Wednesday, October 21, 2009

Zinxhirët e një shoqërie në verbëri



Anila Prifti



Një kasolle dje mbeti bosh. Mysafiri i vetëm i saj e braktisi apo, më saktë, mbërritën aty gjuetarët, e prej saj nxorën “egërsirën” nën zinxhirë. Të parët, ata që e lidhën me hekura, ishin të një gjaku me mikun e kolibes. E futën aty për të mos u turpëruar, për të mos bërë zhurmë ose, më thjesht, meqenëse ngjasonte me një “bishë”, duhej lidhur dhe mbajtur larg nga njerëzit. Të dytët ishin “vrasësit” e zhurmës. E larguan prej kolibes, ia zgjidhën zinxhirët e trashë e të keqpërdredhur - për të mos dëgjuar për pak çaste ulërimën e tij - e për ta degdisur te një palë “zinxhirë” të rinj, ku muret i ka pa veshë. Të dyja palët e zinxhirvënësve vinin nga radhët e njerëzve dhe, po me po të njëjtin qëllim, ndërsa një fatkeq 25-vjeçar u bë preja e frymëzimit të tyre. Sot kasollja është bosh, por errësira mbetet ende aty; ashtu si te “Minjtë” e Dino Buxattit, që i detyruan Fisnikët të bëheshin Shërbëtorë e të vlonin qull në kazanë, ndërsa kacavirreshin në trupin gjysmë të zhulosur.
Janë gjurmët e një shoqërie në verbëri, që nuk do të gjejë dot shpëtim. U tha se zgjidhen zinxhirët e një të sëmuri mendor në Fier, ashtu sikurse u tha se ishte i tillë, prandaj edhe ia lidhën. Befas, ndjen se ndodhej mes një loje psikikësh, ku shprehja e Mark Tuein, “nëse mendojmë se të gjithë janë të çmendur, zhduken misteret në botë”, nuk të ngushëllon aspak.
Çfarë mbetet pas zgjidhjes nga zinxhirët të një të sëmuri mendor? Çfarë mbetet në atë kolibe, ku është injektuar egërsia e një shoqërie në primitivitet? Në fakt, ende s’ka mistere. Janë gjurmë të tanishme të kultivuara herët. Është portreti i një shoqërie të dhunshme, të ashpër, ku më shpesh se me mirëkuptimin, respektimin reciprok, adhuron agresivitetin, dhunën, brutalitetin. Të edukuar me revolucionin me dhunë, me luftën e klasave, me dhunimin e ideve, me zgjidhjen me dhunë, ajo (DHUNA) është ngulitur në nënvetëdijen tonë, si mjet, si mënyrë jetese. Është çelësi ynë për të hapur dyert e problemeve, si manifestim i një karakteri të caktuar, si burrëri, si qëndrim, si revoltë, si rebelim. Edhe gjyshja zgjati duart të lidhte zinxhirët në këmbët e nipit agresiv. Kudo të rrethuar nga DHUNA. Është ajo që merr frymën, na kërcënon në rrethana të ndryshme; ajo ka qenë dhe mbetet një konstante e ndërveprimeve tona të përditshme. Është dhuna e shtetit represiv, është dhuna individuale kundra shtetit; dhuna në familje; dhuna etnike; dhuna fetare; dhuna raciale, terroriste, dhuna që ushtrojmë ndaj njëri-tjetrit. E, si shpërblim Lulëhena, ajo lule, për të cilën tregojnë se përjetëson shpirtin dhe mendjen e njeriut, nuk ekziston!
Kjo është gjithçka përfton nga ajo skenë horrori, në kasollen ku për tre vjet me radhë u mbajt i lidhur me zinxhir një 25-vjeçar. Kjo histori nuk ka ndodhur në ndonjë xhungël apo në ndonjë planet tjetër.
Vetëm 100 km larg metropolit shqiptar, po aq larg edhe selive shtetërore. Në Levan të Fierit, Fatmir Rashu, prej më shumë se 3 vjetësh, bënte jetën e një bishe të lidhur me zinxhirë në kolibe. I braktisur nga prindërit e tij, Fatmir Rashu u mor nga gjyshërit, por 5 vite më parë, një traumë e shkaktuar nga mungesat e shumta, si shkak i varfërisë, por edhe si shkak i një incidenti, që të afërmit nuk duan ta tregojnë, bëri që i riu të kthehej në një të sëmurë mendor agresiv.
Kështu u servir buja e një ngjarjeje pa precedent. Kështu u mësua e vërteta e lidhjes së një njeriu me hekura, për të mos prishur rehatinë e paqtë, së pari, të atyre që e rrethonin e deri në rehatinë e një shteti që kërkon liberalizim vizash… Kështu, gjyshërit e tij u kujdesën për fqinjët xanxarë, që trembeshin nga djali. Të gjithë ishin dëshmitarë të horronit: mjekët, fqinjët, të afërmit e djalit, banorët fierakë, shteti; policia, pushtetarët lokalë etj. Asnjë prej tyre nuk iu afrua kasolles, për të parë nëse një kupë xingu kishte apo jo ujë të shuante etjen e kësaj qenieje, e detyruar të jetonte në botën e ferrit.
Dje, ata luftuan më zhurmën, me atë zhurmë që prish gjumin e ndonjë pushtetari, e “sulmuan” kasollen, si shkaku i gjithë kësaj komedie të çmendur. Nxorën prej aty 25-vjeçarin, ndërsa... tani flenë të qetë në rehatinë e tyre!

