Monday, September 21, 2009

Asgjë s’ndryshon, veç frika rritet

Nga Anila Prifti - Ka kohë që nuk ndodh asgjë. Veç ndryshimeve globale të klimës, çdo gjë tjetër duket e njëjtë. Padashur, kupton se je dëshmitar i përsëritjeve të bezdisura, si bisedat apo lëvizjet në faqet e Internetit, ku bëhesh njësh me kompjuterin; shikon e merr informacion të bollshëm për botën nga tej xhamit të ftohtë. Por, pasi del prej aty, nuk mban mend as edhe fjalët që tenton t’i rendisësh bukur e me mendim të rrjedhshëm, veç të rritet malli për letrën, bardhësia e së cilës të ndriçonte imagjinatën e mendjes. Ndërsa pjesa tjetër është njësoj: si një garë midis së mirës dhe së keqes, idiotësisë dhe urtësisë, humbësve dhe fitimtarëve, ashtu si recetat e barnave për sëmundjet, si viruset për njeriun dhe për kompjuterët. Duket sikur gjithçka ecën në një drejtim, dhe ti bindesh përherë e më tepër se asgjë nuk të duhet për të menduar si dikur, kur besoje se gjërat ndryshojnë. Njeriu di gjithçka për botën, merr informacion tej kufijve të inteligjencës së tij, por, më shumë se kurrë, ai ndihet i manipuluar. Si i tillë, ndihet i rrethuar me frikë për mos ndryshueshmërinë e asgjëje e, ashtu, më tepër humbet botën e tij, duke ndërtuar një kështjellë frike e vetmie. Kështu po ndodh sot në Shqipëri. Çdo gjë shkon sipas një rendi të kaluar. Njerëzit vazhdojnë të zhyten në panik. Askush nuk shpreson më. Askush nuk beson në një jetë ndryshe. Gjithë kohën e tyre banorët e këtij vendi e vrasin duke i mbijetuar frikës, asaj frike që i bën të mos njohin më as më të rëndomtat e një dite jete, por që nis me ankthin e pandalshëm. E gjitha si më parë… Duket sikur po jetojnë ditët në përsëritje të kohëve të shkuara, pa asnjë ndryshim. Shqiptarët as më parë nuk besonin në të ardhmen; po ashtu edhe sot. Liria e tyre shpejt mori kuptimin e zhgënjimit. Ajo u zëvendësua me lëvizje në kaos, ku dhe vlerat njerëzore të shqiptarit, po zvetënohen. Ky mendim më erdh pas një qëndrimi të shkurtër me nipin tim 5- vjeçar. Renditja e fjalëve prej tij, për pak kohë më çoroditi; m’u duk sikur po bisedoja me një koleg apo me ndonjë moshatarin tim jo të çfarëdoshëm. Kaq të ftohta dhe kaq të renditura bukur, si të një burri të rritur e të zgjuar, vinin fjalët e nipit tim. Asnjë ojnë fëmije, veç tingullit të hollë të zërit, që të kujtonte se ishte vogëlush. Kishte mësuar se ëndërrimet e bukura të sjellin zhgënjim e, po me atë intonacion zhgënjyes, e shprehte bindjen e tij. Nipi im apo fëmijët e sotëm nuk kanë asnjë lidhje me fëmijën plot ledha e teka të moshës. Ata flasin me terma kompjuterike, njohin zhvillimet e fundit të teknologjisë e të politikës, përsërisin dialogë filmash horror, ku fjala më e parë e mësuar prej tyre është Vdekja. Asnjë shpresë nuk shikon në sytë e tyre, ndërsa të flasin për të drejtat e njeriut, porse mënyra për t’i fituar ato është ajo më ekstremja: të qarit, të sulmuarit. Edhe këto nuk janë prej fëmije; sheh imitime të dublimeve qesharake të filmave apo përrallave - gjoja për fëmijë - por që nuk kanë asnjë lidhje me ta, tek i shikon sesi intrigojnë me skenën e një vrasjeje. Më erdhi ky mendim, pas një skene fisnore në oborrin e një shkolle në Tiranë. Them fisnore, për nga mënyra sesi ishin grumbulluar e çirreshin mes britmave, paçka se deri te pragu i saj shumë prej tyre kishin mbërritur me Land Rover apo Benz-a. Të shpërfytyruar, shprehnin tmerr për sigurinë e bijve të tyre, menjëherë pasi kishin parë në tv krimin midis adoleshentëve, ku njëri prej tyre u godit me thikë. Histerizmi i kësaj turme të krijonte idenë se sapo ishin zgjuar nga letargjia. Reagim kolektiv, në emër të frikës, dhe asgjë tjetër, përveç kësaj. Ishte frika e një shoqërie që ndien frikë dhe ndihet e pasigurt për gjithshka rreth saj. Ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Opinioni publik i një shoqërie moderne, nuk mund të reagojë vetëm nga një ngjarje, por duhet të jetë e vetëdijshme dhe vepruese për të ndikuar ndaj fenomeneve negative rreth saj dhe shkaqeve të tyre. Fatkeqësisht nuk ndodh kështu. Ndaj fëmijët tanë, të mbrujtur me këtë realitet të vrazhdë dhe me logjikën e “të fortit”, do të vazhdojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre me dhunë, si në shoqëri ashtu edhe në familje. Ndërsa prindërit, do të vazhdojnë t’ua mbushin xhepat, në rastin më të mirë. Kurse, në rastin më të keq, do t’u japin dru…

3 comments:

Albanian life said...

Urime Anila. Kisha kohe pa lexua nje shkrim te tille, ku dikush te marri guximin dhe te thote te verteten ashtu sic eshte. Dhe nje here urime dhe shpresoj te lexoj sa me shume shkrime te tilla nga pena jote.

Angjelina said...

Anila me pezmaton ky realiteti yt. Çdo here shpresoj se Shqipëria do te ndryshoj, por kur të lexoj ty një ndjenjë-dhimbje më kap për fyti.

Mira Prela said...

Anila prindi gjithmon eshte i shqetesuar per femijen e tij, por ti ke te drejt kur shkruan se ne kujtohemi ne turme