Monday, September 21, 2009

Kronikat e vdekjes që sfidojnë jetën

Gjashtë persona çdo ditë tentojnë të vetëvriten; njëri prej tyre vdes. Në 30 orë, një jetë shuhet në aksident. Çdo orë, tri gra kërkojnë ndihmë kundër dhunës së burrit. Një vrasje në tri ditë regjistrohet për shkak të konfliktit me pronën; po kaq është edhe treguesi i vrasjeve për motive banale. Është kjo gjendja ku po gjallojnë shqiptarët, gati njësh me instinktin e vdekjes. Asgjë nuk ka ndryshuar tek ata, në atavizmin e ndjenjës së shkatërrimit. Nëse para ‘90-s humbëm lirinë morale, u izoluam fizikisht, duke u kthyer në objekte të diktaturës, sot po humbasin ekzistencën individuale në kërkim të lirisë që, në fakt, nuk është gjë tjetër, veçse arratisja nga liria. Lajmet për vdekjet në rrugë, për vetëvrasjet, për krimet në familje, na shfaqin panoramën e luftës midis shqiptarëve dhe padijes së tyre. Si një shoqëri e papërpunuar në institucionalizimin e hipokrizisë, në fshehjen e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit, niveli i agresivitetit shfaqet banal, deri në formën e urrejtjes sy më sy. Një person mund të nxjerrë armën, e ta vrasë tjetrin, vetëm pse ai guxon dhe e sheh në sy. Dikush tjetër copëton fqinjin e tij për një copë gardh, e ndonjë syresh të vret, vetëm pse iu gërvisht makina nga një fërkim banal midis dy automjetesh. Natyrisht, arsyet e kësaj gjendjeje absurde mund të jenë objekt i psiko-analistëve për studimet e tyre, por qëllimi i vëzhgimit tonë është të mundohemi të paraqesim se ç’po ndodh sot në Shqipëri. Nuk kanë kaluar shumë ditë nga tragjedia në një prej lagjeve të kryeqytetit, kur dhëndri vrau vjehrrën, vjehrrin dhe djalin e tij, sepse gruaja i kishte kërkuar divorcin. Në fund, ai e vrau edhe veten. Në një ditë, 10 seanca divorcesh zhvillohen vetëm në Gjykatën e Tiranës; disa prej tyre, më pas përfundojnë me vrasje të njërës palë. Çdo ditë, një grua dhunohet nga burri ose i dashuri i saj; çdo orë, tri gra kërkojnë ndihmë nga policia. Motivet e dhunës kanë për shkaqe faktorë të ndryshëm: depresionin, imoralitetin, papunësinë, pijen, varfërinë etj. Një e katërta e popullsisë jeton në minimumin jetik, rreth 800 mijë shqiptarë aktualisht janë të papunë. Por, ndërsa zyrtarisht flitet për 500 mijë banorë të gllabëruar nga stresi e depresioni, një në katër shqiptarë e mban një armë të fshehur dhe çdo ditë, njëra prej këtyre tytave të nxehta drejtohet kundër jetës së dikujt. Në Policinë e Shtetit të raportojnë se rritja e krimit është rezultat i rënies së ekonomisë, porse qeveria ende nuk po e na e pranon krizën. Në gjykatë, tri të katrat e divorceve kanë për motiv kryesor tradhtinë, kurse psikologët të thonë se kjo është krizë e familjes shqiptare. Në tri vrasje, dy ndodhin për pronën. Por arsyeja në këtë rast është se janë me mijëra proceset që zvarriten ndër vite nëpër shkallët e gjyqësorit. Asnjë gjyqtar nuk është shkarkuar apo ndëshkuar për këtë papërgjegjshmëri vrasëse. Vetëm në muajin korrik janë regjistruar mbi dy vetëvrasje në ditë, dhe po aq tentativa. Specialistët e toksikologjisë raportojnë për shtim të numrit të përdoruesve të drogës dhe alkoolit, jo vetëm me kontingjent të moshës së re, por përdorues të shumtë ka edhe të moshave të pjekura. Një në çdo tre autorë krimi rezulton përdorues alkooli ose droge. Kjo e fundit gjendet kudo: në shkolla, në lokale, në rrugë, te fshatarët. Policia pretendon se ka korrur sukses në luftën kundër drogës, ndërsa vetëm një e katërta e sipërfaqes së mbjellë me kanabis sattiva është në vëmendjen e saj, për ta shkulur e djegur; pjesa tjetër qarkullon në tregun e narkotikëve. Raportimet e ndërkombëtarëve flasin për tonelata drogë nga Shqipëria drejt vendeve fqinje, por në katër vitet e fundit vetëm dy punonjës policie janë vënë në pranga, si pjesëtarë të këtij trafiku. Katër ditë më parë, një foshnjë vdiq nga helmi i gjarprit. Vogëlushi nuk mundi ta marrë ndihmën e shpejtë në fshatin e tij, por as edhe në qytetin e Korçës. Mjekët u mjaftuan me nisjen e fëmijës në Tiranë, të bindur për vdekjen e sigurt, pasi në emergjencën e tyre nuk gjendej asnjë ampulë antihelm. Viktima u bënë ca punonjës që, veç bluzës së bardhë dhe lapsit, për të firmosur në fund të muajit atë rrogë, asgjë tjetër nuk kishin ç’t’i shpëtonin asaj foshnje. Pickimi i gjarprit që vrau një vogëlush është si ai helmi që po marrin çdo ditë shqiptarët, por nga një gjarpër me përmasa dhe forma ta tjera. Të dielën, tetë viktima. Pesë të vdekur mbeten në aksident, brenda pak sekondave. Pa kaluar edhe 40 orë, dy të tjerë patën po të njëjtin fat, po në atë vend, në Maminas, në aksin rrugor Tiranë-Durrës. Po të shtojmë edhe numrin e viktimave në akset e tjera rrugore, makinat u kanë shpallur luftë shqiptarëve. Ç’po ndodh? Nga dasma në vdekje, nga ditëlindja në vdekje, nga matura në vdekje, nga emigrimi vdes në vendin tij, nga morti në mort… Policia regjistron shifrën alarmante. Çdo 30 orë, një i vdekur në aksidente. Trefish është numri i të gjymtuarve. Rrugët nuk kanë sinjalistikë, por askush nuk do t’ia dijë se ku kanë shkuar miliona lekë të dala nga buxheti i shtetit. Për gjithçka po ndodh, asnjë zyrtar i ndëshkuar, kurse firma ndërtuese kanë fituar tenderë për të tjera rrugë. Rezultati është i dukshëm. Çdo ditë vrasje, çdo ditë vdekje e, paçka se në emër të kujt ndodhin… E përbashkëta e krimeve te shqiptarët është frika, ajo frikë që i bën ata të mos njohin as kufijtë minimalë të jetës dhe të perspektivës së saj. Ndërsa kreu i qeverisë është vetëshpallur drejtues edhe për 20 vite të tjera, i pari i opozitës këmbëngul të mos largohet. E, si pa dashje, të kujtohet thënia e priftit anglez Maltus: “Ata (politikanët) grinden dhe urrehen, sepse gjëja më e rrallë, më e paktë në botë, nuk është floriri, por pushteti”.

No comments: