Wednesday, November 4, 2009

Këpucë-hedhësit e medies




Anila Prifti

Një grup gazetarësh dje hoqën këpucët e me to qëlluan muret e gurta të godinës së Kryeministrisë. Protesta, nga sa kuptova, ishte ndaj Kryeministrit Sali Berisha ose, më saktë, ndaj ish-mikut e mikut të shumë prej atyre që dolën në shesh e flisnin në emër të fjalës së lirë, apo në mbrojtje të gazetarit Mero Baze. Ky i fundit u sulmua nga një milioner shqiptar emocionalisht i pa kultivuar. Kur u njoftova për protestën e këtyre gazetarëve që, si në çdo rast tjetër të kaluar, vendimet i marrin në zyra partiake apo, akoma më keq, në bare miqsh, mendova se mos do të marrin ndonjë tank nga ato të mbetura nga `97-a e fuqishëm e do të shembnin muret e qeverisë apo atë zyrën e “armikut” të tyre Kryeministër. Siç vijnë vegimet, ashtu edhe mendja ime dukej se po ndriçohej nga pak në këtë mugëtirë hipokrizie. Nuk ndodhi kështu, vetëm disa këpucë të panevojshme të tyre fluturuan që, sipas po këtyre protestuesve, simbolizonin protestë ndaj fjalës së lirë(!) Sa humor bëhet në këtë vend, edhe pse pak besojnë në humorin e shqiptarëve! Po luftohet me “këpucë”, për fjalën e lirë! Por, edhe për dhunën ndaj gazetarëve..., qesharake!
Ashtu si edhe ata, edhe unë kërkoj të dënohet çdo njeri që godet, që dhunon jo vetëm gazetarë; sikurse uroj shërim nga lëndimet për kolegun Baze. Por, po në emër të fjalës së lirë, po dua të t’u kujtoj këtyre gazetarëve këpucë-hedhës, se qëllimi i tyre është më tepër se i dyshimtë. Them i dyshimtë, teksa nisem nga fakti se nuk pashë aty asnjë nga ata gazetarë apo liridashës të fjalës t`i kërkonin mikut e ish-mikut të tyre, Berishës, ndonjë pallat, nga shumë pallatet që pronarët e medieve apo edhe syresh gazetarë–protestues kanë ndërtuar. Mbase, me këtë rast ndihmonin i shkruesit të jenë më të dashur me fjalën e lirë! Po të mos shkojmë deri te kjo kërkesë, sa fëminore aq edhe të pakuptimtë, për ata që protestonin me kostumet shik. Thjesht, po rendis këtu disa nga momentet e tyre, ashtu të firmosura në zyrat partiake. Më kujtohet se një pronar mediesh, në kohën kur pakkush dinte ç`ishte “gazetaria e lirë” në vendin tonë, ndërsa vinte dita e pagave, kalonte në një gjendje shoku, irritimi, aq sa agresiviteti i Al-Capones Taçi të duket foshnjor. Ky botues dhe gazetar qëllonte me shpulla këdo që të gjente para tij apo, akoma më keq, t`i kërkonte që të paguhej. Nuk arrinte të kuptonte se një gazetar duhej të paguhej, ndërsa histerizohej para vlerës qesharake, që duhej të firmoste për rrogë, përballë shumave që Ai-Ata vilnin nga firmat piramidale. Kjo i bënte këta njerëz të ndjenin frikë, të strukeshin, si për të harruar të kaluarën e tyre mjeruese, kur dëgjonin se dikush e pranonte atë vlerë qesharake, por shumë të rëndësishme për ata që e vlerësojnë çka është e Drejta në një marrëdhënie me punën, me profesionin, me jetën dhe parimet e tij!
Dje ishin bashkuar shpullë-dhënësi e shpullë-ngrënësi. Aspak nuk ndryshonin! Dikur ai ndërtonte pallate e bëhej pronar toke, sapo dilte nga zyra e ish-Presidentit Sali Berisha. Kurse këta të dytët, janë pronarë e posedues pronash, sepse dinë mirë t`i zbresin e t`i ngjisin zyrat e kryeministrave apo të ministrave; po ashtu, të veshur shik dhe shik-s... Kur i pashë bashkë, pronarë e gazetarë, m’u kujtuan alarmet për bomba. Më saktë, një shoqe e kolegia ime më tha: “Anila, a të kujtohet kur varnim çantat te kangjellat, sepse jepej urdhri se mos gazetarët mbanin bomba me vete?! Të kujtohet kur vraponim, për të marrë lines-at, se as ato nuk lejoheshin në zyrën e punës, sepse pronarit i kishin thënë se do të vendosin bombë?”. Ndërsa kujtonim situatat qesharake, në vitet tona si reportere, më shkoi në mendje se mos këta protestues nuk hyjnë dot në zyra, nga frika e granatave? Dyshova, pasi kohët kanë ndryshuar dhe ato “granatat” me çanta dore tashmë janë zëvendësuar me çeqe, me firmë trojesh, me tenderë rrugësh, me pallate. E ata-protestuesit, si dashamirës për të kursyer fjalën e lirë, nuk mund të shkarravisin as dy radhë letër, pavarësisht se motivimi i tyre publik u përqendrua në hedhje të një shume për “kokën” e agresorit. Fundja, kush i pengon ata të shkruajnë si të duan? Askush! Duhet vetëm ide, për të mbushur gazetat. E ajo sot është e shtrenjtë, është e barabartë me një pallat, me një post ministri ose, akoma edhe më lart: e barabartë me postin e vetë Kryeministrit...
Por, edhe ndoshta protestuan ata gazetarë dje para mikut të tyre që, me sa duket, nuk po u jepka “ide” kohët e fundit. Kurse për fjalë-dashësit apo liridashësit e fjalës, përherë do të ketë një copë letër, ku të shkruajnë!

14 comments:

Margarita said...

Nuk kisha dyshim; je ajo që kam njohur gati 11 vjet më parë. E madhe!!!

Angjelina said...

Jam e lumtur qe ta kam mike! Kjo ke qene edhe gjimnaziste, nuk dyshoja qe do e shikoje ate proteste te pavlere dhe hipokrite ndryshe

Mira Prela said...

Anila une nuk jam gazetare por bashkohem me ty per hipokrizine e tyre sikurse denoj cdo akt dhune. Urime per shkrimin.

Petrit said...

Duke mosdashur te jem pjese e opinioneve dua te them se je e kthjellet dhe largshikuese.Persa te njoh i ke thene te gjitha dhe duke e ditur se flet personi i cili eshte "lumturuar" me profesionin, perveç kenaqesise profesionale, mendoj ose me sakte shpresoj se e ardhmja e vazhdimesise vjen shpejt.

Mendoj se eshte detyre te mbrosh gazetarin,por do ishte mrekulli nese ai nuk ka nevoje te mbrohet.

Arben said...

Kisha vendos t’mos futesha ma n’debate qe ju gazetaret e Shqipnise pa pertes i bani prezent e po me aq zell. Por ti anila cdo here me nxit te bahem pjes e atij mentaliteti aty ku ti jeton e punon, mentalitet me te cilin jam nda heret pasi m’ka shkaktu at ndjesi t’ftoht sa nuk dua t’degjoj per at vend. M’vjen mir per kthjellsine e vazhdueshme tek ti, po ashtu edhe per veshtrimin e paqte tendin mbi realitetin. Por nuk kuptoj dicka prej teje anil- cfar t’ben ty t’besosh se rraca juaj e gazetarve duhet t’jete ndrysh nga ajo shoqeri naïve e zhvatse, nga ajo shoqeri primitive e vetemohuese?
E di cka do mendojsh tash kur e lexon, por dua me t’thane se gazetart aty ku ban pjes edhe ti nuk jan te integruarit e atyshem ku mundesh ti me shpresu. Ma mir se une ti din kush jane t.vertetat e atyshme, ato t’verteta qe ban Fishten n’sarkazem me mohu cka asht shqiptar…Vazhdo e shkruej e serish do t’lexoj, ket ta premtoj.

anton said...

Ajo cka verej qarte ne ate qe ke shkruar anila edhe pse nuk jam gazetar e nuk pretendoj te kem njohuri me problemet qe ju keni mes kapmit, eshte konflikti i hapur midis gazetarve qe besojne ne profesionin e tyre dhe e respektojn ate me ata te cilet shpifin dhe pretendojn ne emer te po ketij profesioni. Pash pamjet e protestes dhe me erdhi mire qe protestohet kunder dhunes se cdo gazetari por me erdh edhe cudi kur aty pash vetem disa fytyra qe nuk jane gazetr por botues. Me nje fjal ishte proteste botuesisht???

Anonymous said...

Shkrimi ka vlera absolute, ai eshte tregues i dinjitetin tend Anila. Urime!

Zana Mihali said...

Kam 13 vjet qe nuk te kam pare me sy Anila. U ndame atehere kur une deshiroja me shpirt te behesha gazetare kurse ty te dukej profesion i rendomt.Por ti qendrove pa braktisur ate Anil qe e njohin te gjithe miqte e shoket e tu.
Urime per shkrimin!!!

Te perqafoj e te puth me mall
Zana Mihali
Belgjike

anila prifti said...

Kur vendosa e nxora këtë shkrim në faqen e FB-së e në Blog pata shqetësim mos dikush komenton apo shkruan përshtypje personale mbi personalitetin e gazetarit të dhunuar, shkak ky deri edhe të protesta e gazetarëve të Shqipërisë, por edhe e shumë shoqatave e gazetarëve ndërkombëtare. Jo frikë,por shqetësim në emër të etikës profesionale dhe respektit për kolegun e lënduar, sepse nuk do doja aspak që nëpërmjet hapësirës sime virtuale të përcillen fyerje apo denigrime ndaj tij. Aq më pak ndaj një gazetari si Mero Baze të cilin profesionalisht e vlerësoj. Qëllimi i vetëm i shkrimit dhe i pamohueshëm- ka të bëjë me prezantimin e hipokrizisë të atyre që ndoshta përfitojnë edhe nga dhuna ndaj kolegut dhe mikut të tyre.

Arben said...

Ti nuk din t’fyesh apo t’denigrosh dikënd edhe po të duash. Nuk të lejon as kultura e as integriteti yt të notosh në ujërat e vullgaritetit e mediokritetit, ndaj edhe shqetësohesh si pjesë e përgjegjësisë e një individi me personalitet të shëndosh. Megjithat nuk mundesh me ba t’tjerët më t’ngjajtë...

anila prifti said...

Nuk po kërkoj të diktoj, as të më ngjaj dikush, thjesht do doja që nëpërmjet meje dikush tjetër të mos fyhet. Sikurse çdo kush mundet me pas përshtypjen dhe mendimet e tij e mund ti përcjellë ato krejtësisht i lirë.

Arben said...

N’rastin konkret nuk m’intereson kush asht ky Baze, as sa mir a keq e ban ai profesionin, as personaliteti i tij- për herë t’par po lexoj tash prej teje. Thjesht deshta me t’kujtu se nuk duhesh me u kujdes ti, as me u shqetsu ti si Anila. Asht e tepërt me u shqetsu për at/ ata q’nuk e njohin çka asht fyerje edhe n’se u drejtohet atyne.

anila prifti said...

Arben, më duket se po keqkuptohemi. Këtu nuk bëhet fjalë për të treguar Anilën, por për të respektuar profesionin. Po e përsëris, unë nuk shkruaj me qëllimin në kokë për tu kujdesur nëse fyhet apo nuk fyhet dikush, por shkruaj duke respektuar parimet themeltare e jo vetëm të gazetarit, por të çdo individi që i lind e drejta të lërë gjurmë mbi një letër të bardhë apo ku jemi duke shkruar unë dhe ti; në ketë hapësirë virtuale.

Edmond Kaceli said...

Te ngrsh lumturine mbi fatkeqesine e tjetrit- Ky eshte motivi numer nje i pronareve te mediave shqiptare ne pergjithesi. Qe fryhen, si njerez te medhenj e botues te rendesishem, si ajka e shoqerise shqiptare, si intelektuale te thekun, e brenda jane aq bosh, sa mbushin xhepat me monedha te pista, e ardhe prej burimesh te dyshimta, per te mos i marre era...