7 comments:

Anonymous said...

Nila, sa bukur (pak konfuze të përdorësh një term të tillë për këtë jashtëqitje-ndjesore e të ashtuquajturit njeri) e ke përshkruar një tragjedi të tillë...është e tmerrshme të mendosh se deri ku ka arritur ndjeshmëria dhe dashuria e njerëzve, se si po rrokulliset kjo botë drejt asgjësimit të shpirtit...pena jote më solli pak nota të moderuara migjeriane, ndonëse thirrja "O si nuk kam një grusht të fortë" fshihet pas ironisë therrëse të fatit fatal të një njeriu të pambrojtur...
Të përqafoj!
Ornela

Gerti said...

Ia vlente nje trajtim i tille, por mendoj se te dy jemi te mendimit qe ai ishte thjesht nje fatkeq

anton said...

Akoma nuk me besohet se ky femije jetonte i lidhur me vite ne sy te gjithve ne. ishte vertet rast fatkeq, por lenia e tij brenda ne nje kasolle nuk mund te justifikohet ne asnje menyre.

Mira Prela said...

Anila sapo lexova kete shkrim dhe nuk di se ku ndodhem. Shume tragjike! Cfare bejne keta njerez qe heshtin para nje mizorie a cfare eshte kjo se nuk ia gjej dot emrin...

te uroj fat e suksese ne jete Anila qe guxon te shkruar per ngjarje kaq te hidhura

Arben said...

Shoqja ime e feminis ndersa t' lexoj edhe t'kujtoj. Kujtoj dhimbjet e tua edhe kur shiqoje te moshuarit an udhe e ti vrapoje ti mbaje per krahu. Po m'kujtohen shume momente tuat kunder padrejtesive e po ti shkruj ketu pse shume m'ka trondit ky shkrim i yti. E me respektin e nje shoku qe do te te shoh cdo here e ma mire, shoqja jeme braktise ate profesion, largohu nga cmenduri te ksaj natyre. Mjaft dhe nga anila!

Me respekt Arben Marku

Mira Prela said...

Jo Arben, ky shkrim eshte nje pellemb e forte ndaj ndaj atyre qe fryhen nga pushteti dhe nuk strehojne e mjekojne dot nje fatkeq si ai djal ne Fier qe mbahej i lidhur ne mes te gjithve ne

Edmond Kaceli said...

Ne Shqiperi e vetmja gje qe me çudit eshte se nuk çuditem nga asgje!