Tuesday, November 10, 2009

“Mafia e Re” , kriminelët shqiptarë kërcënim për botën


Anila Prifti

Pesë vite më parë, Kris Sueker, asistent-drejtori i FBI-së për Hetimet Kriminale, dha alarmin për krimin e organizuar shqiptar. Lajmi u përcoll në CNN, ndërsa theksohej se, pas goditjeve të fundit ndaj familjeve mafioze, shqiptarët kërcënonin zëvendësimin e "La Cosa Nostra", e cila konsiderohej si kryemafia në SHBA. Sueker tha se, duke vepruar në Nju-Jork dhe në qytetet lindore të SHBA-së, "Mafia e re" është e sofistikuar dhe e dhunshme, aq sa konkurron mafien ruse. Një vit më parë, një raport i CIA-s për kriminalitetin e shqiptarëve, vuri në dukje se llogariteshin 2 500 padrino shqiptarë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës, ku dhe ushtronin aktivitetin e tyre mafioz. Një raport tronditës hartuar nga investiguesit ndërkombëtarë do dalë së shpejti për “Mafian e Re” e cila shikohet si kërcenim real. Dje, një goditje u bë në Itali. Policia e Padovas sulmoi një bandë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të drejtuar nga një familje shqiptare. Banda kishte baza jo vetëm në Lombardi, Friuli, Venecia dhe Xhulia e Marche të Italisë, por edhe në shtete të tjera, si në Francë, Holandë dhe Spanjë. Referuar të dhënave të shtypit vendas, në operacionin e policisë, të koduar “Nafiza”, u përfshinë qindra policë, oficerë të antidrogës, si dhe një helikopterë. Operacioni përfundoi dje në mëngjes, me ekzekutimin e 54 urdhër-arresteve, si dhe me një numër sekuestrimesh. Hetimet ndaj kësaj bande kanë zgjatur 9 muaj dhe, që nga kjo kohë, janë arrestuar 74 trafikantë droge.

Alarmi i CIA-s dhe raporti i OKB-së
Në raportin vjetor të CIA, më 2004-n, bërë publik nga Ian Burell, reporter i “The Independent”, shkruhej: “Është vërtet e vështirë që Cosa Nostra (mafia italiane) ta fitojë sërish kontrollin, pasi mafia shqiptare tashmë e ka atë në dorë. Kanalet e trafikut janë të hapura vetëm për ata. Mafia shqiptare i ka harruar marrëdhëniet e biznesit me miqtë e vjetër italianë. Cosa Nostra bën pjesë tashmë në një sistem lokal, ndërsa mafia shqiptare në një sistem mbarëkombëtar. Shqiptarët fituan supermaci mbi Cosa Nostra-n, kontrollojnë në qendër të Evropës, në Gjermani, biznesin e fuqishëm të drogës, të prostitucionit, të pijeve alkoolike dhe të duhanit, në bashkëpunim me mafien ruse”. Nga ky moment, krimi shqiptarë jo vetëm që po shihej seriozisht nga autoritetet ligjore të vendeve të ndryshme, por filluan përgatitjet e projekteve, plan masash për goditjen e kriminelëve shqiptarë. Këta të fundit, së pari përdorën Italinë, për të vendosur bazat e tyre, por shumë shpejt grupet u shtrinë në të gjithë botën. Raportet e shërbimeve të inteligjencës në SHBA, Itali, Spanjë, Angli tregonin çdo gjashtë muaj për zonat e influencës së mafies shqiptare dhe aktivitetin e tyre në marrëdhënie me mafiet e tjera. Në vitet 2000- 2004, mafia shqiptare konsiderohej si padrone e trafikimit të femrave dhe të drogës në vendet e Evropës. Fillimisht, grupet kriminale bashkëpunuan me ato italiane dhe më pas u kapën në rrjetet e tjera, duke arritur deri në lagjet e Broklin në Nju-Jork. Marrja e sigurisë bëri që shqiptarët t’i braktisnin miqtë e vjetër, kryesisht italianë, duke e marrë vetë në dorë komandën e trafiqeve. Ishte momenti kur shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, ndonëse ndaheshin politikisht apo për çështje patriotike, grupet kriminale bashkëpunonin fuqishëm me ato sllave në tregun e drogës dhe të prostitucionit.
Në fund të vitit 2008, në raportin e OKB-së, për trafiqet dhe grupet kriminale në Ballkan e kudo, kur flitet për trafikantët shqiptarë thuhet “këta lloj njerëzish... janë kërcenim për BE-në”. Me të njëjtin vokacion, “gangsterët shqiptarë”, trajtohet edhe mafia e vendeve të ndryshme të botës. Studimet e ekspertëve kriminalistikë tregojnë se ka një marrëveshje të heshtur midis grupeve kriminale në botë që, e pagëzuar nga OKB-ja me “Parajsa e Gangsterëve shqiptarë”, të mos institucionalizohet. Ndoshta për shkak të karakterit të paqëndrueshëm të tyre, si dhe dëshira për të qenë të gjithë kapo. Si pasojë, ka sjellë pozicionin e shërbëtorit të tyre para grupeve kriminale në Evropë, Amerikë e kudo, edhe pse në raportin e OKB-së shqiptarët shihen si një rrezik, ndërsa arrijnë të kalojnë nëpërmjet tokës së tyre mbi 100 tonë drogë heroinë dhe kokainë në vit, sikurse për afro 10 vjet kanë qenë burim furnizimi me Canabis Sattiva për tregjet ndërkombëtare. Shifër kjo që luan një rol të rëndësishëm në statusin e një grupi mafioz.

Parajsa e Gangsterëve me 2 500 anëtarë
Në studimin e specialistëve të antikrimit ndërkombëtar veçohet mosha fare e re e shqiptarëve të futur në grupet kriminale. Përafërsisht, rezulton se në “Parajsën e gangsterëve” janë mbi 2 500 anëtarë – (sipas raportit të OKB-së) me role e detyra kriminale, dhe mosha më e vogël e rekrutëve është 15 vjeç. Është pikërisht ky grupim që arrin të depërtojë në të gjithë botën, të ketë lidhje me mafiet më të hershme e ta kthejë Shqipërinë në një vend transit të linjave kryesore të trafikut të drogës, nga Lindja në Perëndim. “Niveli i lartë i krimit në këtë zonë vjen edhe nga përbërja e qytetarëve”, - thuhej në raportin e OKB-së. Të rinjtë janë përfshirë në krime, për shkak të varfërisë, dhe janë bij të zonave të prapambetura. “Këta lloj personash bëhen shumë shpejt pre e krimit dhe disa nga këto vende nuk dinë se si të punojnë, për ta zhvilluar këtë popullsi. Gjithashtu, emancipimi i njerëzve është shumë mbrapa dhe në nivele të ulëta”, - citohet në raport. Regjimi diktatorial ka lënë pasoja. Ekspertët shpjegojnë se shqiptarët janë mësuar me polic te koka ndaj, pas 90-s, i kishin të gjitha shanset për ta zhvilluar krimin

Krimi në Ballkan, produkt i pas-komunizmit
Me hapjen e kufijve, vendet e Ballkanit përfituan lejen e kalimit për në anën tjetër dhe nisën të tërhiqeshin drejt heroinës, duke e kthyer kështu gadishullin në “Parajsën e gangsterëve”. Hartuesit e raporteve, edhe sot e shikojnë progresin e këtyre vendeve shumë delikat. Të dhënat e shërbimeve të posaçme tregojnë se situata kriminale në Evropën Juglindore është në rritje, për disa arsye. Rajoni ballkanik vazhdon të jetë një zonë transite për kalimin e heroinës në Evropën Perëndimore. Trafikimi njerëzor, po ashtu, vazhdon të jetë një problem i madh, si dhe korrupsioni, rregullat e ligjit, si dhe reforma e drejtësisë. Krimi më i rrezikshëm është ai i drogës. Shqipëria klasifikohet si një nga vendet më të rrezikshme. Trafikantët shqiptarë kontrollojnë rreth 70 % ose më shumë të tregut të heroinës. Kjo gjë është e pranishme në të gjithë Shqipërinë etnike, pasi këtu përfshihet edhe populli shqiptar, që është në vende të tjera të Ballkanit, si në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni etj. Në raportin më të fundit, që pritet të dalë, citohet se rreth 100 tonë heroinë kalon nga rajoni i Ballkanit drejtë Evropës Perëndimore. Megjithatë, heroina nuk është e vetmja që qarkullon nga Ballkani. Kanabis rritet në Shqipëri dhe në Bulgari, por në këto vende përpunohet edhe kokaina dhe drogat sintetike.

Historik; organizatat mafioze në Itali, Rusi, Japoni
Cosa Nostra - Sicili
Themeluar në fillim të shekullit XVI, por lindja e saj u atribuohet viteve të Luftës së Dytë Botërore, me ndihmën e amerikanëve, për ringritjen e Mafies në Sicili. Shumë bosë italo-amerikanë, të burgosur në SHBA (si Lucky Luciano e Vito Genovese, sa për të thënë ndonjë emër), u kontaktuan nga CIA, por u lanë të lirë, në mënyrë që t’u siguronin mbështetje në Itali aleateve. Cosa Nostra fiton çdo vit 8 milionë euro nga trafiku i drogës, 2 841 milionë nga investimet për pastrim parash, 176 milionë nga prostitucioni, 1 549 milionë nga trafiku i armëve dhe 351 milionë nga gjobë-vëniet, bën xhiro totale 13 miliardë euro.

Cosa Nostra amerikane
U themelua në fillim të shekullit të kaluar, por u pasurua në dy dekadat e para. Ajo lindi për dy arsye: emigrimi në SHBA i një numri të madh italianësh, midis të cilëve kishte edhe kriminelë, por edhe për shkak se shumë mafiozë nga Sicilia, për t’i shpëtuar ligjit në Itali, u detyruan të shkonin në SHBA. Një rol të madh në largimin e tyre pati Mori, prefekti i Palermos, gjatë periudhës fashiste, i cili i persekutoi për një kohë të gjatë. Zhvillimi i Cosa Nostra-s amerikane mendohet të ketë ardhur për një sërë arsyesh. Trajtimi i keq i shtetit amerikan ndaj emigrantëve italianë, të cilët, duke mos pasur asnjë lloj mbështetje financiare, ishin të detyruar të kryenin aktivitete ilegale. Ligjet amerikane të viteve 30, që ndalonin alkoolin, bëri që kontrabanda e tij të kishte përhapje të madhe në territorin amerikan.
Kjo organizatë varej drejtpërdrejt nga Cosa Nostra siciliane. 5 familjet në Amerikë mbanin kontakt të ngushtë me krerët në Itali: familjet Bonano, Lukese, Kolombo, Xhenovese dhe Gambino. Kjo e fundit merr pjesën më të madhe të fitimeve.

Camorra - Napoli
Themeluar nga mesi shek XVI. Fjala Camorra dikur kishte kuptimin e një takse që paguhej nga pronarët e lokaleve, për të siguruar mbrojte. Me këtë përkufizim, rezulton edhe në dokumentet e para, ku kjo fjalë është gjetur. Të dhënat i përkasin Mbretërisë së Napolit dhe datojnë vitin 1735. La Camorra vepron në 111 vende. Struktura e saj është e ngjashme me atë të Cosa Nostra-s, ku çdo familje zotëron një zonë të caktuar. Nga të dhënat e antikrimit italian, çdo vit Camorra fiton 7 230 milionë euro nga trafiku i drogës, 2 582 milionë nga investimet për pastrim paraje, 258 milionë nga prostitucioni, 2 066 milionë nga trafiku i armëve dhe 362 milionë nga gjobë-vëniet. Xhiron në total 12.5 miliardë euro.

Organizata – ish-Bashkimi Sovjetik
Kjo organizatë i ka fillimet në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ndahet në 3 nivele: grupe të vogla, të përbëra nga 10/15 persona të pavarur, në mënyrë direkt nga krerët e mafies. Brigadat e mëdha, që përbëhen me 200 deri në 300 persona, të cilët drejtojnë grupet e vogla dhe të ashtuquajturit "Vjedhësit e ligjit", që janë rreth 150 veta. Ata kanë pushtet ekonomik dhe politik. Duke qenë se shumica janë avokatë, mjekë, inxhinierë dhe politikanë, janë të aftë të realizojnë projekte dhe operacione financiare me shifra stratosferike. Mafia ruse merret më shumë me trafik droge dhe armësh, dhe është e shtrirë në të gjithë Evropën Lindore, sikurse në Francë, Zvicër dhe Itali.

Yakutsa - Japoni

Çdo bandë mafioze në Japoni quhet Yakuza, por drejtohet nga krerë të ndryshëm. Në traditë kryhen rituale shumë të hershme, si Sakazukishiki, ceremonia e pranimit të çdo anëtari të ri, i cili betohet për besnikëri dhe devotshmëri, duke pirë sakè nga gota e kryetarit. Irezumi, tatuazhi i ndryshëm për çdo bandë, dëshmon përkatësinë e anëtarëve të bandave.
Yubitsume – prerja e gjymtyrëve.
Në të tria ceremonitë e sipërpërmendura, protagonistë janë oyabun (kapo), kobun (vartësit). Në rast se dikush tradhton, duhet që t’i paraqitet shefit dhe, në prani të pjesës tjetër të bandës, ta presë gishtin e tij dhe ta ofrojë atë, të mbështjellë në një shami të bardhë. Nëse ky veprim kryhet, atëherë fajtori falet, por, në të kundërt, atij i prihet koka nga vetë kryetari.

Gazeta LIBERTAS

Wednesday, November 4, 2009

Këpucë-hedhësit e medies




Anila Prifti

Një grup gazetarësh dje hoqën këpucët e me to qëlluan muret e gurta të godinës së Kryeministrisë. Protesta, nga sa kuptova, ishte ndaj Kryeministrit Sali Berisha ose, më saktë, ndaj ish-mikut e mikut të shumë prej atyre që dolën në shesh e flisnin në emër të fjalës së lirë, apo në mbrojtje të gazetarit Mero Baze. Ky i fundit u sulmua nga një milioner shqiptar emocionalisht i pa kultivuar. Kur u njoftova për protestën e këtyre gazetarëve që, si në çdo rast tjetër të kaluar, vendimet i marrin në zyra partiake apo, akoma më keq, në bare miqsh, mendova se mos do të marrin ndonjë tank nga ato të mbetura nga `97-a e fuqishëm e do të shembnin muret e qeverisë apo atë zyrën e “armikut” të tyre Kryeministër. Siç vijnë vegimet, ashtu edhe mendja ime dukej se po ndriçohej nga pak në këtë mugëtirë hipokrizie. Nuk ndodhi kështu, vetëm disa këpucë të panevojshme të tyre fluturuan që, sipas po këtyre protestuesve, simbolizonin protestë ndaj fjalës së lirë(!) Sa humor bëhet në këtë vend, edhe pse pak besojnë në humorin e shqiptarëve! Po luftohet me “këpucë”, për fjalën e lirë! Por, edhe për dhunën ndaj gazetarëve..., qesharake!
Ashtu si edhe ata, edhe unë kërkoj të dënohet çdo njeri që godet, që dhunon jo vetëm gazetarë; sikurse uroj shërim nga lëndimet për kolegun Baze. Por, po në emër të fjalës së lirë, po dua të t’u kujtoj këtyre gazetarëve këpucë-hedhës, se qëllimi i tyre është më tepër se i dyshimtë. Them i dyshimtë, teksa nisem nga fakti se nuk pashë aty asnjë nga ata gazetarë apo liridashës të fjalës t`i kërkonin mikut e ish-mikut të tyre, Berishës, ndonjë pallat, nga shumë pallatet që pronarët e medieve apo edhe syresh gazetarë–protestues kanë ndërtuar. Mbase, me këtë rast ndihmonin i shkruesit të jenë më të dashur me fjalën e lirë! Po të mos shkojmë deri te kjo kërkesë, sa fëminore aq edhe të pakuptimtë, për ata që protestonin me kostumet shik. Thjesht, po rendis këtu disa nga momentet e tyre, ashtu të firmosura në zyrat partiake. Më kujtohet se një pronar mediesh, në kohën kur pakkush dinte ç`ishte “gazetaria e lirë” në vendin tonë, ndërsa vinte dita e pagave, kalonte në një gjendje shoku, irritimi, aq sa agresiviteti i Al-Capones Taçi të duket foshnjor. Ky botues dhe gazetar qëllonte me shpulla këdo që të gjente para tij apo, akoma më keq, t`i kërkonte që të paguhej. Nuk arrinte të kuptonte se një gazetar duhej të paguhej, ndërsa histerizohej para vlerës qesharake, që duhej të firmoste për rrogë, përballë shumave që Ai-Ata vilnin nga firmat piramidale. Kjo i bënte këta njerëz të ndjenin frikë, të strukeshin, si për të harruar të kaluarën e tyre mjeruese, kur dëgjonin se dikush e pranonte atë vlerë qesharake, por shumë të rëndësishme për ata që e vlerësojnë çka është e Drejta në një marrëdhënie me punën, me profesionin, me jetën dhe parimet e tij!
Dje ishin bashkuar shpullë-dhënësi e shpullë-ngrënësi. Aspak nuk ndryshonin! Dikur ai ndërtonte pallate e bëhej pronar toke, sapo dilte nga zyra e ish-Presidentit Sali Berisha. Kurse këta të dytët, janë pronarë e posedues pronash, sepse dinë mirë t`i zbresin e t`i ngjisin zyrat e kryeministrave apo të ministrave; po ashtu, të veshur shik dhe shik-s... Kur i pashë bashkë, pronarë e gazetarë, m’u kujtuan alarmet për bomba. Më saktë, një shoqe e kolegia ime më tha: “Anila, a të kujtohet kur varnim çantat te kangjellat, sepse jepej urdhri se mos gazetarët mbanin bomba me vete?! Të kujtohet kur vraponim, për të marrë lines-at, se as ato nuk lejoheshin në zyrën e punës, sepse pronarit i kishin thënë se do të vendosin bombë?”. Ndërsa kujtonim situatat qesharake, në vitet tona si reportere, më shkoi në mendje se mos këta protestues nuk hyjnë dot në zyra, nga frika e granatave? Dyshova, pasi kohët kanë ndryshuar dhe ato “granatat” me çanta dore tashmë janë zëvendësuar me çeqe, me firmë trojesh, me tenderë rrugësh, me pallate. E ata-protestuesit, si dashamirës për të kursyer fjalën e lirë, nuk mund të shkarravisin as dy radhë letër, pavarësisht se motivimi i tyre publik u përqendrua në hedhje të një shume për “kokën” e agresorit. Fundja, kush i pengon ata të shkruajnë si të duan? Askush! Duhet vetëm ide, për të mbushur gazetat. E ajo sot është e shtrenjtë, është e barabartë me një pallat, me një post ministri ose, akoma edhe më lart: e barabartë me postin e vetë Kryeministrit...
Por, edhe ndoshta protestuan ata gazetarë dje para mikut të tyre që, me sa duket, nuk po u jepka “ide” kohët e fundit. Kurse për fjalë-dashësit apo liridashësit e fjalës, përherë do të ketë një copë letër, ku të shkruajnë!

Wednesday, October 28, 2009

Historia e zinxhirëve dhe modeli presidencial




Nga Anila Prifti

Shqiptarët janë nevrikë. Irritohen njësoj: si kur marrin pjesë në kortezhin e gjatë të një ceremonie varrimi, ashtu edhe pas dyerve të maternitetit, në pritje të lindjes së fëmijës... Portreti i tij sa është i ekzaltuar aq edhe ka mllef.
Kështu, dy ditë më parë, pasi historia e familjes nga Peshkopia bëri xhiro në të gjitha mediet e botës, doli edhe Presidenti Bamir Topi. I irrituar, për mbajtjen lidhur për 20 vjet me radhë të dy vajzave të sëmura në Peshkopi, po aq i shqetësuar u tregua për femrën shqiptare, e cila, sipas tij, tashmë duhet të emancipohet, por edhe të ketë fizionominë e misionares Nënë Tereza. Këtë të fundit po e lëmë ta diskutojmë njëherë tjetër, atëherë kur edhe Presidenti të kujtojë se shoqëria shqiptare, në përqindje më të madhe i përket besimit mysliman e, më këtë tezë të Presidentit të tyre, mund të ndiheshin të fyera. Sikurse po anashkalojmë paralelizmin e tij, midis emancipimin të femrës shqiptare dhe dy femrave në zinxhir(!)
Ndaj, këtë herë po mundohemi të kuptojmë çfarë donte të thoshte presidenti i një vendi me 3.5 milionë banorë, përballë faktit anormal e tragjik të izolimit të dy femrave, ndërsa deklaroi se “kjo është e pafalshme për të gjithë..!”. Sa për të informuar lexuesin, fjala është për një tjetër histori fatkeqe të frikshme në vendin tonë. Pas rastit në Levan të Fierit, të 25-vjeçarit, i cili jetoi për tre vjet më radhë i lidhur në zinxhir, për shkak se gjyshërit kishin frikë mos ai sulmonte në agresivitet fqinjët, një tjetër ngjarje në Maqellarë të Peshkopisë e bëri të flasë publikisht edhe Presidentin. Dy motrat, Thëllënza dhe Fidane Keshi, përkatësisht 47 e 38 vjeçe, të cilat mendohet se jenë të paafta mendërisht, 20 vjet me parë u lidhën nga babai i tyre, Dine Keshi, me pretendimin se, kur të dilnin në rrugë, njerëzia do të tallej me to. Jo vetëm për këtë arsye, por plaku, në kushtet mjerane ekonomike, zgjodhi jetë të re për dy vajzat e tij, pasi do t`i duhej të endej në kërkim të tyre, për shkak të pasojave të sëmundjes, ndërsa i duhej kohë të punonte për të siguruar ushqimin për to. Më pak fjalë, ky fshatar, në kushtet e pamundësisë për të gjetur një strehë a përkujdesje profesionale për të bijat e sëmura, vendosi të jetojë me familjen në një mënyrë krejt të tijën, vetëm pse tashmë rastësisht merrnin frymë, por, si qenie të gjalla, duhej të ushqeheshin, të pinin, të flinin...
Mbase ka ardhur koha kur shqiptarët do të kenë gjithnjë e më shumë hapësirë, për të rrëfyer për vetveten. Dhe jo vetëm se, në këtë rast po i ndihmon Presidenti Topi, por se zbulimi i një rasti të dytë zinxhirësh, vetëm brenda pak ditësh, do të pasohet me pafundësi historish të ngjashme në tërë vendin. Pra, do të kenë rastin të dëshmojnë që e kanë kuptuar se duhet ta njohësh vetveten, më qëllim që më lehtësisht të të njohin e t’i njohësh të tjerët. Ngjarja në Maqellarë të Peshkopisë, apo të tjerat para e pas saj, as më pak e as më shumë dëshmojnë mungesën e institucioneve shtetërore, më së paku prej 20 vitesh. Ato janë dëshmi ende të gjalla, për t`i treguar edhe Presidentit Topi: Po është e vërtetë që kjo është e pafalshme për të gjithë! Por, prej nga ka ardhur Presidenti ynë që, ashtu si edhe shtetarë të tjerë, deri tashmë nuk dinë asgjë ç`ka ndodh në territorin shqiptar, i cili përshkohet deri edhe në fshatin më të humbur brenda 24 orëve?! Thua ,andej nuk bie asnjë rrugë para zgjedhjesh, apo Maqellara është e parëndësishme në vendimmarrje?!
Djali në Levan dhe dy motrat në Maqellarë dëshmojnë forcërisht apatinë shoqërore, por, kryesisht degradimin e shtetit nga qeliza e tij; nga përfaqësuesi lokal e deri te vetë kreu i tij. Siç duket, shqiptarët dhe Presidenti i tyre do të kenë mundësi të tregojnë se, pavarësisht se jetojnë në kalendarin e Internetit, janë të vonuar për të shembur muret e errëta mentale, ato mure që nuk na lejojnë të shohim me qartësi për çfarë jemi, kush jemi...

Wednesday, October 21, 2009

Zinxhirët e një shoqërie në verbëri



Anila Prifti


Një kasolle dje mbeti bosh. Mysafiri i vetëm i saj e braktisi. Mbërritën aty gjuetarët, e prej saj nxorën “egërsirën” nën zinxhirë. Të parët, ata që e lidhën me hekura, ishin të një gjaku me mikun e kolibes. Per te mos u turperuar, për të mos bërë zhurmë ose, meqenëse ngjasonte me një “bishë”, duhej lidhur dhe mbajtur larg nga njerëzit.
Të dytët ishin “vrasësit” e zhurmës. Ia zgjidhën zinxhirët e trashë e të keqpërdredhur - për të mos dëgjuar për pak çaste ulërimën e tij - e për ta degdisur te një palë “zinxhirë” të rinj.
Fatkeqi 25-vjeçar u bë preja e frymëzimit të tyre.
Sot kasollja është bosh, por errësira ende aty; ashtu si te “Minjtë” e Dino Buxattit, që i detyruan Fisnikët të bëheshin Shërbëtorë e të vlonin qull në kazanë, ndërsa kacavirreshin në trupin gjysmë të zhulosur.
Janë gjurmët e një shoqërie në verbëri, që nuk do të gjejë dot shpëtim. U tha se zgjidhen zinxhirët e një të sëmuri mendor në Fier, ashtu sikurse u tha se ishte i tillë, prandaj edhe ia lidhën.
Mes një loje psikikësh; dhe  Mark Tuein me  “nëse mendojmë se të gjithë janë të çmendur, zhduken misteret në botë”, nuk të ngushëllon aspak.
Çfarë mbetet pas zgjidhjes nga zinxhirët të një të sëmuri mendor? Çfarë mbetet në atë kolibe, ku është injektuar egërsia e një shoqërie në primitivitet? 
Janë gjurmë të tanishme të kultivuara herët. Është portreti i një shoqërie të dhunshme, të ashpër, ku më shpesh se me mirëkuptimin, respektimin reciprok, adhuron agresivitetin, dhunën, brutalitetin.
Të edukuar me revolucionin me dhunë, me luftën e klasave, me dhunimin e ideve, me zgjidhjen me dhunë, ajo (DHUNA) është ngulitur në nënvetëdijen tonë, si mjet, si mënyrë jetese. Është çelësi ynë për të hapur dyert e problemeve, si manifestim i një karakteri të caktuar, si burrëri, si qëndrim, si revoltë, si rebelim. Edhe gjyshja zgjati duart të lidhte zinxhirët në këmbët e nipit agresiv. Kudo të rrethuar nga DHUNA. Është ajo që merr frymën, na kërcënon në rrethana të ndryshme; ajo ka qenë dhe mbetet një konstante e ndërveprimeve tona të përditshme. Është dhuna e shtetit represiv, është dhuna individuale kundra shtetit; dhuna në familje; dhuna etnike; dhuna fetare; dhuna raciale, terroriste, dhuna që ushtrojmë ndaj njëri-tjetrit. E, si shpërblim Lulëhena, ajo lule, për të cilën tregojnë se përjetëson shpirtin dhe mendjen e njeriut, nuk ekziston!
Kjo është gjithçka përfton nga ajo skenë horrori, në kasollen ku për tre vjet me radhë u mbajt i lidhur me zinxhir një 25-vjeçar. Kjo histori nuk ka ndodhur në ndonjë xhungël apo në ndonjë planet tjetër.
Vetëm 100 km larg metropolit shqiptar, po aq larg edhe selive shtetërore. Në Levan të Fierit, Fatmir Rashu, prej më shumë se 3 vjetësh, bënte jetën e një bishe të lidhur me zinxhirë në kolibe. I braktisur nga prindërit e tij, Fatmir Rashu u mor nga gjyshërit, por 5 vite më parë, një traumë e shkaktuar nga mungesat e shumta, si shkak i varfërisë, por edhe si shkak i një incidenti, që të afërmit nuk duan ta tregojnë, bëri që i riu të kthehej në një të sëmurë mendor agresiv.
Kështu u servir buja e një ngjarjeje pa precedent. Kështu u mësua e vërteta e lidhjes së një njeriu me hekura, për të mos prishur rehatinë e paqtë, së pari, të atyre që e rrethonin e deri në rehatinë e një shteti që kërkon liberalizim vizash… Kështu, gjyshërit e tij u kujdesën për fqinjët xanxarë, që trembeshin nga djali. Të gjithë ishin dëshmitarë të horronit: mjekët, fqinjët, të afërmit e djalit, banorët fierakë, shteti; policia, pushtetarët lokalë etj. Asnjë prej tyre nuk iu afrua kasolles, për të parë nëse një kupë xingu kishte apo jo ujë të shuante etjen e kësaj qenieje, e detyruar të jetonte në botën e ferrit.
Dje, ata luftuan më zhurmën, me atë zhurmë që prish gjumin e ndonjë pushtetari, e “sulmuan” kasollen, si shkaku i gjithë kësaj komedie të çmendur. Nxorën prej aty 25-vjeçarin, ...

Wednesday, October 14, 2009

Pse dyshoj te shqiptarët...


Nga Anila Prifti



Pse dyshoj, se shqiptarët janë të paaftë, për të qenë pjesëmarrës në Procesin e Ndryshimit? Mos kjo më ndodh, për shkak të vetëmosbesimit apo për shkak të frikës ndaj të panjohurës? Apo nga vetëvlerësimi i tepër kam frikë të besoj te të tjerët? Në fakt, nuk eshtë kështu. Kjo, për shkak se çdo ditë, në 19 vitet e fundit pas diktaturës, për mua ishte e panjohur, e re, e frikshme ose e bukur, me ngjyrë ose pangjyrë. Por edhe rezultatet, në marrëdhëniet e mija profesionale, më kanë treguar të kundërtën. Sikurse nuk jam mosbesuese, derisa transmetoj optimizëm e vullnet apo kërkoj ndihmë e delegoj detyra në çdo sferë të jetës. Nuk dua në këtë shkrim të injoroj bashkëqytetarët e mi. Mospasja i një ideje, për t’u larguar prej këtej, për shkak të këtij dyshimi, apo prejardhja dhe lidhjet e gjakut me shqiptarët e mëdhenj: Fishta e Gazullorët, asesi nuk më orientojnë drejt fyerjes për racën, së cilës i përkas edhe unë. Dyshoj, sepse, si reportere prej 16 vitesh, në bisedë me njerëzit e di që prindi i sotëm, në ankth të pashpjegueshëm për të parë fëmijën duke qeshur, e ushqen me playstation apo, e kundërta, e hedh në rrugë... Shqiptari i sotëm, përherë e me tepër po lobon mes vetes, për të kthyer në kulturë majmunërizimin. Ikën nga origjina, nga traditat, për t’u futur në zhurmën e ditëve moderne, se aty ndihet me i fuqishëm. Ky bashkëqytetar, 50 vjet i këndoi dhe i dhuroi lule udhëheqjes diktatoriale dhe, po ashtu, edhe sot i buzëqesh e i serviret një zyrtari apo pushtetari, për një vizë, si punëtor ndërtimi a pastrimi te fqinjët me kombësi tjetër. E, si të mos mjaftonte ky mjerim deri në vetëdegradim të personalitetit, të mbeturit këtu, me votën e tyre ndërtojnë karrierën jetëgjatë të klaneve mafioze. Fëmijëve të sotëm u dërgohen mësues injorantë e, sikur të mos mjaftojë kjo, u serviren edhe libra demagogjikë. U flitet për të ardhmen, pa të kaluarën. U kërkohet civilizim, jo nëpërmjet njohjes së historisë së vendit e tyre, por me anë të botës virtuale, edhe pse gjysma e popullsisë nuk mund të shlyejë as faturën e energjisë. Por çfarë ndodh me trurin e shqiptarëve? Neurologët e dinë se truri i njeriut ndahet në tri zona a sfera: e mbrapme, e mesme dhe ballore; secila me një funksion të veçantë, por të tria në shërbim të njëra-tjetrës. Ata thonë se një ngacmim hyn në trup, fillimisht nga fijet nervore të shtyllës kurrizore. Prej andej, ato mbërrijnë në zonën e mbrapme të trurit dhe aty shndërrohen në ndjenja, të cilat pastaj hyjnë në zonën e mesme të trurit, ku shndërrohen në emocione. Nga truri i mesëm, emocionet kalojnë në pjesën ballore, ku aty përzgjidhen, frenohen, kontrollohen, përpunohen, zbuten e arsyetohen, para të shprehen, a shfaqen jashtë në formë sjelljeje, me të qeshura a të qara, me butësi a zemërim. Përmes emocioneve, shtrohet rruga midis ndjenjës dhe arsyes. E njëjta gjë ndodh në një shoqëri, ku rolin e pjesës ballore e luan udhëheqja; por kur ajo mungon, është e paaftë, a nuk funksionon, ose e kundërta atëherë dhe shoqëria mbetet “pa frena” dhe e çorienituar. Njerëzit i drejtohen të kaluarës për t’u mbushur me ndjenja, që shndërrohen në emocione, të cilat shprehen të kontrolluara ose të shfrenuara, në varësi të aftësisë së pjesës ballore. Në muzeun Warren, pranë shkollës mjekësore të Universitetit të Harvardit në Boston, ndodhet e ekspozuar një kafkë njeriu, pranë saj një shufër hekuri. Kafka, e ekspozuar në Muzeun e Anatomisë në Harvard është vendosur aty rreth viteve 1870. Ajo dallohet për një vrimë të madhe, që fillon në mollëzën e majtë e del vertikalisht në pjesën e sipërme, të përparme të kokës. Historia ndodh në shtetin e Vermontit, rreth 160 vjet më parë. Në atë kohë, 25-vjeçari Phineas Gage - kafka e tij është e ekspozuar - punonte si përgjegjës në një stacion hekurudhor mallrash. I edukuar, i sjellshëm, drejtuesit e stacionit e mbanin si një nga menaxherët më të mirë e më të suksesshëm dhe të respektueshëm. Phineas ishte edhe shok i mirë. Në mbrëmjen e 13 shtatorit 1848, ndërsa Phineas jepte udhëzimet e fundit dhe bëhej gati të zbriste nga treni, makinisti, që po provonte frenat, shkaktoi një dridhje të fortë të vagonëve. Ai u rrëzua në tokë. Koka i kishte rënë mbi një shufër hekuri, që kishte kaluar tejpërtej nga mollëza e majtë, nëpër sy e për të dalë në pjesën e sipërme të përparme të kokës. Të gjithë menduan se Phineas vdiq. Por ai po merrte frymë; e vunë trupin në një karrocë dhe e nisën urgjentisht në spital. Pas një jave, Phineas doli nga spitali. Plaga i ishte mbyllur dhe ai u kthye në punë. Kaluan vetëm disa ditë dhe ata që u gëzuan mbetën të zhgënjyer. Phineas nuk ishte më ai i para aksidentit. Ai bëhej nevrik, shante, mallkonte, bërtiste dhe shpesh jepte urdhra kundërthënëse. Aq i padurueshëm e i paarsyeshëm u bë, sa e pushuan nga puna. Ai filloi të shkonte nga një spital në tjetrin, por mjekët nuk shihnin tek ai ndonjë problem fizik, as edhe mendor. I thoshin se nuk kishte gjë, si dhe e këshillonin të tregohej më i sjellshëm me të tjerët. Phineas kishte ndryshuar plotësisht, në sjellje e karakter. Filloi jetën e endacakut, nga qyteti në qytet. Në New York, për shembull, ai zinte vend në ndonjë rrugë me shumë kalimtarë dhe, për të fituar disa dollarë, u tregonte atyre se si kishte mbetur gjallë nga aksidenti, edhe pse shufra e hekurit i kishte hyrë nga një anë e i kishte dalë në anën tjetër të kokës. Për të vërtetuar ato që thoshte, Phineas mbante në njërën dorë shufrën e hekurit dhe me tjetrën tregonte vendin bosh, ku më parë ndodhej syri i majtë. Pastaj dora e tij prekte shenjën në faqe dhe gjurmën e vrimës së mbyllur, në pjesën e sipërme të kokës.
Vërtet ne, të jemi një Phineas me shufër hekur e vrimë në kokë?!

Tuesday, October 13, 2009

Në botën e marrë...

Ti s'je veç një vizitor i trishtuar në këtë tokë të marrë. Vargu i famshëm i Gëtes, për imazhin e ekzistencës së njeriut, godet frikshëm sot. Vrulli, me të cilën vijnë lajmet e ditës, ngjajnë me zhuzhutë e lodhshme në një urban, i cili, për 45 minuta i bie rreth e qark Tiranës. Kaq është metropoli i vendit, me dy milionë e gjysmë banorë të këtushëm. Në kaq pak kohë, dëgjon thjesht gjithçka ndodh në një vend për Kryeministrin, që kërkon central nuklear; për Presidentin, i cili pushon në mesditë në banesën e tij rrëzë Dajtit; për "Dosjet"; për vizitat "investiguese" në Gjermani; për Kodin... dhe... trillet e Daun Braën; për "Fazlliç" e për "Basha".
Të gjithë flasin kudo dhe sido që t’u vijë për mbarë. Në këtë vend, fjala është e lidhur me ASGJË-në. Një mik shkruan... Recipienti ynë budallallepset me lirinë e fjalës së shndërruar në pallavër të mërzitshme, të fjalës që nuk hyn më në luftë me të keqen e që nuk bëhet asnjëherë vepër...
Ekranet diktojnë kritikët; kritikët të kujtojnë këndvështrimin; shtetarët i fshihen eprorit, KY i fundit vrapon drejt xhaketës së mikut, miku shikon xhepat.
Ata Lart, së bashku marrin portrete heronjsh, ndërtojnë histori konspirative, fluturojnë bashkë – dhe pak djathë dhie, pas kënaqësisë për miliona të humbura në misterin e ruletave-kaziono. Se kështu u pëlqen me tepër: lojtarë të kohëve moderne. Flitet për mafien, mafien dhe shtetin; por askush s'po di se ç'është. Një romancier prej së largu shkruan: Bota e pushtuar nga mafia, sot është gjallë me katër policë roje. Pakkush ka aftësi të parashikojë dhe të projektojë vetveten. Mungesa e përgjegjësisë po ndërton botën e Mediokritetit; larg së vërtetës. Bankierët kujdesen për imazhin dhe erën e parasë! Në trotuarin e një prej rrugëve kryesores të Tiranë, njëqind metra larg karriges së kreut të Shtetit, dyqind metra larg asaj të Kryeministrit, trupi i një 27-vjeçareje u çart. Në fund të udhëtimit të saj të lodhshëm për punë, në vendin e 28 mijë të papunëve, i jep fund jetës, duke u hedhur nga kati i pestë i një apartamenti.
Të frikësuar. Zot larg meje! Ç’bëhet kështu, u shurdhuam! Çdo ditë një, dy, tre... zgjedhin të vdesin në këtë mënyrë. Pesëqind mijë nga 2,5 milionë, këtu rropaten në dyert e psikiatërve; nis loja mes jo vetëm të çmendurve. Një burrë në Krujë vret gruan, pas një jete të tërë dhune ndaj saj. Mbi 60 të vrarë në familje u shënuan në 12 muajt e fundit: çdo ditë një grua a një fëmijë kërkojnë ndihmë. Pas kësaj..., shtrihet indiferenca dhe banditizmi. Pesë mijë krime vetëm në Tiranë për 2008-n: të vrarë 18 persona, 60 raste në tentativë, po kaq të vrarë nga aksidentet. Rreth 30 mijë veta janë përdorues të drogës e po aq të alkoolit. Dy miliardë euro fitohen vetëm nga kalimi i drogës së Afganistanit, disa herë rritet vlera e të ardhurave nga trafiqet e tjera. Mbi 400 mijë në varfëri; 2 dollarë në ditë, 100 mijë në minimum jetik. Migjeniane! Lajmet e fundit tregojnë për shtim të prostituimit; mijëra shqiptare në metropole evropiane, kurse vendaset, një në katër të kësaj gjinie, nga mosha 14 deri në 55, prostituon ilegalisht në parapagesë: një pjesë prostituim aferash e për vend pune.
Është edhe ngujimi. Mbi një mijë familje, të ardhurat e të cilëve i klasifikojnë në rangun e të pasurve, jetojnë në makth. Fëmijët tyre vështirë ta shohin diellin e mëngjesit, ndërsa baballarët kujdesen t'u punojnë mirë armët. Pesë mijë të tjera kanë zgjedhur të rrinë brenda mureve, në pritje të gjakësit. Numri i analfabetëve ka arritur në tetë mijë. Të gjithë të lirë për zgjedhje, por asnjëri për ku. Budallalpse që në ngjizje; të rinj të detyruar në kënaqësi të përkohshme, prindër të terrorizuar, arratisje nga realiteti, frymorë të lirisë së madhe. Për ngushëllim vijnë fjalët magjike antikorrupsion, antikrim, mirëqenie. Në këtë të fundit, kryetari i komunës është edhe pronar toke, kryetari i bashkisë, më së paku gëzon një pallat, ndërsa ministri, pse jo, mbase një bankë.
Të gjithë të marruar! Blejmë ekrane për fjalën e lirë, "thyejmë" vitrinat për të brendshmet e Becam-it, krahasojmë kryeparlamentaren tonë me Mbretëreshën e Anglisë. Një kostum dy mijë euro; nxitojmë të shpohemi me vaksinën e skaduar, rrezohemi nëpër puseta; u hapim rrugën blinde-ve presidenciale; të sëmurëve psikikë u veshim mantelin artistik në krye të shtetit dhe, në mbrëmje vonë, trembim gjumin me poezitë e errësirës. Dikush, mes gjithë të marrëve, zgjedh të jetojë me revolucionarët e vdekur!

Dhjetor, 2008- AGON

Thursday, October 8, 2009

Vermoshi, aty ku lutemi të mos shkelin “barbarët”










Nga Anila Prifti

Njeriu i sotëm, me përformancën e një dordoleci - trembës i shpendëve - ka shpirt shkatërrues dhe bën të lotojnë në dhimbje edhe malet. Por ende ekziston një “ishull” i kristianizmit, ku “barbari” s’ka mbërritur ende. Shfaqet madhështor një amfiteatër natyror, që të fal mrekullinë e qytetërimit tremijëvjeçar, që gjendet ende në një gjumë magjik!
...Ky është Vermoshi. Të mbërrish deri aty, nga Malësia e Madhe duhen ca orë rrugë nëpër male e leqe, ku të shumtën e kohës mbyll sytë të mos shohësh thellësinë, për të cilën vendasit të tregojnë se ka ende fantazma legjendash. E, nëse i referohesh ndonjë ndalese në rrëfim, prej tyre mëson se në vitin 1890, një familje dimëroi aty për arsye shëndetësore, porse nuk u largua më. Pesë vite më vonë këtu u ngritën 12 shtëpi dhe më 1909-n Vermoshi bëhet kryeqendra e Bajrakut të Selcës. Kështu shpjegohet fillesa e këtij vendi... Me firmosjen e Protokolli më 1925, katër vjet pas diskutimeve në Konferencën e Parisit, Vermoshi i mbeti plotësisht Shqipërisë, duke larguar pretendimet e malazezëve, përherë në tentacion për ta cilësuar si tokë brenda kufirit sllav.
Nga ajo kohë, gjelbërimi dhe pasuria e specieve dhe e bimësisë zgjohet lehtë, sa herë këtu mbërrin ndonjë i detroitizuar apo i milanizuar, për të lënë apo hedhur në lëndinë kockat e ndonjë kafshëze të pjekur në hell. Apo, edhe kur, në emër të traditës, çdo muaj gusht, nga “Shtatë Bjeshkët” zbresin në LOG vajzat hipur mbi kuaj, që sfilojnë dhe konkurrojnë për “Mis Bjeshka”. Deri diku, kjo festë me veshjen, me xhubletën karakteristike, krehja e flokëve të grave, të afron me traditën dhe natyra t’i dhuron ylberet njësh me notat e Bethovenit. Lartësohesh në ndjenjë, tek sheh kuajt të zbresin me bukuritë femërore e, prej së largu, dëgjon zërat e historisë për bjeshkët e frikshme... Pjesa tjetër, sa qesharake aq edhe e mjerueshme, kur njerëzit e metropoleve zbresin në këtë mrekulli.
“Vajzat e miss-it vijnë nga Italia, nga Amerika, nga Belgjika”, - thotë Mrija, gruaja që për shumë kohë do të jetonte në këtë vend, ku shpirti merr jetë. Dëshira e saj është t’i shohë vajzat e fshatrave përreth bjeshkëve: vajzat e Veriut. Por kjo nuk ndodh dhe ndoshta s`do të ndodhë më kurrë. Shumë prej imazheve të “gruas së Bjeshkës”, ende në pubertitet, janë fejuar a martuar, ose ikur me shpejtësi prej mrekullive, për t’u kthyer ditën kur harrojnë të heqin takat e të vendosin këmbët në barin e lagësht e të freskët!

* * *
Vermoshi gjendet 1 200 metra mbi nivelin e detit. Sot aty numërohen 350 shtëpi, 200 prej të cilave janë të braktisura, pasi njerëzit kanë emigruar. Shumë mendje orvaten ta popullojnë këtë vend dhe, në emër të saj, ndjejnë keqardhje për ikjet, për braktisjet, apo për vizitat e rralla të vendasve emigrantë. Ka edhe prej atyre që vënë mikrofonin, se për në Vermosh duhet një rrugë e asfaltuar, apo një dalje e lirshme nga malazezët. E gjitha kjo, për të hedhur një tender në treg e dikush ta vjedhë atë. Kështu merr udhë çmenduria njerëzore. Në emër të ideve për zhvillim, gjasat janë që edhe këtu të shkelin “barbarët”, për të prerë pemët, për të vrarë shpezët e kafshët, a të ngrenë pallate të shumëngjyrëshe, pse jo, për të betonizuar lëndinat me hotele e kazino dëfrimesh, për barkmëdhenjtë e pushteteve gjithfarësh...
...Lugina e Vermoshit, në Veri të Shqipërisë, rrethohet nga dy faqe mali të mëdha alpine, të cilat mbulohen nga pyje ahu e bredhi: në Veri kurrizi malor i Marlules dhe në Jug Kurrizi malor i Vilës. Lugina, e cila përshkohet nga një lumë me të njëjtin emër, të shpie në Lugun e Gucinjës, prej së cilës ndahet nga qafa e Vjedernikut. E tëra, si në pjesën shqiptare edhe malazeze, është natyralisht çlodhëse. Rrafshnalta horizontale perëndim-lindje e luginës së Vermoshit, deri në afërsi të Plavës, ka një gjatësi rreth 24 km. Nga qafa e Bordolecit, vështrimi njeh Bjeshkët e Namuna, kurse nga Pedana e Vermoshit njeriu prezantohet me kurorën dhe tragjedinë e bjeshkëve. Thellësia e gjelbërimit të virgjër kurorëzon ndërtimet alpine dhe fetare, të cilat janë vepër arti. Këtu ka jetuar njeriu kelmendas, ky arkitekt i rrallë i marrëdhënies së jetës me natyrën, që të afron me ndjenjën universale të kënaqësisë.

* * *
Vermoshi është fshati më i populluar në Kelmend. Nga këtej e prej këtij vendi njohëm (sa mundëm) Norën, Norën e Kelmendit, personazhin simbol të qëndresës heroike, që thuhet se vrau në çadrën e tij pashain turk, ndërsa Mem Smajli, më 1860-n u bë tmerri i sllavëve që pretendonin Vermoshin. Varri i këtij personazhi legjendar gjendet dhe nderohet edhe sot në Bjeshkët e Pojanicës.
Shtëpia muze, ndërtuar më 1993, ende pret vizitorë. Aty tregohet për Prek Calin, që luftoi për të mbrojtur Vermoshin dhe Kelmendin në vitet 1913, por që u pushkatua nga komunistët në vitin 1945. Duke kaluar për në Vermosh, pak pa arritur në qendër, të shfaqet ura me histori 500-vjeçare, Ura e Tamarës.
Aty është ngritur memoriali për gjithë emrat e atyre që u përballën me diktaturën. Në Selcë (bri rruge), në vendin e quajtur Suka e Mkushit, është një tjetër memorial, ku janë skalitur emrat e atyre që u vranë në fushëbetejën me turqit, më 25 prill 1911.
Në Vermosh ka edhe lumë, madje me shumë degë e burime, gjatësia dhe shtrirja e të cilit të mahnitin me sinkronizimin që thuajse duket i përjetshëm.

* * *
Vermoshi rrethohet nga Lugu “i varur” i Skropatushës, Lugu pa dalje i Dolit dhe Cirku i Smutirogës, shkëmbinjtë e rrudhosur gjatë rrugës për në Lepush, shpella karstike e Jacicës, Lugu i Lerthit, i Vilës, Lugu i Nilës. Burimet e panumërta kanë ardhur deri në ditët e sotme si homonime, me emra njerëzish apo fisesh. Ka burim për gruan dhe burrin; kështu janë trashëguar, kohë pas kohe. Gurra e Smutirogës thuhet se ka ujë të shëndetshëm për Femrën dhe Gurra e Sefercës ka ujin e duhur për Burra...
...Tani jemi në vendin e quajtur “Qafa e Përdelecit”, vend ku na jepet të përcjellim festimet garuese të “Logut të Bjeshkës”, trashëguar prej shekujsh këtyre anëve nga kelmendasit. Dikur, ky log shërbente si vend për kuvendim burrash, ndërsa tani luhet “Mis Bjeshka”!

Thursday, October 1, 2009

Të punësuar në Facebook

Nga Anila Prifti

Prej kohësh, media po shfaqet e pangjyrë, asgjë nuk ndodh. Por orët për lajme të bukura e ato pozitive duket se kanë mbërritur. Numri i të papunëve në Shqipëri është ulur!- kështu njoftonte një nga televizionet që ndihet i afërt me qeverinë. Dhe natyrisht, vijon informacioni, kjo falë programit të Partisë Demokratike, e cila në fushatë premtoi përgjysmimin e të papunëve, por edhe të LSI-së, që u premtoi ithtarëve të tij 180 mijë vende pune.
Një lajm i tillë duket sikur e ka kthyer entuziazmin edhe te partiakët e të dyja kaheve, të cilët ndihen më të qetë e nuk do u gjëmojnë veshët nga zhurma e të papunëve, si lukunia e ujqërve të uritur. Po lajmet duket se mbërrijnë me vonesë në zyrën e kreut të Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Robert Bosch, tek ambasadori gjerman Bernard Borchard, apo tek ambasadorët e tjerë në Tiranë, të cilët prej ditësh paraqiten publikisht, duke i kërkuar opozitës futjen në Parlament, sepse, në të kundërtën, është kosto politike për ta dhe pengesë në procesin për integrimin në Evropë. Porse Borsh apo dhe diplomatët e tjerë, pavarësisht se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje të zëshme nga selia e PS-së, në heshtje, e kanë të qartë se kërkesat të tyre për t’u futur në Evropë nuk do të plotësohen, si të hyjë opozita në parlament apo të vijojë bojkotin.
Por problemi qëndron tek shqiptarët, pra, në po binden ata se vërtet numri i të papunëve është reduktuar. Çdokush që jeton në këtë vend duhet të entuziazmohet për një lajm të tillë, sepse lind shpresa e ndryshimeve të bukura, çka kërkojnë edhe partiakët. Por jo gjithmonë kjo aksiomë është e vlefshme. Sidoqoftë, për të mos prishur atmosferën e gëzueshme, shqiptarët, në pamundësi për të qenë përfitues nga ato mijëra “vende pune” që ka siguruar qeveria, kanë filluar të punësohen virtualisht. Kjo ishte ndjesia që mu krijua pas një bisede me një mikun tim, me të cilin nuk ishim takuar prej kohësh. Po bisedonim pikërisht për këto ndryshime dhe fytyrat kishin marrë një pamje të qeshur, aq sa po besonim për kohë të bukura. Edhe më skeptiku në këto ditë shfaqet i lumtur. Biseda me të shpeshherë ndërpritej nga telefonatat dhe, papritmas, ajo çka ai përcillte tej bashkëbiseduesit, jo vetëm që e shtonte humorin e gëzimin, në të cilën isha përfshirë, por më ishte afruar edhe befasia, po prej lajmeve të bukura. Shprehja e fytyrës së burrit përballë dukej e paqme. Të jepte përshtypjen se sapo ishte kthyer nga pushimet në ndonjë ishull, mes frutave ekzotike e aromës së pemëve, por edhe lojës së majmunëve kacavjerrës. Në çast, mendova se herën e fundit, kur isha takuar me mikun, burrë e grua ishin të papunë, dhe shqetësimi kryesor ishte rritja e tri fëmijëve ende të vegjël. Kishte kaluar kohë dhe s’kisha arsye të mos gëzohesha nga ato çka dëgjoja prej tij, po në bisedë telefonike.
- Po babi, mos u mërzit e punon traktori tokën, - i thotë të birit në telefon. Nuk vonon dhe një tjetër porosi: - Ti me vëllanë vilni pemët, se u kalon afati. Sa më shumë zgjatej biseda, aq me tepër entuziazmohesha, por edukata ime e tepërt, pa dashje me vuri në pozicionin e të kompleksuarës, pasi çfarë po dëgjoja më dukeshin të pashpjegueshme. Biseda vazhdoi po me ritmin e fillimit dhe tavolina mori atmosferë festive kur, një pas një erdhën edhe të tjerë miq të përbashkët, si zakonisht në fundjavë. Fytyra të qeshura, të qeta; kjo ishte gjithçka dëshiroja unë për ta. Por, si shpesh e kritikoj veten time - nuk më kaloi pa vënë re një detaj - asnjë shikim nuk ishte i përqendruar, sytë lëviznin tej hapësirës së ekzistencës në atë tryezë miqsh e dashamirës. Shfaqej si mungesë vëmendje, por, gjithsesi, kjo nuk mund të besohej, aq më tepër në raporte të tilla. Nuk vonoi shumë dhe dyshimet e mija i ndërpreu një tjetër telefonatë. Ishte sërish djali i mikut tim; diçka i tha të atit. - Shumë mirë, thuaji ta korrë edhe grurin, - ia ktheu ky.
Ndjeva nga pak humorin të më largohej dhe një ndjenjë e çuditshme po e zëvendësonte. Po dëgjoja si shumë rreth mirëqenies, angazhimit maksimal e preokupimit të fitimit, saqë m’u duk vetja në miniaturë, diku e humbur nëpër gazeta të bojatisura, që vetëm të pasur në financë nuk të bëjnë. E, si rëndom, ndodh në kësi rastesh që lakmia dhe xhelozia po afroheshin, po me shpejtësinë e humorit të ikur. Mos ndoshta, miku im ka po atë edukatë të tepruar sa unë, e... po ndihet keq të më tregojë, se është bërë i pasur, nuk do të më lëndojë, të ndihem me komplekse në varfërinë time, apo çfarë?
Sapo ky mendim trokiti në portën e mendjes sime, u ndjeva edhe me keq. Si nuk e kupton që unë do të isha e lumtur të më tregonte për atë çka ka arritur e fituar këto kohë që nuk kemi mundur të takohemi? Vendosa të mos flas sërish, kurse bisedat tashmë po më vinin si në largësi. Kishin kaluar pak minuta, kur, atë moment timin pa pikë takimi, e trembi një tjetër telefonatë. Dëgjohej zëri i një femre, që shpjegohej e arsyetohej për diçka, por, ndërkohë, edhe qeshte me tingullin e një kambane.
– Po dil e fol, çfarë pret? Ata po bëjnë namin, ikjen tuaj nga Parlamenti po e cilësojnë turp! Do t’u ngelet juve fatura, duhet të dalësh të flasësh më zë të lartë! - i thotë miku im gruas tej telefonit.
Për pak harrova të shpjegoja pak më lart se, që nga momenti kur burrë e grua mbetën pa punë, mikut tim i pëlqeu të merrej pak me politikë dhe, që nga ajo kohë përcillte çdo lajm mbi situatën politike. Edhe bashkëbiseduesja, me siguri duhej të ishte një politikane në opozitë. Fytyra e tij qesh dhe, një tundje koke miraton atë çka ajo po i shpjegonte.
– OK, OK, dërgoje elefantin dhe më pas dil e fol. Oooo, mos harro, atë elefantin zgjidhe baby, se cilësohet si dhuratë më me vlerë, - i thotë. U bëra lëmsh: tokë, traktor, grurë, pemë, fruta, elefantë nga njëra anë, në anën tjetër Borsh, Borchard etj. Ç’po ndodhte?
Habisë sime shpejt dikush i dha përgjigje me një pyetje. Jeni futur e po luani në FarmVille? Kurse diplomatja po i dërgonte dhuratë një baby elefant, kolegut të saj të opozitës... Tani gjithçka ishte e qartë. Ishin të punësuar në... Facebook.

DOSSIER - Rrëfimi i plotë i Adriatik Colit: Ja si funksiononte Banda e Durrësit

Unë kam ikur në Itali dy ditë pas vrasjes së shtetasit Ilir Koldashi, në fund të muajit tetor 2005, në vendin e quajtur "Disko e shtetasit A.Zeneli", e cila ndodhet tek "Sheratoni". Unë kam qenë bashkautor në këtë vrasje dhe u largova në Itali për t'iu shmangur kapjes nga policia. Shkova në Itali dhe qëndrova 4 muaj. Aty mora vesh që kishin ardhur persona për të më eliminuar. Po kështu, mora vesh që të gjithë përgjegjësinë për vrasjen e Ilir Koldashit ma kishin hedhur mua. Në Itali kam mësuar se kishin dërguar njerëz për të më eliminuar shtetasit Indrit Dokle, Lulzim Berisha si dhe të afërmit e viktimës. I gjendur në këto kushte, vendosa që me vullnetin tim të lirë të kthehem në Shqipëri dhe të paraqitem para organeve të Drejtësisë për të deklaruar gjithçka di lidhur me vrasjen e shtetasit Ilir Koldashi, si dhe të gjithë aktivitetin kriminal të grupeve kriminale të qytetit të Durrësit, në të cilat edhe unë kam qenë pjesëmarrës. U nisa nga Italia dhe shkova në Austri me makinë. Në kufirin midis Austrisë dhe Sllovenisë më kapi policia sllovene dhe nuk më la të kaloj për në Slloveni. Pastaj, policia austriake më kthehu në Kosovë, pasi unë u prezantova me emrin Arben Krasniqi si shtetas i Kosovës. Nga Kosova erdha me avion në Shqipëri, ku zbrita në Rinas. Pas kësaj erdha drejt e në polici, me qëllim dhe me dëshirë për të treguar të gjithë aktivitetin tim si dhe lidhjet e mia shoqërore që kam pasur më parë. Dua të shpjegoj se unë kam banuar në lagjen nr.9 në qytetin e Durrësit, në shtëpi private, lindur dhe rritur aty. Arsimi im është tetëvjeçar, të cilin e kam mbaruar në shkollën 8-vjeçare të lagjes. Pas mbarimit të shkollës kam punuar marangoz, tek zdrukthëtaria në Spitallë. Në vitin 1991 kam shkuar në Itali dhe kam jetuar përkohësisht deri në vitin 1995. Në vitin 1995 unë u nisa nga Italia për në Gjermani, për të transportuar 1 kg heroinë, të cilën ma kishte dhënë një qytetar kosovar që jetonte në Itali. Emri i tij nuk më kujtohet, pasi kanë kaluar vite. Në Gjermani, në qytetin Singen mua më kapi policia gjermane me 1 kg drogë me vete. U dënova 4 vjet burg, nga të cilat bëra vetëm 2 vite, pasi dy të tjera më liruan me kusht për të mos u kthyer më në Gjermani. Në muajin dhjetor të vitit 1997, unë u ktheva në Shqipëri pasi më ktheu policia gjermane. Kur u ktheva në shtëpi, vura re se përballë banesës time kishte ardhur për të jetuar një familje e re. Pjesëtari i kësaj familje ishte shtetasi Lulzim Berisha, i moshës rreth 35 vjeç. Unë këtë shtetas e njihja. Si rezultat i fqinjësisë ne krijuam shoqëri me njëri-tjetrin, e cila u forcua pasi Lulin e qëlloi me pistoletë Festim Qoli, të cilin e thërrisnin "Feste", ngjarje ku Luli u plagos. Kjo ngjarje ka ndodhur në verë, ndoshta në vitin 1998, tek lokali i "Xhorxhit të Nores", që ndodhet në afërsi të Nish Gomës së vjetër, në Durrës. Nga Luli dhe persona të tjerë kam mësuar se së bashku me 'Festen', atë ditë që u qëllua Luli ka qenë edhe K. Plaku. Të dy këta shtetas kanë qëlluar ndaj Lulit. Edhe Luli i kishte qëlluar ata me pistoletë, por nuk i ka goditur. Unë jam informuar për ngjarjen në orën 17:00 të pasdites dhe shkova në spital tek Luli, ku gjeta edhe disa djem të tjerë që kishin qenë te lokali, që nuk më kujtohen emrat. Që atë natë, Luli erdhi në shtëpinë e tij dhe unë e vizitoja dhe e ruaja përnatë, prandaj edhe miqësia jonë u forcua. Unë kam mësuar se shkaku i përplasjes me armë midis 'Festes' dhe Lulit ishte një shkak banal.

MIQESIA ME LUL BERISHEN
Nga mesi i verës të vitit 1998, Luli filloi ndërtimin e një shtëpie në një truall të cilin e zuri pa leje, afër shtëpisë së kunatit të tij, Plarent Dervishi. Në atë kohë, me Lulin shoqëroheshin edhe shtetasit Plarent Dervishi, Redi, vëllai i Plarentit dhe Julian Meçaj. Unë e ndihmoja Lulin për ndërtimin e shtëpisë, duke porositur në emër të Lulit materiale për ndërtimin e shtëpisë. Në atë kohë, Lulzim Berisha kishte para të shumta në dorë, pasi këtë e shikoja nga mënyra se si blinte materialet e ndërtimit për shtëpinë e tij. Në vitin 1994, Luli ka qenë në Rimini dhe erdhi në Monza me një femër që punonte si prostitutë dhe quhej Diana, e cila ishte nga Fushë-Arrëzi.
Përveç parave që Luli kishte nxjerrë nga Diana në kohën që po ndërtonte shtëpinë, unë mësova që ai merrej me transportimin e drogës në drejtim të Italisë. Në vitin 1998 qëllojnë me kallashnikov tek shtëpia e tyre, tek dritarja e kuzhinës, Redi dhe Plarent Dervishit, por nuk u godit asnjë nga ata. Më pas doli që atë natë kishin qëlluar shtetasit Tan Sallaku dhe një shtetas tjetër që e thërrisnin "Torra", emri i vërtetë është Ilir Nela me banim në Shkozet. Të nesërmen, Luli më mori në telefonin e shtëpisë dhe më tha të shkoja në Spitallë. Shkova në Spitallë dhe u takova me Lulin tek klubi i Latës. Në atë kohë, jashtë lokalit ishin Lulëzim Berisha, Plarent Dervishi, Ilir Xhunga dhe Klodian Saliu. Ata po bisedonin me njëri- tjetrin. Sa shkova unë, Luli më tha që do shkosh në Tiranë, tek lokali i quajtur "B..." dhe do të takosh një shtetas me emrin Geri, mbiemrin nuk ia di. Geri ishte shok i ngushtë me shtetasit Denis Xhilaga dhe Rimi, mbiemrin nuk ja di, i cili është pronar i "B..." Luli më tha që do takosh Gerin dhe do t'i marrësh makinën, dhe do ta sjellësh në Spitallë. Unë ashtu bëra. Shkova takova Gerin, të cilin e kisha takuar edhe 2-3 herë tek shtëpia e Plarentit. Geri ishte rreth 171 cm, me moshë rreth 23 vjeç në atë kohë, flokët kaçurrel të zeza, të shkurtra, me fytyrë të rrumbullakët. I thashë Gerit që Luli më kishte thënë për t'i marrë makinën dhe ai më dha një makinë tip 'BMË 325' me ngjyrë gri e zezë me targa TR, numrat nuk më kujtohen. Mora makinën dhe shkova në Spitallë, ku më priste Luli. Lashë makinën dhe ika në shtëpinë time. Në darkë, rreth orës 18:00 shkova përsëri në Spitallë, ku takova Klodin, Plarentin, Ilirin dhe Lulin. Këta ishin jashtë lokalit të Latës dhe po bisedonin me njëri-tjetrin dhe po bënin plani si t'i qëllonin Tan Sallakut. Ata e dinin që Tani rrinte në një lokal afër shkollës "7 Nëntori" dhe çuan një person që ta ruante dhe t'i lajmëronte kur Tani të shkonte atje. Unë nuk e dija se kush do t'i lajmëronte, por do të flisnin me telefon celular, pasi në atë kohë kishin dalë numra celularë. Luli dhe Klodi kishin celular me "20", po unë nuk ja mbaj mend numrat, se është kohë e gjatë. Rreth orës 19:30-20:00 të darkës, ata u lajmëruan se Tani kishte ardhur tek lokali. Ata hipën në makinën "BMË" që solla unë nga Tirana. Luli ishte shofer, në vend të parë hipi Klodi, ndërsa mbrapa hipën Plarenti dhe Ilir Xhungën. Plarenti kishte një armë "Skorpions", Klodi kishte pistoletë dhe Ilir Xhunga kishte pistoletë. Unë qëndrova tek lokali. Pas 10 minutash, ata u kthyen me shpejtësi dhe Luli ma bëri me dorë nga makina që të ikja. Unë ika në shtëpi, dhe kur shkova atje mora vesh se ishte vrarë Dritan Sallaku dhe ishte plagosur 'Torra' dhe Gim Rexhepi. Luli mori vesh nga policia që ishte zbuluar fotografia e Gerit ose e Denisit tek makina "BMË" dhe filloi të ruhej dhe të rrinte mbyllur tek shtëpia e Plarentit, që ndodhej te Stacioni i ri i Trenit, tek shtypshkronja "10 Korriku". Ndërsa Klodi rrinte tek shtëpia e tij në Spitallë dhe nuk dilte. Gjatë kësaj kohe, unë lëvizja lirshëm duke shkuar edhe në shtëpinë time si dhe tek Plarenti. Pas një jave, Dash Sallaku dhe Marsel Sotiri, i cili ishte shoku i ngushtë i Dashit si dhe Arjan Paja, i cili kishte ardhur nga Italia, pasi e kishte thirrur Marseli për këtë rast, filluan të lëviznin nëpër Durrës për të qëlluar Lulin. Ata po i ruanin dhe ishin vendosur rreth shtëpisë së Plarentit. Një nga këto ditë doli Redi, vëllai i Plarentit nga shtëpia rreth mesditës, ndërkohë unë isha te shtëpia me Plarentin, Lulin dhe familjarët e tyre. Redi shkoi te shtëpia në ndërtim e Lulit, e cila është afër me shtëpinë e Plarentit, për të kontrolluar punimet dhe në momentin që po kthehej në shtëpi, afër hyrjes së pallatit i afrohet duke e gjuajtur me pistoletë Arjan Paja. Emrin e personit që qëlloi mbi Redin, Lulit ia tregoi shtetasi N.K, i cili erdhi pas dy ditësh dhe bisedoi me Lulin. Në këtë moment, Redi ishte afër hyrjes dhe vrapon i përkulur dhe futet brenda shtëpisë e shpëton pa u goditur. Sa u fut në shtëpi, në dritaren e shtëpisë që shihte nga rruga u qëllua me kallash. Nga plumbat nuk u plagos asnjë. Ne nuk dolëm nga shtëpia dhe pak më vonë erdhi policia, bëri veprimet dhe na pyeti kush qëlloi, por ne nuk treguam gjë dhe policia u largua. Unë pas gjysmë ore u largova për në shtëpinë time. Të nesërmen, Luli dhe Plarenti shkuan në Spitallë dhe u takuan me Klodin, ku i treguan ngjarjen dhe pas dy ditësh shkuan dhe u vendosën tek shtëpia e dajës së Lulit në Shkozet. Mbas disa ditësh mua më thirri Luli për të çuar qenin Pitbull të tij, të cilin pasi e mora të shtëpia që kushte Luli me qira e çova në Shkozet. Aty kur shkova gjeta Lulin, Plarentin, Ilir Xhungën, Klod Saliun dhe dy djem nga Elbasani që nuk i kam njohur në atë kohë pasi kam ndenjur jo më shumë se 5 minuta. Aty, ata ndenjën rreth 3 ose 4 ditë dhe mora vesh që kishin në plan për të vrarë Marsel Sotirin, pasi ky ishte më i fuqishëm se Dritan Sallaku dhe kishte rrjet më të madh shoqëror dhe ia kishin frikën atij. Gjatë kësaj kohe nuk e realizuan dot goditjen e Marselit dhe shkuan për të qëndruar te shtëpia e gjyshit të Lulit, në kodrën e Rrashbullit. Kjo ishte një shtëpi njëkatëshe me oborr, në të cilin kishte pemë të mbjella dhe më duket se kishte dy dhoma dhe një kuzhinë.

TENTATIVA PER
VRASJEN E MARSEL SOTIRIT
Pas dy ose tri ditësh, te shtëpia në Rrashbull filloi të mblidhej gjithë shoqëria e Lulit. Atje erdhën Plarenti, Ilir Xhunga, Klodian Saliu dhe Ermir Dervishi, si dhe unë. Ndonjëherë unë shkoja vetë dhe ndonjëherë më thërrisnin ata. Aty flitej sesi do të organizonin vrasjen e Marselit. Dua të sqaroj se Marseli punonte në doganën e Tiranës dhe për lëvizjen e tij na jepte informacion kunati i R.Dervishti, me emri Gazi. Redi i kishte marrë motrën atij për grua. Gjithashtu, për të kontrolluar lëvizjet e Marselit kur vinte në drejtim të Durrësit kishim lënë Julian Meçen në Maminas, i cili do të lajmëronte në telefon celular për mbërritjen e Marselit. Vëzhgimi për lëvizjet e Marselit vazhdoi rreth dy-tri ditë. Ditën e ngjarjes në mëngjes, më thërret Luli në telefon dhe unë shkova me furgon tek shtëpia e gjyshit të Lulit dhe atje gjeta Lulin, Klodin, Plarentin dhe Ilir Xhungën, dhe aty qëndruam deri në mesditë. Aty unë mora vesh se Juli kishte dalë për të vëzhguar Marselin në Maminas, i cili lëvizte me makinë të doganës. Ajo ishte një makinë fuoristradë me ngjyrë ulliri me fenelinë. Rreth mesditës mori në telefon Juli dhe foli me Lulin, ku i tregoi se po vinte Marseli. Atëherë Luli na tha, 'hajdeni shpejt se po vjen'. Lulzim Berisha, Klodian Saliu, Plarent Dervishi dhe Ilir Xhunga hipën në makinën tip "Golf" duke marrë secili nga një automatik kallashnikov në dorë. Në timon hipi Luli, në vendin e parë të pasagjerit hipi Klodiani dhe dy të tjerët hipën mbrapa. Mua më lanë si detyrë që të merrja makinën "Lancia" dhe të shkoja t'i prisja tek shinat e trenit, tek unaza. Në makinën që hipi Luli ishin një paruke, më duket me ngjyrë të zezë dhe tre kapele sportive me strehë të gjata para. Ata u nisën para meje dhe u shkëputen nga unë, ndërsa unë mora "Lancian" dhe rrugës për tek Unaza rashë në një gropë me ujë, e cila ndodhej poshtë shinave të trenit. Unë kërkova ndihmë në një shtëpi aty pranë, ku ngeci makina, në krahun e djathtë të rrugës për në plazh. Shtëpia ishte larg shinave rreth 20 metra. Aty doli një burrë i moshës 40 vjeç, nxori makinën e tij veturë 'Benz' dhe me atë tërhoqi derisa nxori "Lancian" nga gropa. Unë i thashë që 'a mundet ta lë makinën tek oborri juaj dhe të vij ta marr nesër', dhe ai pranoi. Dua të theksoj se unë para se të ikja pashë pozicionin ku kishte ndaluar "Golfi". Ai ishte afër një ferre të madhe, ku zunë pozicionin Luli, Plarenti, Klodiani, Iliri. Në atë pozicion kryqëzohej rruga e trenit me rrugën automobilistike Tiranë-Durrës dhe makinat që kalonin aty ishin të detyruara të ulnin shpejtësinë. Si rrjedhojë, ishte pozicion shumë i përshtatshëm për t'u bërë prita. Pasi pashë këtë vendosje, unë ika atje ku shpjegova më sipër. Pasi lashë makinën e prishur tek oborri i shtëpisë së personit që me ndihmoi, unë prita Lulin me gjithë shokët e tjerë. Pas rreth 10 minutash, Luli bashkë me tre shokët e tjerë erdhën në këmbë drejt meje. Ata panë makinën që ishte prishur, Luli më bëri shenjë me dorë që të largohesha. Ata u nisën në drejtim tjetër dhe unë në drejtim tjetër. Unë shkova në shtëpi dhe atë ditë nuk u takuam me njëri-tjetrin. Po atë ditë unë mora vesh se ishin vrarë Viron Curri dhe Arjan Paja, ndërsa Marseli ishte plagosur dhe e kishin çuar në spital në Tiranë. Atë e kishte kapur një plumb në qafë dhe një në këmbë. Të nesërmen u takuam tek shtëpia e Plarentit, ku ishte edhe Luli, dhe aty Luli më tha 'sesi e humbe fare duke futur makinën në ujë, po s'ka gjë se e ke për herë të parë'. Pas dy ditësh jemi takuar përsëri tek shtëpia e Plarentit, ku kemi qenë unë, Plarenti, Luli, Iliri dhe Klodi. Aty filluam të diskutonim rreth ngjarjes. Unë mësova se ata kishin qëlluar të katërt dhe Iliri tha në bisedë tha se, 'desha të kthehem t'i gjuaj përsëri Marselit, por vura re se dera e makinës ishte e hapur dhe Marseli ishte në pozicion të shtrirë dhe kujtova se ai kishte vdekur'. Aty u diskutua se në makinën e Marselit kishte qenë edhe një kile kokainë e vendosur në kroskotin e makinës si dhe 80 mijë marka. Po ashtu, aty u diskutua sesi nuk arritën të vrisnin dot Marselin si dhe ku i hodhën armët pas vrasjes. Ata treguan se armët i kishin hedhur në një kanal me ujë, i cili ishte afër makinës "Golf". Gjatë bisedës njëri thoshte se arma ime u zhyt e tëra brenda kanalit, ndërsa një tjetër tha që arma ime nuk u zhyt e tëra. Nuk e di me saktësi nëse ata i hodhën të gjitha armët në kanal apo mbajtën ndonjë me vete për t'u mbrojtur nga frika e ndonjë përplasjeje që mund të ndodhte gjatë rrugës në kthimit. Pas kësaj prite morëm vesh se Marseli u shpërngul dhe shkoi të jetonte në një shtëpi në plazh, kurse Luli, Plarenti, Iliri dhe Klodi rrinin gjithnjë bashkë. Ata jetonin në dy shtëpi, te shtëpia e Plarentit dhe te shtëpia e Klodit në Spitallë dhe nuk para dilnin në qytet, se ruheshin. Kurse, unë dilja vazhdimisht.
Unë në atë kohë përdorja "Lancen Tema" dhe i kisha vënë targat e fuoristrës së Lulit. Unë merresha me ndërtimin e shtëpisë së Lulit. Gjithashtu, unë mbaroja çdo punë që më thoshte Luli, p.sh, shoqëroja motrën e Lulit për pazar dhe për punë të ndryshme.

SI ME PLAGOSEN ME
TE FEJUAREN
Një ditë nga fillimi ose mesi i nëntorit të vitit 1998, nuk më kujtohet data e saktë, unë dola me të fejuarën time, R.Tango. Ne dolëm për darkë dhe shkuam tek restorant "Gjeli V..". Pasi mbaruam së ngrëni rreth orës 21.30, u nisa për të çuar të fejuarën tek shtëpia e saj, në një pallat në kat të parë tek fusha e druve. Unë ndalova makinën "Lancia" në kryqëzimin tek fusha e druve me drejtim për nga furri i bukës. Kisha rreth 5 minuta që po bisedoja me R. brenda në makinë dhe makinën e kisha të ndezur. Në këtë moment unë vura re se përballë me makinën time kishte ndaluar një makinë tip 'Benz' i bardhë 240, e cila më lëshoi dritat e gjata dhe ishte rreth 10 metra larg meje. Unë nuk i kushtova vëmendje. Në momentin që 'Benzi' lëshoi dritat e gjata, u nis në drejtimin tim dhe kur ishte 2 apo 3 m afër meje, nga ana ime vura re se shoferi ishte me kapuç, por nuk e kishte fytyrën të mbuluar. Unë e pashë si siluetë dhe ai ishte i dobët, i imët. Në këtë unë pashë tek xhami i pasmë nga prapa shoferit një grykë arme që nxirrte flakë dhe më qëlluan. Unë menjëherë u shtriva në sedilje nga ana e R. dhe disa plumba më kapën te gishtat e dorës së majtë, në krahun e majtë, tek këmba e majtë dhe tek vithet. Një plumb më kapi tek zorra e trashë. 'Benzi' i bardhë nuk ndaloi fare. Ai kur më qëlloi mua ngadalësoi shpejtësinë dhe pasi u qëllova, iku në drejtim të shtëpisë së shtetasit Erjon Lame. Unë vura re se R. ishte plagosur në krahun e djathtë. Erdhi policia dhe na çoi në spital. Dua të sqaroj se atë natë "Lancia" kishte targat e fuoristradës së Lulit, të cilat ishin DR, numrat nuk më kujtohen. Këto targa m'i ka dhënë Luli dhe më ka thënë se janë të fuoristradës time që kam pasur më parë.
Në spital kam qëndruar rreth 20 ditë në Durrës, tek kirurgjia e vjetër. Në kohën që isha në spital, mua më erdhi dhe më takoi nusja e Lulit dhe motra e tij, L. Kur dola nga spitali, shkova në shtëpinë time. Aty erdhi e më takoi Luli, Klodi, Iliri dhe Plarenti. Deri në atë moment, unë nuk e dija se kush më kishte qëlluar me saktësi, vetëm dyshoja tek grupi i Marselit. Iliri më tha që, "a e ke dorën e djathtë në rregull? Si ta kesh në rregull, mos e vrit trurin".
Pas njëfarë kohe, unë u shërova dhe dola nga shtëpia. Sa dola shkova në polici dhe mora makinën tip "Lancia", sepse makinën ma kishte marrë policia kur më goditën. Makinën ma dorëzoi C.Selmani, që ishte hetuesi i dosjes sime. Mora makinën dhe e çova në një servis që ndodhet sa hyn tek dera e Porto-Romanos. Aty është një llamarinist, që me duket se e quajnë Luti. Pasi makina u rregullua, nuk e mora unë më. Atë e mori Julian Meçe dhe e përdorte ai. Më pas, unë shkoja ndonjëherë tek shtëpia e Plarentit ose e Klodit, ku takoja çunat. Pas rreth një muaji unë bisedova me Lulin, Plarentin, Klodin dhe Ilirin dhe ata më thanë që ty të ka qëlluar Erjon Lame dhe një person që e thërrasin "Bance", por e quajnë A.Selishta. Kur shkova në Spitallë pas plagosjes time, aty pashë që Arben Paja, i cili është nga Spitalla, shoqërohej me Klodin dhe çunat e tjerë. Unë u takova me Arben Pajën kur hëngrëm një drekë në Spitallë. Dua të them se Arbeni ishte shumë shok edhe me Ilir Xhungën. Një ditë gjatë, verës së vitit 1999, nuk e mbaj mend me saktësi, unë po bëja stërvitje me një shokun tim që e quajnë Y.Shaba, tek shtëpia e tij, e cila ndodhet në lagjen "Stani", sipër muzeumit. Ka qenë ora rreth 17.00, kur ne dëgjuam krisma që zgjatën rreth 5 minuta pa ndërprerje. Zbritëm menjëherë poshtë tek muzeumi dhe morëm një taksi dhe shkuam tek shtëpia e re e Lulit, e cila ishte afër me shtëpinë e Plarentit. Sa shkuam aty, ne pamë Klodin që po qante. E pyeta se ç'kishte ndodhur, dhe ai më tha që kishin vrarë Ilir Xhungën dhe Arben Pajën, rreth 50 metra pa hyrë në Spitallë, nga Dyli. Aty unë mora vesh që çunat ishin qëlluar nga Gaxhai dhe Viktor Ymeri, të shoqëruar nga Marsel Sotiri e disa të tjerë që banonin në Durrës. Të gjithë këta persona kishin qenë të strehuar tek shtëpia e Eduart Ongarit. Klodi na tha të marrim armët dhe të shkojmë të qëllojmë Gaxhain, ku të jetë, por nuk e la Luli. Dy ditë më pas, unë isha tek shtëpia e Klodit, dhe aty ka qenë Klodi, Plarenti, Lulin. Aty u bisedua se si kishte ndodhur ngjarja. Pas kësaj ngjarjeje u arrestua Gaxhai dhe ujërat u qetësuan. Në të njëjtën kohë u kthye nga Italia Indrit Taullau, i cili e kishte shtëpinë në Spitallë. Unë rrija tek shtëpia e Lulit, që e kishte marrë me qira Plarenti, afër shtëpisë së tij, kurse Klodi e afroi në shoqëri Indrit Taullain. Gjatë takimeve tona ne po bisedonim se kë do të vrisnim më pas. Muhabetet i drejtonte Klodi dhe Luli. Edhe ne merrnim pjesë në këto biseda. Në këtë kohë çunat vendosën që të vrisnim Ed Ongarin, pasi ishte ai që kishte strehuar vrasësit e Ilir Xhungës e Arben Pajës në shtëpinë e tij.
EKZEKUTIMI I ED ONGARIT
Ka qenë korrik i vitit 1999, unë shkova në shtëpinë e Lulit dhe gjeta Jul Meçen. Aty ishte dhe Plarenti. Luli na tha të merrnim dy armët "Skorpions" dhe një kallash që e kisha mbrapa në bagazh si dhe një paruke të kuqe dhe t'i çonim tek shtëpia ime se do t'i binim Edit bashkë me Jul Meçen. Unë ashtu bëra dhe po prisja gati në shtëpi. Mora edhe një 'Benz 240', që ma dha Luli për ta përdorur për vrasjen. Këtë makinë ai nuk e ka përdorur më parë. E kam parë vetëm atë ditë që e mora unë. Pas një ose dy ditësh, Plarenti, Luli, Indriti dhe Klodi ishin tek shtëpia e motrës së Lulit, e cila ndodhet në kryqëzim tek muzeumi në një pallat në katin e pestë. Më mori Luli në telefon dhe më tha që, 'merr makinën dhe një 'Skorpions' dhe kallashin dhe hajde tek 'pesëkatëshi', në hyrje të lagjes'. Shkova aty dhe gjeta Lulin, Klodin dhe Indritin. Hipëm të katërt tek 'Benzi' jeshil. Në atë moment më mori gruaja në telefon, gruaja e Lulit të cilën e kishte lajmëruar Edmond Koci, të cilit ne i themi Monc Çekiçi, i cili ka lidhje krushqie me Lulin. Mondi e kishte parë në një lokal afër shtëpisë së tij që në mëngjes rreth orës dhjetë, që ndodhet afër bar bufe 'Stadiumit'.
Luli hipi në timon, Klodi në vend të parë, kurse unë me Indritin u ulëm mbrapa. Në atë moment, Luli vuri parukën e kuqe, ndërsa Klodi vendosi kapelën dhe u nisëm. 'Skorpionsin' e mori Klodi, ndërsa Kallashin e kishim ne mbrapa, unë dhe Indrit Taullai në sediljen e pasme. U nisëm dhe kur u afruam te lokali, Luli më tha që të zbrisja dhe të shikoja sa vetë ishin dhe t'ia bëja më shenjë. Unë zbrita nga makina dhe u afrova, dhe pashë që jashtë lokalit ishin ulur të karriget Edi me dy veta të tjerë. Unë i bëra shenjë Lulit me gishta dhe i thashë që janë tre veta, Edi me dy të tjerë duke pirë kafe. Në atë moment zbriti Luli me paruke të kuqe në kokë dhe me kallash në dorë, ndërsa Klodiani kishte vënë kapelën e zezë prej meshini me strehë para dhe 'Skorpions' në dorë. Ata u afruan anës së murit që të mos i shihnin dhe dolën përballë me tavolinën, dhe Klodi e qëlloi nga afër Edin me breshëri. Edi ra përmbys sipër tavolinës. Ata hipën në makinë dhe u larguan, ndërsa unë ika në këmbë në shtëpi. Ata e lanë makinën afër rajonit të policisë, në një rrugicë që del te ish-tregu industrial, afër shtëpisë së Mir Hotit, që është doktor. Më vonë ata vijnë në këmbë te shtëpia e ime, Indriti, Luli dhe Klodi. Në shtëpi s'kisha njeri. I pyeta unë, 'po makinën ku e keni lënë', dhe ata me treguan vendin. Ata thanë që i kishin lënë të gjitha gjërat brenda. Pas ca minutash të rrugica para shtëpisë erdhi një makinë që nuk e mbaj mend sesi ishte dhe mori Klodin e Indritin dhe iku.
Luli u largua në këmbë. Pas një orë unë shkova vetë, pa më thënë njeri dhe mora makinën që i kishte çelësat në kroskot dhe ishte të shtëpia e Mir Hotit dhe e çova pas muzeumit, afër shtëpisë sime. Mora armët dhe paruken dhe e fsheha në një ferrë afër. Makinën e mbylla aty. Rreth një javë më vonë, ka qenë muaji korrik 1999, unë isha në shtëpi kur më erdhi një djalë që nuk me kujtohet dhe më tha, hajde se të do Luli. Unë hipa në makinë me atë dhe ai me çoi tek një shtëpi e vjetër njëkatëshe, që ndodhet tek unaza e plazhit. Aty gjeta Lulin, Plarentin, Klodin dhe Indrit Taullain si dhe burrin e motrës së Isuf Morinës që e thërrasin Tiku. Aktualisht, Tiku është në Amerikën, sa hyra brenda Plarenti më tha që, "sot do palosim Marselin". Unë i thashë "ishalla. Po vij dhe unë të gjuaj se ai më la gjysmë njeriu". Kur u bënë planet, Luli tha, "ti Tiku do jesh shofer dhe do marrësh 'Benzin' jeshil që përdorëm tek vrasja e Ed Ongarit dhe do na çosh ne tek ura, që ndodhet tek shinat e Trenit që del të plazhi 'Iliria'. Vetë do rrish sipër te kodra. Kur të dëgjosh krisma, do vish menjëherë aty ku na le dhe do të bllokosh rrugën nga krahu i "Plepave", që të kemi të lirë kalimin për në Durrës. Sa ishte errësuar, unë mora 'Benzin' jeshil dhe hipa bashkë me Lulin, Plarentin Indrit Taullain dhe Klodin. Ne morën me vete një mitraloz të rëndë "Kolinov", një mitraloz të lehtë me rrotacile, ku futëm fishekët, një kundra tank, tre automatikë kallashnikov, një e kisha unë, katër. Shkova dhe i lashë çunat me armët te ura. Në makina mbajta vetëm kallashin tim. Kthehem mbrapa dhe qëndrova në buzë të rrugës kryesore, në faqe të kodrës. Pas rreth gjysmë ore unë dëgjova krisma të shumta armësh dhe menjëherë shkova me makinë te ura, ku më thanë ata. Mora kallashin, dola nga makina dhe bllokova qarkullimin e rrugës nga drejtimi i rrugës së Plazh - Durrës, që të kishim rrugën e lirë për t'u larguar. Pas rreth 10 minutash aty erdhi në këmbë Luli me Plarentin. Luli kishte në dorë një kallashnikov, kurse Plarenti nuk kishte gjë. Kur po vinin, unë pyeta ku është Klodi. Luli thirri dy herë: "o Klodo, o Klodo". Pastaj hipën menjëherë në makinë dhe unë hipa në timon. Shkuam deri tek shinat e trenit, tek unaza që merr për në Durrës dhe aty zbriti Luli me Plarentin. Luli mori dhe kallashin tim dhe më tha që kthehu merr Klodin. Ata vetë ikën anës shinave.
Unë nuk u ktheva se kisha frikën e policisë, por vazhdova drejt. Kalova Nish-Gomën e re dhe vazhdova për nga këneta. Kur arrita aty lashë makinën dhe u ktheva në këmbë për në shtëpinë time. Të nesërmen, kur dola pashë në afishe se kishte vdekur Marsel Sotiri. Unë shkova, mora makinën dhe e çova tek shtëpia e Plarentit. Lashë makinën dhe ika.

ÇARJET E PARA MES BANDES
Pas dy ditësh u mblodhëm bashkë tek shtëpia e Plarentit dhe biseduam për ngjarjen. Atë ditë në shtëpi ishte Luli, Plarenti, Klodi dhe Indrit Taullai. Klodi i tha Lulit, 'po ti si ike'? Luli i tha që unë të thirra dy herë, po ti nuk u përgjigje dhe e dija se kishe ikur. Klodi kishte ikur me Indritin nga kodra dhe kishin shkuar në Spitallë. Pas disa ditësh unë shkova të shtëpia e Klodit dhe ai më pyeti, 'si ndodhi muhabeti që ikët'. Unë i tregova që kur erdhi Luli unë i thashë që ku është Klodi. Ai thirri dy herë dhe më tha hip sipër në makinë dhe ec, ec, ec. Klodi nuk foli. Më vona mora vesh nga çunat që Marseli atë ditë që ishte vrarë, kishte pasur një makinë tip 'BMV' të blinduar. Pastaj çunat filluan të lëviznin se vdiq Marseli. Luli i mori një anije me qira 500-tonëshe një fieraku, që nuk më kujtohet emri dhe ja dha Fred Shoshit për të punuar. Ai çonte klandestinë dhe drogë në Itali. Këtë gjë e di unë, sepse shihja Fredin që vinte tek shtëpia e Lulit dhe i jepte çdo muaj lekët e punës. Ndërkohë, Plarenti kishte ndërtuar një shtëpi trekatëshe përballë me shtëpinë e tij të vjetër në pallat dhe ne atje mblidheshim. Unë aty dëgjova për herë të parë emrin e një femre që e thërrisnin Bona, por që nuk e njihja kush ishte. Ajo jetonte tek shtëpia me qira që kishte marrë Plarenti, por unë nuk e kisha takuar asnjëherë. Më vonë kam marrë vesh nga Klodi se ajo quhej Bona J. dhe kishte qenë e dashura e Klodit, dhe ishte përdorur si karrem për të tërhequr në pritë Marsel Sotirin. Bona u bë e dashura e Marselit dhe njoftonte Klodin për lëvizjet e tij. Ditën e ngjarjes ajo kishte dalë me Marselin dhe lajmëroi Klodin kur po ktheheshin te shtëpia e saj, që ndodhej afër vendit ku u vra Marseli.
Më pas u nisën për në Itali, Luli me Klodin me anijen e Nar Kokës, më duket anija "Arbi". Dua të them se kur vdiq Marseli, Nari vinte takohej shpesh me çunat. Pas rreth dy javësh me të njëjtën anija ikën në Itali, Plarenti, Indrit Taullai dhe Bona. Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, kur iku Klodi, Indriti rrinte me Bonën tek shtëpia me qira dhe e zuri dashnore. Ajo në fakt me parë kishte qenë dashnorja e Klodit. Klodit i ngeli pak qejfi, por nuk tha gjë. Unë ndenja në Shqipëri. Pas rreth një muaji nga ikja e çunave unë ika në Itali me anijen e Tit Qolit, i cili më mori me vete pa lekë. Unë shkova në Teramo tek vëllai im, Iliri. Kam qëndruar rreth 3 muaj dhe kam punuar si ndihmës murator. Pastaj u ktheva përsëri në Shqipëri. Unë mësova që Luli, Plarenti, Indrit Taullai dhe Klodi kishin jetuar në Ravena. Luli kishte nxjerrë në punë prostitutë përsëri Dianën nga Fushë-Arrëzi, të cilën ia mori një durrsaku. Indriti nxori në punë si prostitutë Bonën. Rreth majit, qershorit 2000, u kthye në Shqipëri Klodi. Më pas erdhi Plarenti me Indrit Taullain. Pas dy ditësh nga ardhja e tyre, Lulin e kapi policia italiane për një punë droge dhe e mbajti në burg më shumë se një vit. Ndërkohë, unë e forcova shoqërinë me Klodin. Në atë kohë, kur Klodi u kthye nga Itali u fut në shoqëri dhe Indrit Dokle, i cili ishte si çerr, i shkathët, i vogël. Edhe Plarenti rrinte shumë me Klodin. Rreth fillimit të muajt korrik 2000, Erjon Lame vrau Mehmet Saliun. Këtë muhabet e mora vesh nga çunat. Ne shkuam në varrimin e Mehmetit, dhe aty u bisedua që Metin e kishte vrarë një çun i vogël. Ne na vajti mendja se ishte Erjon Lame. Dua të them se Lulzim Berisha e kishte fis të largët Mehmet Saliun. Erjon Lame gjatë kësaj kohe shoqërohej me Tan Dishën dhe Artur Vaqon (Tur Labi). Bujar Gashi, që ishte kushëri i parë me Metin, i tha Klodit, Lentit dhe Indriti, që me Erjon Lamen shoqërohet Tan Disha dhe të dy shoqërohen me Hasanët, që kanë Hotel "Florida" dhe pistën "Iliria". Hasanët kishin lidhje me Marsel Sotirin. Ata zakonisht takoheshin lokal "Kashta", që është pronë e Gëzim Salillarit, që e thërrasin dhe Gëzimi i Kashtës. Klodi, Plarenti dhe Indrit Taullai vendosën ta vrisnin Tan Dishën, meqë shoqërohej me ata që thashë më lart. Klodi me Plarentin vendosën që Tan Dishën ta vrisja unë me Indrit Doklen. Ai më thirri tek shtëpia e tij rreth një javë pas vrasjes së Mehmet Saliut. Aty ishte Indrit Taullai që i thoshim Indriti i madh, Indrit Dokle, që i thoshim Indriti i vogël, Plarenti, Klodi dhe Bujar Gashi. Klodi na tha që Tan Dishën do ta vrasësh ti me Indritin e vogël.

VRASJA E TAN DISHES
Ai i tha që personi që e thërrisnin "Cupe", i cili kishte një furgon ngjyrë të bardhë me targa Durrësi, që punonte si taksi në linjën Spitallë-Durrës. Klodi i tha Cupes që do marrësh këta çunat dhe do t'i dërgosh deri në Shënavlash. Ai pranoi. Unë me Indritin e vogël morëm secili nga një kallash tek shtëpia e Klodit, i pastruam dhe i morëm me vete në furgon. U nisëm me furgon unë, dy Indritët, Bujar Gashi dhe si shofer Cupja, që i pa armët. Të armatosur ishim unë me Indritin e Vogël me kallash dhe Indriti i Madh me pistoletë. Shkuam në Shënavlash tek shtëpia vëllait të Mehmetit. Aty pritëm sa u errësua pak. Aty priti dhe Cupja. Pasi u errësua, Bujari kishte lënë një djalë për ta ruajtur tek lagja e Tan Dishës se kur do të dilte Tani për në Durrës. Unë nuk e dija se ku ishte ky djali. Dolëm me makinën e Cupes dhe zbritëm poshtë. Cupja iku. Unë me Indrit Doklen dolëm dhe zumë pritë rreth 300 - 400 metra larg shtëpisë së Tan Dishës, kurse Indrit Taullai me Bujar Gashin shkuan 500 metra para nesh në drejtim të rrugës që vinte nga Durrësi, që të na lajmëronin ne që Tani po vinte. Në zumë pritë dhe kishin bërë plan që ta qëllonin kur të kthehej nga Durrësi për në shtëpi. Dua të them se Bujari e njihte edhe Tanin dhe makinën që ai lëvizte. Me sa më kujtohet, makina e Tanit ishte tip BMV ngjyrë jeshile. Kemi ndenjur gjysmë ore në pritë në të dy anët e rrugës. Afër një gardhi ky kishte parkexh makinash, në krahun e kënetës ne dëgjuam një të shtënë pistolete që ishte sinjali që kishim lënë me Indritin për ardhjen e Tanit. Indrit Dokle doli në rrugë, ndërsa unë isha pak para tij në anë të rrugës. Sa pashë dritat e makinës që po afrohej, e lashë të afrohet rreth 20 metra dhe e qëllova me automatik derisa mbarova një krehër. Pasi mbarova krehrin, qëlloi Indriti. Në atë moment makina doli nga rruga dhe ra në kanal. Unë ndërrova karikatorin, u afrova rreth 1-2 metra dhe e qëllova Tanin edhe njëherë me breshëri. Pastaj ne u larguam në këmbë nga këneta dhe armët i hodhëm në kanalin e madh që kalon afër kënetës. Vendin po ta shoh nga afër mund ta gjej se ku i hodhëm armët. Pastaj, shkuam në Spitallë, takova Klodin, Plarentin e Indrit Taullain. Ata më pyetën: "Vdiq? Unë u thashë: "Po, po". Pastaj u shpërndamë në shtëpitë tona. Në atë kohë Luli ishte në burg në Itali. Pas vrasjes së Tan Dishës ra qetësia dhe secili shikonte punët e tij. Unë me Bujar Gashin filluam të qëndronim nga Spitalla me Klodin. Dua të them se kur kishin qenë në Itali, Klodi kishte punuar fort me drogë me Lulin, Indritin e Madh dhe Plarentin. Lekët, rreth 600 milionë lireta i mbanin bashkë. Pas vrasjes së Tanit, Plarenti erdhi për të ndarë paratë e drogës me Klodin dhe Indritin. Unë isha tek shtëpia e Klodit kur erdhi Plarenti. Ai kërkoi pjesën e parave. Klodi i dha rreth 5.5 kg e gjysmë heroinë dhe i tha ta shiste. Plarentit i ngeli qejfi, por e mori drogën dhe nuk tha gjë dhe e nisi për në Itali. Klodi i tha, kur të vijë Luli bëjmë llogarinë përfundimtare. Klodi për pjesën e tij ishte ortak me Indrit Taullain. Pas ca disa ditësh unë isha tek Klodi dhe ai në muhabet e sipër më tha që "Plarenti me Lulin futën dorë dhe kanë marrë lekë pa hesap te shuma që ishte bashkë, se ku shkuan 300 milionë lireta...". Më pas u ftohën muhabetet me Plarentin dhe vinte më rrallë në Spitallë tek Klodi. Pas nja një muaji e gjysmë pas vrasjes së Tan Dishës, rreth muajit shtator të vitit 2000 është arrestuar Klodian Saliu. Klodi u arrestua fillimisht për çështjen e një vrasjeje me thikë shumë kohë më parë rreth vitet 1992 ose 1993, por më pas doli puna se e akuzonin se dolën gjurmët e gishtave te makina "Golf" me të cilën ishte kryer vrasja e Arjan Pajës e Viron Currit, si dhe e plagosjes së Marselit. Klodi ndenji rreth një vit e ca në burg. Gjatë kësaj kohe, Klodin e shkonim dhe takonim në burg unë, Indrit Taullai, vëllai i tij Shkëlqimi (tashmë i vrarë) dhe Indrit Dokle si dhe Rudin Taullai, i cili është kushëri i Indrit Taullait. Indriti i Vogël gjatë kësaj kohe rrinte te shtëpia e Klodit, si vëlla me Klodin.

PERPLASJA ME ERION LAMEN
Disa muaj para se të dilte Klodi nga burgu, mbaj mend se ka qenë dimër, vija re se Erion Lame ishte fuqizuar shumë. Ai kishte bërë shumë lekë dhe kishte blerë Benz katërfenerësh. Erjon Lame në atë kohë punonte me Ben Shabanin, Festen dh Artur Labin, të cilët merreshin me drogë. Tur Labi kishte një anije 2500-tonëshe. Di që Ben Shabanin e kanë arrestuar pasi policia gjeti një laborator droge tek shtëpia e tij në Shkozet. Unë kur shkëmbehesha me Erion Lamen, më shikonte shtrembër. Një ditë, Indrit Dokle më tha që e kishte marrë në telefon Erion Lame dhe i kishte thënë që kur do pimë një kafe, se me Indrit Taullain kam pirë një kafe dhe jam sqaruar. Indrit Dokle i kishte thënë që nuk pi kafe me njeri. Erioni i ishte përgjigjur që "po mirë, kush t'i këpusë kokën njëri-tjetrit". Pas kësaj, unë i thashë shkojmë e i këpusim kokën. E ruajtëm të dy Erion Lamen për rreth tre muaj rresht, por nuk po na dilte në shteg. Pastaj një ditë, Indritin e mori në telefon një shoku i tij dhe i tha se 'Erjonin e ke te klubi i Nard Muratit', që është afër me Bashkinë. Indriti erdhi te shtëpia ime. Unë mora pistoletë, kurse Indriti mori "Scorpions"-in, të cilin e kishte në shtëpinë e tij. U nisëm dhe zumë pritë tek rruga poshtë Bashkisë dhe po prisnim Erjonin. Ai ishte i detyruar të vinte tek rruga ku ishim ne, pasi rrugë tjetër nuk kishte. Ndenjëm rreth gjysmë ore, derisa Indriti pa makinën e Erion Lames. Unë nuk e njihja makinën e tij. Pak metra para se të vinte tek ne, ai ndaloi makinën dhe po bisedonte me Agim Hasanin. Ata biseduan rreth 5 minuta dhe pastaj Erjoni erdhi në drejtimin tonë. Kur ishte rreth tre metra larg nga ne, Indriti e qëlloi me "Scorpions". Makina doli anës rrugës dhe goditi shtyllën elektrike. Unë u mundova të hapja derën e pasagjerit, pasi pashë se Erjoni ishte shtrirë. Nuk e hapa dot derën se ishte në siguresë. Kapërceva makinën dhe dola nga ana e Erjonit. Ai në këtë kohë lëvizi dhe donte të hapte derën e tij. Unë në çast e qëllova me pistoletë dy herë. Një herë në gjoks dhe njëherë në bark. Pastaj ai hapi derën dhe ra. Ne u larguam me këmbë me vrap në drejtim të magazinave të birrës dhe armët i hodhëm përballë ambulancës ku po ndërtohej një pallat i madh në atë kohë. Pastaj u ndamë dhe secili shkoi tek shtëpia e tij. Në darkë erdhi dhe më shoqëroi policia dhe më pyeti rreth vrasjes së Erjonit, por unë nuk tregova. Mësova se edhe Indritin e shoqëroi policia dhe e pyeti për këtë problem. Në polici mësova se Erjon Lame kishte vdekur tashmë nga goditjet që i kishim bërë ne. Kam dëgjuar nga shokët e mi që makina me të cilën u vra Erioni, është lëvizur nga ai vend ku u vra dhe është dërguar te "Hotel Florida", pronë e Hasanëve në Durrës. Gjatë kohës që ka qenë Klodi në burg, unë me Indrit Doklen gradualisht u ftohëm me Indrit Taullain, pasi ky i fundit filloi të bënte pisllëqe të vogla, si p.sh., fuste të tjerë me vjedhje etj, gjë që ne s'e pëlqenim. Unë po filloja të rrija me Indrit Doklen.

"DIVORCI" LUL BERISHA-KLOD SALIU
Në këtë kohë kisha parë se Indrit Taullai rrinte me Plarentin dhe Julian Meçen. Nja dy muaj pas vrasjes së Erjon Lames doli nga burgu Luli. Unë me Indrit Doklen shkuam për vizitë në shtëpinë e re që ndërtoi përballë Plarenti. Te shtëpia ishte Luli dhe Mond Çekiçi. Vizita ishte thjesht dhe ne u larguam. Pas rreth 20 ditësh nga ardhja e Lulit doli Klodi nga burg. Atë ditë që doli nga burgu, unë e takova Klodin për pak kohë se kishte shumë njerëz për vizitë. Të nesërmen po bëja xhiro me një fuoristradë të Verit, që nuk më kujtohet si e ka emrin gjatë. Gjatë xhiros pashë Lulin që po shkonte me Plarentin tek shtëpia e Klodit në Spitallë. Pas dy ditësh më thirri Klodi dhe unë shkova në Spitallë. Ai më tha që njerëz më të afërt kam ty dhe Indritin. Me Lulin nuk kam më punë, meqë kur isha në ditë të zeza, nuk më pa njeri. Pas tre-katër ditësh, Klodi me Shkëlqimin, të vëllain shkoi te shtëpia e Lulit për t'i kthyer vizitën. Unë e pashë vetë këtë, pasi në atë kohë isha te shtëpia e Klodit. Unë mesa me kujtohet pritëm me gjithë Indritin jashtë shtëpisë së Lulit me dy makina dhe i pritëm derisa u kthyen pas gjysmë ore, që nga ajo ditë Klodi nuk është takuar asnjëherë me Lulin. Mbas takimit Klodi u shpreh: "Kishim ça kishim me Lulin, i pashë pisllëqet e tij dhe nuk më ka ndihmuar, tani ai në punën e tij, unë në punën time. Kemi qenë shokë deri dje, ruajtëm ça kishim për të ruajtur, tani nuk jemi armiq dhe të shikojë çdonjëri punën e vet". Pas ndarjes me Lulin, Klodi kishte si shok të ngushtë Indrit Doklen dhe pastaj mua. Në atë kohë filloi të afrohej dhe Altin Begu që ishte çun i lagjes. Altini i rrinte në shërbim me makinë Shkëlqimit, vëllait të Klodit, kur bridhte për punën e Klodit kur ishte në burg. Pas një muaji, rreth nga mesi i vitit 2002, Klodi i shiti një tokë që kishte tek Plepat në Durrës një tiranasi dhe mori nja 70 mijë dollarë që i futi në punë. Klodi na tha: "Çuna, ju m'u gjendet në ditë të zeza dhe ju me kismet të na eci puna do t'u ndihmoj dhe do të rregullohemi të gjithë". Klodi filloi të blinte drogë, heroinë të pastër. Unë nuk e di se ku e blinte, pasi Klodi ishte shumë i zgjuar dhe nuk na tregonte se ku e merrte drogën. Ai zakonisht merrte 6 kg heroinë, ndonjëherë 12 kg dhe e sillte te shtëpia e vjetër dhe për këtë nuk dinte gjë njeri. Këtë muhabet e dinim vetëm unë, Altini dhe Indriti. Klodi na mësoi se si bëhej përzierja. Përzierja bëhej me frutatriçe, që është një aparat elektrik që ne e fusnim në prizë dhe e përziente vetë. Ne hidhnim në aparatin përzierës 150 gram heroinë të pastër dhe e përzinim me 350 gram që është pluhur apostafat dhe bëhej gjysmë kile, të cilën e paketonim dhe e stamponim. Ne e paketonim me skoç kafe, i cili është ngjitës rulo dhe e stamponim me një kallëp hekuri. Klodi pasi e bënim gati, e niste në Itali. Dua të them se Klodi ishte shumë i kujdesëm edhe me transportimin e drogës nuk ngatërronte asnjë nga ne, pasi ne vetëm e paketonim dhe e lajmëronim që ishte gati dhe iknim. Klodi niste zakonisht një dërgesë prej 20 kg drogë në muaj. Pasi merrte paratë e ngarkesës së parë, ai niste tjetrën. Paratë i merrte gjithmonë në dorë. Pasi merrte paratë e dërgesës së parë, merrte drogën e pastër që e përzienim ne. Për rreth një vit puna eci normal dhe ne dërgonim nga një ngarkesë në muaj. Pas një viti që filluam këtë punë, Klodi na tha që na u kap një ngarkesë rreth 20 kg heroinë në Kroaci dhe që atëherë puna ra pak, pasi ishte e vështirë për të gjetur transportues si dhe kishim frikë mos kapnin ngarkesën. Që atëherë dërgonim më rrallë, rreth 1 herë në dy muaj. Tre ose katër muaj pas kapjes së ngarkesës së parë na u kap dhe një ngarkesë tjetër prej 15 kg drogë të llojit heroinë, e cila u kap në qytetin e Modenës në Itali. Shoferi më duket se ka qenë ose slloven, ose kroat, por nuk mund të them me siguri këtë. Pasi u kap kjo ngarkesë, u bënë dhe dy ose tri rrugë me heroinë dhe u la puna. Klodi më ka thënë se fitimi ishte rreth 40 mijë euro për ngarkesë.

FUQIZIMI I INDRIT DOKLES
Pas gjashtë muajsh kur Klodi doli nga burgu dhe ne kishim filluar punë në drogë, Indritit të vogël filloi t'i pëlqeje vetja dhe kur shkëmbehej me Lulin, e shante nëpër dhëmbë dhe e shihte shtrembër. Një ditë te muzeumi shkëmbehet Luli me Indrit Taullain dhe Indrit Dokle me Altin Begun. Indriti e shau nëpër dhëmbë dhe Luli e pa dhe ktheu makinën. Kur e arriti, hapi xhaminë e makinës dhe i tha: "Nuk është mirë të bëjmë fjalë me njeri-tjetrin se je i vogël ti. Indriti i kishte thënë se nuk të shava. Atë ditë u takuam në një lokal me Indritin e vogël, Klodi dhe Altini. Indriti i tregoi muhabetin dhe Klodi i tha se nuk është mirë të bëjmë fjalë me njëri-tjetrin se kemi ngrënë bukë bashkë dhe do qeshë dynjaja. Pas 10 minutash ai tha, "çfarë ka ai byth..., hajde shkojmë në shtëpi të marrim armët". Shkuam morëm pistoletat dhe filluam të kërkonim Lulin. Gjithashtu, me vete morën edhe Shkëlqimin. Në një makinë hipi Çimi, Klodi dhe Indriti, dhe në makinën tjetër unë me Altinin për të gjetur Lulin nëpër Durrës. Duke zbritur për tek "Vollga", pamë makinën e Lulit, një 'Benz' i blinduar ngjyrë gri. Klodi e parakaloi dhe i tha që të ndalojë dhe ata ndaluan përballë shkallëve të lokal "Arvit". Aty zbritëm të gjithë nga makina. Luli ishte me Indrit Taullain dhe Julian Meçen, ndërsa ne ishim të armatosur të gjithë me pistoleta, përveç Shkëlqimit. Klodi doli jashtë dhe nuk foli fare dhe dërgoi Çimin të flasë me Lulin, si vëllai më i madh. Çimi del dhe i thotë si është puna që ke kap Indritin. Luli u thotë, 'thuaju atyre kalamajve të tu mos të ngacmojnë këta të mitë'. Shkëlqimi i thotë, 'kalamaj ata nuk janë, por janë çuna që kanë lyer duart me gjak dhe po mora vesh ndonjë ngacmim tjetër, nuk ndahemi mirë me njëri-tjetrin'. Klodi të nesërmen pa Indrit Taullain tek lokali i Lulit "Çera una Volta", i cili ishte vetëm në trotuar. Klodi zbriti në këmbë dhe shkoi dhe e kapi tek qafa Indritin dhe duke e shtrënguar i thotë, "veç se kena hëngër bukë bashkë, se e di se ça të bëj". Indrit Taullai i thotë të hiqte dorën, dhe u ndanë. