Thursday, October 1, 2009

Të punësuar në Facebook

Nga Anila Prifti

Prej kohësh, media po shfaqet e pangjyrë, asgjë nuk ndodh. Por orët për lajme të bukura e ato pozitive duket se kanë mbërritur. Numri i të papunëve në Shqipëri është ulur!- kështu njoftonte një nga televizionet që ndihet i afërt me qeverinë. Dhe natyrisht, vijon informacioni, kjo falë programit të Partisë Demokratike, e cila në fushatë premtoi përgjysmimin e të papunëve, por edhe të LSI-së, që u premtoi ithtarëve të tij 180 mijë vende pune.
Një lajm i tillë duket sikur e ka kthyer entuziazmin edhe te partiakët e të dyja kaheve, të cilët ndihen më të qetë e nuk do u gjëmojnë veshët nga zhurma e të papunëve, si lukunia e ujqërve të uritur. Po lajmet duket se mbërrijnë me vonesë në zyrën e kreut të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Robert Bosch, tek ambasadori gjerman Bernard Borchard, apo tek ambasadorët e tjerë në Tiranë, të cilët prej ditësh paraqiten publikisht, duke i kërkuar opozitës futjen në Parlament, sepse, në të kundërtën, është kosto politike për ta dhe pengesë në procesin për integrimin në Evropë. Porse Borsh apo dhe diplomatët e tjerë, pavarësisht se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje të zëshme nga selia e PS-së, në heshtje, e kanë të qartë se kërkesat të tyre për t’u futur në Evropë nuk do të plotësohen, si të hyjë opozita në parlament apo të vijojë bojkotin.
Por problemi qëndron tek shqiptarët, pra, në po binden ata se vërtet numri i të papunëve është reduktuar. Çdokush që jeton në këtë vend duhet të entuziazmohet për një lajm të tillë, sepse lind shpresa e ndryshimeve të bukura, çka kërkojnë edhe partiakët. Por jo gjithmonë kjo aksiomë është e vlefshme. Sidoqoftë, për të mos prishur atmosferën e gëzueshme, shqiptarët, në pamundësi për të qenë përfitues nga ato mijëra “vende pune” që ka siguruar qeveria, kanë filluar të punësohen virtualisht. Kjo ishte ndjesia që mu krijua pas një bisede me një mikun tim, me të cilin nuk ishim takuar prej kohësh. Po bisedonim pikërisht për këto ndryshime dhe fytyrat kishin marrë një pamje të qeshur, aq sa po besonim për kohë të bukura. Edhe më skeptiku në këto ditë shfaqet i lumtur. Biseda me të shpeshherë ndërpritej nga telefonatat dhe, papritmas, ajo çka ai përcillte tej bashkëbiseduesit, jo vetëm që e shtonte humorin e gëzimin, në të cilën isha përfshirë, por më ishte afruar edhe befasia, po prej lajmeve të bukura. Shprehja e fytyrës së burrit përballë dukej e paqme. Të jepte përshtypjen se sapo ishte kthyer nga pushimet në ndonjë ishull, mes frutave ekzotike e aromës së pemëve, por edhe lojës së majmunëve kacavjerrës. Në çast, mendova se herën e fundit, kur isha takuar me mikun, burrë e grua ishin të papunë, dhe shqetësimi kryesor ishte rritja e tri fëmijëve ende të vegjël. Kishte kaluar kohë dhe s’kisha arsye të mos gëzohesha nga ato çka dëgjoja prej tij, po në bisedë telefonike.
- Po babi, mos u mërzit e punon traktori tokën, - i thotë të birit në telefon. Nuk vonon dhe një tjetër porosi: - Ti me vëllanë vilni pemët, se u kalon afati. Sa më shumë zgjatej biseda, aq me tepër entuziazmohesha, por edukata ime e tepërt, pa dashje me vuri në pozicionin e të kompleksuarës, pasi çfarë po dëgjoja më dukeshin të pashpjegueshme. Biseda vazhdoi po me ritmin e fillimit dhe tavolina mori atmosferë festive kur, një pas një erdhën edhe të tjerë miq të përbashkët, si zakonisht në fundjavë. Fytyra të qeshura, të qeta; kjo ishte gjithçka dëshiroja unë për ta. Por, si shpesh e kritikoj veten time - nuk më kaloi pa vënë re një detaj - asnjë shikim nuk ishte i përqendruar, sytë lëviznin tej hapësirës së ekzistencës në atë tryezë miqsh e dashamirës. Shfaqej si mungesë vëmendje, por, gjithsesi, kjo nuk mund të besohej, aq më tepër në raporte të tilla. Nuk vonoi shumë dhe dyshimet e mija i ndërpreu një tjetër telefonatë. Ishte sërish djali i mikut tim; diçka i tha të atit. - Shumë mirë, thuaji ta korrë edhe grurin, - ia ktheu ky.
Ndjeva nga pak humorin të më largohej dhe një ndjenjë e çuditshme po e zëvendësonte. Po dëgjoja si shumë rreth mirëqenies, angazhimit maksimal e preokupimit të fitimit, saqë m’u duk vetja në miniaturë, diku e humbur nëpër gazeta të bojatisura, që vetëm të pasur në financë nuk të bëjnë. E, si rëndom, ndodh në kësi rastesh që lakmia dhe xhelozia po afroheshin, po me shpejtësinë e humorit të ikur. Mos ndoshta, miku im ka po atë edukatë të tepruar sa unë, e... po ndihet keq të më tregojë, se është bërë i pasur, nuk do të më lëndojë, të ndihem me komplekse në varfërinë time, apo çfarë?
Sapo ky mendim trokiti në portën e mendjes sime, u ndjeva edhe me keq. Si nuk e kupton që unë do të isha e lumtur të më tregonte për atë çka ka arritur e fituar këto kohë që nuk kemi mundur të takohemi? Vendosa të mos flas sërish, kurse bisedat tashmë po më vinin si në largësi. Kishin kaluar pak minuta, kur, atë moment timin pa pikë takimi, e trembi një tjetër telefonatë. Dëgjohej zëri i një femre, që shpjegohej e arsyetohej për diçka, por, ndërkohë, edhe qeshte me tingullin e një kambane.
– Po dil e fol, çfarë pret? Ata po bëjnë namin, ikjen tuaj nga Parlamenti po e cilësojnë turp! Do t’u ngelet juve fatura, duhet të dalësh të flasësh më zë të lartë! - i thotë miku im gruas tej telefonit.
Për pak harrova të shpjegoja pak më lart se, që nga momenti kur burrë e grua mbetën pa punë, mikut tim i pëlqeu të merrej pak me politikë dhe, që nga ajo kohë përcillte çdo lajm mbi situatën politike. Edhe bashkëbiseduesja, me siguri duhej të ishte një politikane në opozitë. Fytyra e tij qesh dhe, një tundje koke miraton atë çka ajo po i shpjegonte.
– OK, OK, dërgoje elefantin dhe më pas dil e fol. Oooo, mos harro, atë elefantin zgjidhe baby, se cilësohet si dhuratë më me vlerë, - i thotë. U bëra lëmsh: tokë, traktor, grurë, pemë, fruta, elefantë nga njëra anë, në anën tjetër Borsh, Borchard etj. Ç’po ndodhte?
Habisë sime shpejt dikush i dha përgjigje me një pyetje. Jeni futur e po luani në FarmVille? Kurse diplomatja po i dërgonte dhuratë një baby elefant, kolegut të saj të opozitës... Tani gjithçka ishte e qartë. Ishin të punësuar në... Facebook.

2 comments:

anton said...

Bravo anila, me bere te qesh e te ligshtohem njeherazi

Mira Prela said...

Ku tjeter te punesohen shqiptaret, tokat jane djerre,asnje fabrike, asnje mundesi punesimi