, kërcënimet, kanë të njëjta pasoja me ato të viktimave të dhunës apo të abuzimit fizik. Ata kanë të njëjta sintoma; dhimbje fiziku, panik, humbje të ndërgjegjes etj. Shkencëtarë anglezë të drejtuar nga psikologu Dr. Metin Basoglu i "University of London", arritën në konkluzionet lartpërmendura pasi realizuan një eksperiment me 279 viktima të torturës dhe dhunës nga luftërat civile në ish-Jugosllavi.
Nën regjimin komunist tortura dhe format e keqtrajtimit praktikoheshin gjerësisht, veçanërisht ndaj të dënuarve politikë. Më ndryshimin e situatës ka ndryshuar vetëm forma e dhunës dhe e torturës. Raportet tregojnë se shpesh ka shkelje të parimeve dhe dispozitës kushtetuese lidhur me torturën, dënimin ose trajtimin mizor, çnjerëzor ose poshtërues. Në sistemin para 90-s, genocidi ishte sistematik, përmes strukturave të makinës së diktaturës, burgjeve, kampeve të punës, sekuestrimit, internimit, depersonalizimit.
Burgu në diktaturë ishte ferri. Zyrtarisht kapaciteti i vendeve në burgje dhe kampe ishte rreth 3000 persona, kurse numri i tyre çdo vit e kalonte pesë mijë. Aktualisht, sot në burgje janë 5 mijë vetë, ndërkohë që kapaciteti është nën këtë shifër. Komiteti i Helsinkit raportoi në ditë më parë për dhunë në paraburgim dhe në qelitë e burgjeve. Të dënuarit u nënshtrohen dhunës fizike dhe asaj psikologjike të forcave me uniformë .
Shekulli 20 u cilësua periudha më e dhunshme në historinë e njerëzimit. Në raportin e UNICEF, rreth 191 milion njerëz humbën jetën në mënyrë direkt apo indirekte, si pasojë e konfliktit, dhe më shumë se gjysma e tyre ishin civilë. Në vitin 2000 më shumë se 300 000 persona vdiqën në konfliktet me dhunë. Shkalla lëvizte nga më pak se 1 në 100 000 banor në vendet e pasura, deri në 6.2 në 100 000 në vendet e varfëra dhe vendet mesatarisht të zhvilluara. Afrika pati vdekjet më të larta si shkak i konflikteve të dhunshme, (32.0 në 100 000). Përveç mijëra viktimave në konflikte me dhunë, çdo vit ka një numër shumë të lartë të personave me lëndime fizike, duke i përshirë këtu ata me handikap të përhershëm apo të gjymtuar. “Tortura dhe përdhunimi gjithashtu përdoren për terrorizim dhe varrosjen e bashkësive, edhe pse është e vështirë të vërtetohet numri i saktë i personave, të cilët i janë nënshtruar keqpërdorimit të tillë. Shumë njerëz i fshehin traumat që i kanë përjetuar, kurse palët në konflikt shumë shpesh mundohen që t’i manipulojnë ose t’i fshehin dëshmitë për torturat dhe përdhunimet”, citohen faktet nga organizmat ndërkombëtare antitorturë.

2008

Vizat e shqiptarëve në “kafazin zoologjik” të PS

Për shkak të trajtimit të problemeve më të errëta, lehtësisht prezentë, ku është përfshirë jo vetëm shoqëria jonë, me politikën dhe politikanët shqiptarë kam marrëdhënie të thjeshta.
Në fakt sa herë ndaloj tek kjo çështje, më krijohet ndjesia e neverisë, si pas një darke, ku uria nuk shuhet prej çorbave të yndyrosura keq. Kështu më ndodhi dhe dje... Në transmetimin robotik të mediave elektronike lexova se “asnjë vend i botës nuk do t’i besonte Shqipërisë në lëvizjen e lirë të njerëzve....”. Zëdhënësi i lajmit, si tepër të tjerë, është një i përfshirë në këtë politikë shqiptare, afër kreut të Partisë Socialiste dhe krye-bashkiakut të Tiranës, Edi Rama. Nuk jam e sigurt, nëse ky i fundit ishte venë në dijeni më parë për deklaratën e lartpërmendur, por gjithsesi kjo nuk e përjashton nga përgjegjësia asaj çfarë dua të shpreh më poshtë.
Padashur të merrem me vogëlsitë e “lajmsit të keq”, dua t’i kujtoj se, për së pari; Evropa nuk shikohet me matësin e një plevice...e as me policimin e disa fshatarëve “rebelë” në Hajmel të Shkodrës, të cilët nuk dëshiruan Edi Ramën ta takojnë. Pasi, bazuar te njohja ime me popullin e atyre zonave, ka gjasa se të inatosurit, fshatarët, duhet të kenë nuhatur diçka se; për herë të parë në historinë e jetës dhe politikës së tij, Rama mësoi se një fshat bri malit që vetëtin, quhet Hajmel. E si rëndomë ndodh “tek ne shqiptarët”, për herë të parë kompleksohesh e turpërohesh, nëse një i moderuar, siç edhe është Rama, të shkelë në rrugët e bajgosura, të të shohë muret e myshkura nga përmbytjet e çdoditshme; t’i japësh dorën e lodhur, të paparfumuar, të shpenzosh fundin e thesit, që, gjithsesi fundon në gropë skeptike apo të terrorizohesh për apandesitët e njerëzve të partisë, kur në fshat jeton vetëm një veteriner i plakur. Nga viti që, në formë dolëm nga diktatura, votat e fshatarëve të atij vendi sollën në Tiranë, në parlament, mbi pesë burra që u veshën me kostumin e deputetit. Ndaj mendoj se Rama duhet të ndjehet mirë, që ata ditën të vlerësojnë këndvështrimin e tij për bujqit me tokë djerrë...Këta njerëz paskan filluar të besojnë në Zot; të mos fyejnë e të mos fyhen!...Gjithsesi, larg dhimbjes për Ramën e hajmelorët, dua të hipotezoj se, ditë e më shpesh vërejmë mungesën e boshtit të asaj çka në filozofinë dhe programin e vet ka Partia Socialiste. Dhe lidhur me “lëvizjen e lirë të shqiptarëve...” vrullshëm na përcillen deklarata dhe qëndrime të ndryshe, shpesh herë kontradiktore, prej njëshit dhe zëdhënësve të Partisë Socialiste, formacion politik ky, pretendues në opozitë. Pak kohë me parë në takimin me kryetarin parlamentar të Gjermanisë, Norbert Lammert, Rama foli për një Projekt- Rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë, në kuadër të pikëpamjes se Partisë Socialiste se Shqipëria duhet të aplikojë si vend kandidat për në BE, jo me vonë se vjeshta që vjen” . Jo shumë para këtij takimi, se “populli shqiptarët duhej të ishte në NATO”, Rama i priti dhe i përcolli diplomatikisht gëzueshëm ato ditë. Të tilla deklarata por, edhe të tipit që përmendem në fillim bëhen shpesh prej politikanëve të PS-së. Pa definituar, do të thotë kjo; mungesë institucionalizimi të asaj çka del nga dyert e socialistëve apo sforcim vështrimi deri në inferioret për shoqërinë shqiptare, pjesë e së cilës janë dhe 40 përqind të shqiptarëve që votuan PS-në në 2005-n, pa harruar faktin se mbi 75 përqind të kësaj shoqërie që trajtohet në inferioritet paguajnë taksat. Nëse do të kemi të bëjmë më mënyrën se si politikanët trajtojnë në inferioritet ata që u japin votën, shqiptarët, sa herë kalojnë aeroportin e Rinasit, çdo kush, edhe më i paudhi në shoqërinë tonë duhet të ndalet pak...Kjo temë duhet provokuar...; jemi inferior apo na drejtojnë frikacakët. Këta të fundit duan kohë të gjejnë pikën e kontaktit midis asaj çka janë dhe as çka duhet të bëjnë...ndaj me e rëndësishme është ajo çka gjenetikisht ne trajtohemi prej tyre. Në asnjë rast për sa kohë, prej 15 vitesh, në kontakt me informacionin intensiv; si sjellje e vullnetshme dhe jo e tillë, nuk kam dëgjuar; një diplomat, politikan, politolog e studiues truresh e gjenesh në botë të thonë se, “asnjë vend i botës nuk do t’i besonte Shqipërisë në lëvizjen e lirë të njerëzve...”. Ajo çfarë kam dëgjuar unë dhe mendjet e qarta, pavarësisht nga lloji i qeverisë në ketë vend, ka të bëjë me kërkesat e përsëritshme të BE-së, SHBA-së, apo deri dhe në nivele tryezash për të drejta të gjithhershme, ka të bëjë me zbatimin e procedurave themelore të një sistemi demokratik që pretendojmë se aplikojmë. Shqiptarët kudo janë parë si njerëz të rruzullit, të dalë nga një sistem diktatorial-mafioz, e që duhet të jetojnë sipas kodeve të së Drejtës!..Kurse për rastin i cili na detyroi të ndalemi, për politikanët e dalë nga vota jonë e që mendojnë se, “bota hamendëson kafaz zoologjik për shqiptarët” duhet të ndjehemi inferior.., inferioritet ky që do duhet kohë të shuhet....

08 Qershor 2008

edhe nje ligj per prostitucionin..


Në Babiloni dhe në Greqi (Korint) prostitutat e ashtuquajtura “të shenjta” jetonin në tempujt kushtuar perëndeshës Afërditë dhe pikturat murale të Pompeit tregojnë ato që ishin shtëpitë publike te antikitetit. Kurse për të fshehur fytyrën e keqe të prostitucionit, seksit të rrugës, parasë së pistë, Athina që ndërtoi Shtetin Modern dhe shoqërinë tregtare, krijoi për tregtinë e seksit, Dikterionet ( bordello).
Ishin ndërmarrje shtetërore, me tarifa sociale ku prostituonin skllave. Për këtë gjë legjislatori Solon u quajt gjatë “mirëbërësi i kombit”. Pas kësaj shteti ecte mbarë, burrat ishin të lumtur dhe femrat mbronin virtytet. Ishte shekulli i 6 para Krishtit: lindën shtëpitë e para publike….
Historia tregoi se dhe pas vendimeve ekstreme në vitet (418- 451), ku mbreti i Vizigotëve kërcënonte me vdekje tutorët, në 506 kur doli ligji “Kodi Alarik” i cili dënonte tutorët edhe prostitutat me kamxhik, ligj ky që vazhdoi gjatë dhe kur u ngrit qendra e parë rehabilitimit social “Metanoia” e cila ishte një dwshtim dhe pse kërkonte largimin e prostitutave nga kthetrat e tutorëve, bota nuk ndryshoi.
Tregtia e seksit vazhdon më se miri deri dhe në ditët e sotme. Rrugët janë të mbushura me meshkujt në epsh, me femra që kërkojnë të jetojnë prej gjinisë së tyre dhe me ata të fuqishmit që pasurohen çdo ditë. Në Shqipëri mënyrat e prostituimit kanë qenë dhe janë të shumta nga koha kur prishja e moralit dënohej me pushkë, te abuzimet që afronte sistemi para 90-s deri në ditët e sotme. Pse s’duhet të ketë një ligj e ta lejojë!?
Aktualisht në vendin tonë sipas policisë vetëm në Tiranë numërohen rreth 2 mijë femra të skeduara që ndjekin rrugën e prostitucionit, është i lartë numri i divorceve, kalon mbi 70 perqind numri i meshkujve të martuar në lidhje jashtëmartesore, gjithashtu i lartë numri i abuzuesve seksual, i lartë po kontingjenti i individëve me probleme mendore për shkak të mungesës së seksit. E paraqitur shkurt pjesa më negative që ka prekur shoqërinë shqiptare, një ligj për lejimin e bordellove vetëm sa do të ishte pak rregullator.

2005

Blinishti, fshati ku luten...






Tek ecin lehtë me trup të përkulur, pa rënkime dhe i ngjiten asaj pak tatëpjete për t’u ulur pranë faltores, kupton se ke hyrë në vendin ku njerëzit qetësojnë shpirtin para Zotit. Ata luten çdo ditë, bëjnë kryq sapo bie këmbana dhe prekin bukën. Në krah të djathtë të autostradës, sapo kalon Lezhën në drejtim të Shkodrës, shfaqet kisha e madhe. Dje ajo mori emrin e martirëve të vrarë në 45-ën. At Daniel Dajani dhe Padër Pasti kujtohen nga vendësit ditën e ceremonisë, me rastin e përurimit të kishës së re në fshatin Blinisht të Lezhës. Qendra e fshatit është e populluar, katolikët ngadalë futen në tokën e Zotit. Të urtë që nga lashtësia, këta banorë duket se nuk jetojnë asnjë çast pa besim. Në hyrje të kishës një memorial kujton ngjarje të frikshme. Emrat e gjashtë vajzave të vrara në trotuaret përtej kufijve, janë shënuar në pllakën e mermertë. Don Antoni Sharra është njeriu që në kujtim të atyre vajzave vendosi gurët e parë. Pas kësaj historitë rrjedhin dhimbshëm. Banorët kanë dëgjuar shumë, shumë më tepër se pranon një shpirt i lodhur. Shpesh të afërmit e viktimave marrin rrugën për në Blinisht. Me shpresën se një ditë do të gjenden, a mallin për të qarë diku, priten butësisht prej Dom Sharrës, burrit energjik, dhe pse vitet i kanë afruar të 70-at. Personazhi simbol i lëvizjes për paqen me fëmijët “Ambasadorë të paqes”, Këmbanën e Paqes të shekullit të ri të vendosur në qendër të Tiranës, është njeriu më i afërt për këta njerëz, që përveç besimit te Zoti nuk kanë gjë tjetër. I futur në jetët e tyre herët, pas ‘90-ës, solli te zadrimorët paqen shpirtërore, ngriti kultet, ku të rritur e fëmijë luten për ditë më të ngrohta në atë vend, që shtrihet si pllajë. Një ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, deputet i asaj zone, në emër të Presidentit i dorëzoi urdhrin e vlerësimit për nder të asaj që ky burrë bën për atë shoqëri të vrafër fshatare.

Vendësit nuk kanë dëshirë të flasin për atë çka ka ndodhur në emër të një jete më të mirë jashtë kufijve. Ka pak të rinj në Blinisht, por edhe në fshtrat përreth Zadrimës. Të zhytur në mjerim nisën rrugët e egra të emigrimit. Të gjithë bashkë, edhe vajzat. “Janë marrë nga dera e shtëpisë dhe s’u kthyen më”, thotë Marku, një burrë i vjetër. Ai flet ngadalë, mendon gjatë atë ç’mund të ketë ndodhur. “Shoh nënat të qajnë dhe puthin duart e Don Antionios. Ai është i vetmi që mund t’ju lehtësojë shpirtin”, shton ai. Ngritur mes gjithë asaj fushe të madhe, fshati kulmon rreth kishës. Duket si vatër ku mes lutjeve nis rrëfimi pafund i atij populli paqësor. Eshtë më tepër se e dhimbshme tek lexon në memorial për dinjitetin, për atë dinjitet ku shumë vajza shqiptare humbën jetën. Ka heshtje në atë vend, ku pika më e lartë tregohet me kulmet e mbulesës së kishave. Eshtë një kurorë e tërë besimi dhe njerëz që tërhiqen mundimshëm mes kujtimeve. “Do të kisha dashur të jetoja në këtë vend, ku lutjet mbretërojnë”, thotë Alma, vajzë e fshatit, që një ditë pas martese udhëtoi për në Itali. Eshtë një ndër ato qindra vajza, që jeta në rastin më të mirë i lidh me një ditë dasme dhe më pas me udhëtimin e gjatë larg vendit të saj. Heshtja duket se kërkon më tepër qetësi kur sheh pak të moshuar përreth, hapat e të cilëve nuk ndjehen dhe pse këpucët shkelin mbi gurët e hershëm. Antonio, bariu i të urtëve, i drejton në botën ku mëkatet falen dhe shpirti merr rrugën e përjetësisë. Ky është Blinishti, me pak zhurmë, me pak njerëz, me shumë lutje.Prifti ka vendosur të rrijë me ta deri në fund, të kapë fëmijët përdore dhe t’u tregojë se ky është vendi i tyre: “Ai duhet të ndryshojë”, u thotë urtë ai. Një grua tërheq me litar një derr, duket se po shkon drejt shtëpisë së saj për t’u ulur më pas e të nisë të flasë me Zotin.

Pak histori
Me coptimin e mbretërisë së Stefan Dushanit në 1345, tri familje të mëdha dominuan në rajonin midis Shkodrës dhe Lezhës. Ishin Balshajt, Blinishtët e Dukagjinajt. Blinishtët ishin guvernatorët e fushës së Zadrimës, afër Lezhës dhe qendra e tyre ndodhej në Blinisht, sot fshat me 1200 banorë. I pari i kësaj familjeje u emërua në vitin 1274 dhe ishte Vladi Blinishti. I radhitur kundër pushtimit të Karlit të Parë, mbret i Brindizit, u kap dhe burgos në Brindizi. E gjithë familja e Blinishtit humbet pasuritë, por kjo zgjati deri në 1305, kur nipi i Karlit të parë, Filipi i Tarantos, e fali dhe Blinishtëve u rikthehen tokat. Ai i dha nipit të Vladit, Guljelm Blinishti, gradën "Marshall i Arbërisë". Kjo familje nuk shfaqet më në skenën e historisë, për shkak se familje të tjera u bënë më të fuqishme. Emri i Blinishtit mendohet se mund të ketë prejardhjen nga një bimë që rritej në këtë vend "Blini". Komuna ka shtatë fshatrat e saj: Blinisht, Troshan, Fishtë, Piraj, Baqel, Krajën dhe Kodhel në veri-perëndim të Shqipërisë, në qendër të fushës së Zadrimës. Kjo trevë e Shqipërisë, një nga më të lashtat e Ballkanit, banohej nga fiset ilire. Banorët e zonës njihen me emrin "zadrimorë". Karakteristikë e tyre është urtësia, mikpritja. Në shekuj, kjo zonë ka nxjerrë figura të shquara; At Gjergj Fishta, Don Pjetër Zarishi, Atë Daniel Dajani etj.

2004

Shkodra në përballje me harresën...




Gropat e shumta në rrugën e vetme që të fut në Shkodër, të bëjnë të ndërrosh krenarinë e saj, me dhimbjen e mosndryshueshmërisë prej kaq kohësh të këtij qyteti. E njëjta pamje, së cilës nuk i kursej gjithë madhështinë që të ofron emri Shkodër, më shfaqet përzier me imazhin ndërtuar gabimisht... që të ngatërrohet në çdo pëllëmbë që shkel këmba...Një "dorë" i mungon qytetit në përballje me egërsinë e harrimit ose "kujtimit" të përgjakshëm, që duket se s'do të shkulet nga ato anë...
Askund më shumë se në Shkodër nuk duket e largët dita që; premtimet të realizohen, fjala e dhënë të kthehet në një vepër, çfarëdo, veç të shikohet diçka ndryshe. Para përshëndetjes unike të "shkodranit" që lajmëron hyrjen në vendin e tij, të shfaqet pamja e gërmadhizuar e qytetit. "Kalaja" sërish ka forcën e demonstrimit të qëndresës... Legjenda të imponon domethënien e saj shekullore, por kjo ndodh vetëm në momentin që, nga Buna ngre kokën.
Udha e mbarë se erdh pranvera/shko, dallëndyshe tue fluturue/ prej Misirit n'dhena tjera/ fusha e male tue kërkue;/ n'Shqipni shko, pra, fluturim/shko në Shkodër, n'qytetin tim/. Artur Dashi si ka harruar vargjet e Filip Shirokës, që me mall nga Misiri i largët i shkruante qytetit të tij, Shkodrës. Tek belbëzon në kujtesë, nostalgji e dhimbje trembet për të ardhmen. Larguar prej vitesh në Angli e sheh qytetin e si një bishë në lëngim. Thotë se, fëmijët do ta harrojnë Shkodrën, do të vijnë e do të ikin pa u kthyer pas. Do të pranonte të shkyente këpucët, a të çante gomat e makinës në ato zgavra gojë kafshësh të ngordhura, të baltosura, por s'do kishte guxim ky baba, të merrte djalin 12 vjeç e prej dore ti tregonte rrugicat e qytetit të tij. Nuk do behej aq trim e ti thoshte të birit, dil e luaj me shokët, se unë jam këtu. "Banorët e vendit tim, mik të ngushtë kanë armën, kjo është e frikëshme", pohon burri.
Vetëm për një muaj, policia e Shkodrës kreu 36 arrestime, të gjithë të armatosur. "Eshtë një shifër skandaloze, çdo ditë shoqërojmë individë të tillë, ky është problem serioz. Edhe nëse do të vinin një polic, për person nuk do të arrinim dot çarmatosjen", konfirmon Drejtori i Policisë së Shkodrës Ahmet Prençi. Ai konstaton një popull të frikësuar dhe të egër, që hyjnë lokaleve, udhëtojnë a luajnë bixhoz me armë në brez. Duket shumë për një vend kaq të lodhur. Shfaqja sjell karvanin në udhëtim drejt vdekjes dhe armikun, si hije pas mureve të myshkura. Prençi mendon se shkodranët, nuk mund të shkëputen nga e kaluara dhe armatosja, është pjesë e saj.
Diku, vetëm pak metra larg nga ndërtesa e Prefekturës të thonë se, para pak ditësh u vra një njeri. Dëshmitarë nga ngjarja e asaj nate nuk ka, por dëshmohet njëherësh; frikë dhe siguri e pjesëshme. Vrasja e një personi kishte kthyer në Shkodër shpërblimin, që të jep arma e përgjakur, e ndihmuar kjo nga përdhosja e ligjit, e njerëzve që kanë të drejtë ta ushtrojnë atë. Ai u vra vetem pak muaj pasi doli nga burgu. Dy gjykatës e dënuan tre vjet dhe rruga e hakmarrjes nuk do të ndalet.
Dilemat mes së mundurës dhe asaj çka afron pamundësia e shumëfishuar, me sa duket dominojnë ekzistencën e qytetarit shkodran.
Ndryshe mendon ish- prefekti i Shkodrës Gjergj Liqejza. I bindur se nëse do të ndodhte, do ishte banori i fundit i ikur prej Shkodre, thotë se bashkqytetarët e tij nuk janë ndëshkuar nga mungesa e shanceve. Për të, qeverisja keqas dhe fodullëku qenior, lënë pas qytetin. Ambicioz në planet e tij, Liqejza e sheh shqetësimin në aspektet administrative dhe emancipuese, ndaj mendon se një ditë, Shkodra nuk do të shfaqet me uri.
Pa frymarrje, ndjen se do të jetë ky vend një pushtetar i tanishëm. Ai ia vë fajin mënyrës, se si banorët interpretohen në ditët e sotme. "Gjithkush pret nga politika, pak kush nxitet dhe futet në rrjedhën e kërkesave për më shumë", shton ai. Por përqindja më e madhe, e banorëve shkodranë mendojnë të kundërtën. Besojnë ekstremisht se politika ka qenë shkaku i së keqes. "Si ata edhe këta, që erdhën asgjë nuk po bëjnë për Shkodrën, ne vazhdojmë të zvarritemi për mbijetesë", thotë Diana. Kjo grua s'ka besim, nuk pret, por tregon se do të vazhdojë të shesë beze në fushë, (në treg), derisa kembët ta udhëheqin në atë drejtim.
Qyteti zhurmon bosh. Kalimtarët shfaqen në qënie të papërgjegjëshme para mjeteve të çmendura që lehtësisht, kapërcejnë kryqëzimet pa semofaorë. Fëmijë me biçikletë, femra të mbeshtetura pas krahut të burrit, kryejnë zikzaket pa vend dhe e gjithë hapsira shkodrane i përngjason një pazari indian tek këmbehet mëndafsh me syze-sakafando dielli. Kurse ata "pesë herojntë" janë të vetmit dëshmitarë në heshtje, mes atyre mori zërash të çierrur.
Të vërtetat që përcjell ky qytet, nga tragjeditë e parë dhe të fundit, që për shkak kanë hakmarrjen, krijon amullinë së cilës nuk i shmangesh dot edhe nëse je vizitor krejt i rastësishëm.
Përballjet me realitetin, që askush nuk ka dëshirë ta "shohë" në sy, sfilisin deri në skajet e së nesërmes. Duket se asgjë nuk ia premton Shkodrës atë të ardhëme ndryshe...përveç asaj që, shkodranët s'lodhen së thëni prej kohësh; "u intereson që, Shkodrën ta lanë kështu...". Këtë mundësi të vetme jetese, nën kërcënimin e vazhdueshëm të "gjakut", duket se Shkodra e ka pranuar si fatin e vet të vazhdimsisë.

2003

NEXHMIJE HOXHA GENJEN

Djali i Mehmet Shehut komenton librin e te vese se Enver Hoxhes "Miqesi e Tradhtuar"


Intervistoi: Anila Prifti

1.- Ka disa dite qe ne gazeten "Shekulli" po botohen pjese nga libri i Nexhmije Hoxhes "Miqesi e tradhtuar". A i keni ndjekur keto?

Po i kam ndjekur. Duke u nisur nga titulli mendova se ajo ka hequr dore nga varianti i agjenturave. Por jo, ajo i permbahet variantit se Mehmet Shehu ka qene agjent qe para se te hyje ne parti dhe ne levizje "Nacional-Clirimtare). Po te jete keshtu, atehere Enver Hoxha ka qene subjekt ndaj te cilit ka marre urdher te punoje Mehmet Shehu. Kaq naive eshte Nexhmije Hoxha sa te mendoje se mund te ekzistoje miqesi midis agjentit dhe subjektit? Apo ky eshte nje truk publicistik i saj per te shitur librin? Ne baze te permbajtjes se librit, ai mund te kishte pak a shume titullin "Karriera e nje agjenti ne udheheqjen e larte te Partise". Por me kete titull apo dicka te ngjashme, asaj nuk ia blen njeri librin, vetem ndonje qe eshte kurreshtar te shohe se sa ka lajthitur ajo, apo ndonje qe ka rrjedhur krejt, ose ndonje per ndonje studim johistorik. Prandaj, Nexhmije Hoxha zgjedh titullin "Miqesi e tradhtuar" per t'ju drejtuar anes emocionale te lexuesit. Por, ose Mehmet Shehu ka qene agjent i sherbimit te zbulimit amerikan dhe anglez qe para hyrjes ne levizje "i jugosllaveve dhe i sovjetikeve behet me vone dhe atehere nuk behet fjale per miqesi dhe as qe kishte mundesi te tradhtonte nje miqesi qe nuk ekzistonte), ose ai nuk ka qene agjent dhe atehere mund te behet fjale per miqesi, te tradhtuar apo te patradhtuar dhe nga kush.

2.- Nexhmije Hoxha thote se Enver Hoxha, me Mehmet Shehun eshte takuar vetem tre here gjate luftes. Dini gje nese eshte keshtu?

Po, eshte e vertete se Nexhmija thote se gjate gjithe kohes se luftes Enver Hoxha eshte takuar me Mehmet Shehun vetem tre here, heren e pare ne Labinot, pastaj ne Vithkuq dhe pastaj ne Permet ne Kongresin Antifashist Nacionalclirimtar. Po c'thote Enveri

"shkova ne Corrush tek shtepia e sh. Mehmet Shehu ku do rrija disa dite. me priten i ati, sheh Ismaili dhe nena e tij, Sulltana. .Iu pergjigja me kenaqesi nene Sulltanes dhe qe atehere une lidha miqesi te ngushte me te shtrenjten nenen e Mehmetit, te cilen e doja shume por edhe ajo me donte shume. Sapo kishim ngrene mengjesin kur erdhi Mehmeti. U perqafuam. Me Mehmetin biseduam gjate per ceshtjen e luftes dhe per gjendjen ne Mallakaster. Nga dreka erdhi edhe Hysniu ".

Nuk i di Nexhmije Hoxha keto? Jane te shkruajtura tek "Kur lindi Partia", shkruar nga Enver Hoxha, botimi i pare, faqe 422-428, te hequra ne botimet e mevonshme. Apo mendon ajo se ka ndonje lidhje magjike midis veprave te Enver Hoxhes dhe ngjarjeve reale, qe kur i fshin ky nga veprat, si me ndonje makine, me te cilen mund te shkosh mbrapa ne kohe e te zhbehen edhe vete ngjarjet. Ajo edhe mund ta shtoje takimin ne Corrush e te pretendoje se eshte nje harrese. Po kur per ngjarje kaq lehte te kontrollueshme ka pasaktesi, cfare garancie ka per saktesine e ngjarjeve apo shpjegimeve te tjera te cilat eshte veshtire te kontrollohen? Dhe pasaktesira ne data dhe shpjegime ka edhe te tjera ne ato qe kam lexuar tek Shekulli.

3.- Ne materialet qe ka botuar ne librin e saj Nexhmije Hoxha permend edhe nje leter qe Mehmet Shehu ia ka derguar majorit Ivanov aty nga fundi i luftes, me shume akuza ne drejtim te udheheqjes se Partise, Shabit te Pergjithshem dhe te vete Enver Hoxhes. Cfare dini lidhur me kete leter?

Ne hetuesi jam njohur edhe me kete leter. Ishte e daktilografuar. Me kujtohen shprehjet: " ai nuk eshte as nje Tito ne miniature" "per Enver Hoxhen), "ata jane nje klike, Enveri, Liria shume vete e kane paguar me jeten e tyre kundershtimin qe iu kane bere ketyre " . Eshte fjala per Liri Gegen.

Atehere me eshte thene se kjo leter i ka ardhur Partise aty nga fillimi i viteve 60, pas prishjes me sovjetiket, por udheheqja e Partise nuk e kishte besuar duke e konsideruar si provokacion te sovjetikeve. Tani u njoha me hollesi me rrethanat ne te cilat kjo dhe disa dokumente te tjera qe kane qene bashke me te kane rene ne dore te udheheqjes se Partise.

Logjikisht del pyetja: Kur u vleresuan gabim keto materiale, ne mesin e viteve 60 kur udheheqja e Partise nuk ishte nen ndonje presion dhe mund te gjykonte me koke te ftohte "te pakten sipas standardit te tyre) apo ne dhjetor te vitit 1981 kur ishte nen presionin e motivimit te shpalljes armik te Mehmet Shehut?

[Tani regjimi i Enver Hoxhes ka rene, ato qe shkruhen ne letren derguar majorit Ivanov " qofte kjo autentike qofte jo " jane te verteta dhe muame leverdis qe te them se letren e ka shkruar im ate. Por, ne baze te ketyre shpjegimeve qe jep Nexhmije Hoxha, te gjitha gjasat jane qe kete leter qe na paraqitet ketu te mos e kete shkruar ai.]

Nuk pashe qe Nexhmije Hoxha te shpjegonte se si u provua autenticiteti i letres drejtuar Ivanovit dhe i materialeve te tjera te gjetura bashke me te dhe as gjate procesit hetimor nuk kam pare nje prove te tille, qofte edhe formale. Apo keto materiale u hapen, u lexuan ne zyren e Enver Hoxhes, sic thote Nexhmija, dhe autenticiteti i tyre u provua automatikisht?

Hollesira te tjera, nese Mehmeti e ka shkruar kete leter me apo pa udhezimin e ndonjerit nga zbulimet " atij anglez, amerikan apo jugosllav " agjent i te cileve duhet te ishte ne kete kohe apo me udhezimin e te treve bashke, nese e ka shkruar me apo pa dijenine e ndonjerit nga keta zbulime apo te te treve bashke, nese e ka shkruar me dore si te gjitha letrat e kesaj periudhe apo me makine e per te tjera hollesi po i leme t'i diskutojme kur te vertetohet autenticiteti i letres.

4.- Nexhmije Hoxha permend edhe ngjarjet e vitit '48 dhe e nxjerr Mehmetin njeri te jugosllaveve

- Po, ajo i referohet pleniumit te 8-te, te cilin partia e saj e ka quajtur Pleniumi i zi dhe ngjarjeve menjehere pas tij. Po c'thote Enveri edhe ate dite qe Mehmeti shpallet armik " ne mbledhjen e KQ te 18 dhjetorit 1981? - "Mehmeti ne kete rast mbajti qendrim te mire, por edhe une me sa munda, qendrova ne kushte shume te veshtira." "Gazeta "Korrieri", Suplement, 22 korrik 2001). Pra Enveri mbajti qendrim jo me te mire se Mehmeti, por me sa mundi ... Dhe kete e thote ate dite qe Mehmeti shpallet armik.

5.- Nexhmije Hoxha ndalet gjate dhe e analizon me hollesi edhe nje ngjarje te vitit '53 kur Mehmeti eshte ne veshtiresi per shkak te disa gabimeve qe kishte bere. A mund te komentoni rreth kesaj?

Kjo eshte nje ngjarje qe ilustron me se miri se si funksiononte mekanizmi i pushtetit arbitrar dhe te pakufizuar te Enver Hoxhes qe mund te te coje ne pike te fundit te deshperimit dhe pastaj te te thote "Na Mehmet, drejtoje ti Shqiperine nja dy jave. Do te ta le edhe ca dite te tjera pas festave.".

Por kjo eshte ceshtje tjeter. Nexhmije Hoxha e sjell kete ngjarje per te provuar se Mehmeti ishte agjent se ndryshe nuk kishte se si te shpjegohej gjithe ai reagim i tepruar i Mehmetit. Nexhmija analizon me hollesi autokritiken e Mehmetit dhe jep vleresime rreth kesaj autokritike. Se cfare rendesie ka, se ne cfare menyre e ben autokritiken nje agjent, vetem Nexhmije Hoxha mund ta dije. Por mesa duket Nexhmija ka dy shtresezime ne tru, nje te para vjeshtes se vitit '81 ku Mehmeti nuk eshte agjent dhe nje shtresezim te mevonshem, ku ai eshte agjent dhe ajo nuk mund te ndertoje nje version koherent nga keto.

Por jo mesa duket, ka edhe nje seksion ne arkivin e shtepise ose ne tru per rastin nese Mehmeti vinte ne krye. Prej andej ajo ka nxjerre gabimisht skeden qe perdor kur pershkruan nje incident me delegatin grek ne kongresin e IV te Partise. Lidhur me kete ajo thote: "Delegati grek u be i padeshirueshem, 'persona non grata'. Si do t'i thuhej? U dergua M. Shehu. Vetem Mehmeti mund te gjente formen se si t'ia thoshte dhe e gjeti".

Elozhe te tilla nuk i jane bere Mehmetit as kur ai ka qene ne kulmin e tij, por duket Nexhmija do t'ia bente dhe kishte bere edhe skeden. Por a ka logjike qe ta pranoje kete se vetem Mehmeti mund t'ia thoshte grekut kete? Por Nexhmija e thote kete dhe Nexhmija eshte burim i besueshem. Mire qe nuk e zbuluan qe ne '53 se do t'ju ngelte greku ne kongres.

6.- Nexhmije Hoxha boton disa materiale qe sipas saj vertetojne se ai ka qene agjent i Inteligjens Servisit. Aty ai figuron me pseudonimin BAB-008. A jeni njohur me pare me keto materiale?

Po jam njohur ne hetuesi dhe u habita qe e kishte ashtu, 008, se per nga vjetersia ne sherbim duhet ta kishte jo me shume se 006. Dhe kur pashe se si gelonin gjithe ata BAB-agjenta ketu mendova se ndoshta edhe ajo shprehja "Si je mer BAB?" mund te mos jete edhe aq e pafajshme por mundet qe me kete BAB-agjentat te merrnin ne lidhje.



Por historia nuk mund te behet as me brockullat qe keput Nexhmije Hoxha e as me keto qe them une. Nexhmija gjate gjithe librit ve perballe Enverin dhe Mehmetin per te rivleresuar Enverin dhe per te lare hesapet njehere e mire me Mehmetin. Por kjo perpjekje eshte e kote. Ata kane qene persona publike, shume te njohur, veprimtaria e te cileve eshte ndjekur me vemendje nga njerezit per 40-45 vjet. Eshte shume veshtire te ndryshohet reputacioni i nje te vdekuri. Ata qe te dy kishin perqafuar nje ideologji te mbrapshte qe, me apo pa Enverin, do te shpinte ketu ku shpuri " me me shume apo me me pak eksese. Por, per shume nga ata qe e perkrahen Enver Hoxhen, qenia e tij ne krye te Partise nuk qe pa pasoja. Shume nga ata e paguan me jeten e tyre kete perkrahje.

Dhe ketu nuk mund te mos te te veje mendja tek ajo cka shkruhet ne letren qe thuhet se Mehmeti i ka shkruar Ivanovit qe gjate luftes shume vete e paguan me jeten e tyre kundershtimin qe i kishin bere grupit udheheqes dhe Enver Hoxhes. Ne paqe, shume paguan me jete edhe perkrahjen.

Nje i njohuri im qe kishte shkuar midis nje grupi kuadrosh ne Mallakaster n` veren e vitit 1981 per te shpjeguar veprimtarine armiqesore te Mehmet Shehut, me ka treguar se kur kish mbetur vetem, koke me koke, me nje plak te asaj krahine, ky i ka thene: "More, po ky vend edhe me fare tradhtie te kish qene mbjelle, kaq tradhtare nuk do kishte nxjerre".

Po nuk ishte puna tek toka, qe nxirrte tradhetare, puna ishte tek i zoti i tokes. Atehere e kishte parcelen 28 mije kilometra katrore, nxirrte ne 28 mije kilometra katrore, tani e ka dy dynym, nxjerr ne dy dynym.

10.- A mund t'ju bejme edhe nje pyetje tjeter?

- Jo, tani do te me falni se do shkoj tek ai klubi i nates ku shkonim me Ilirin kur ai ishte apo vinte ne Stokholm. Tani eshte bere librari

2004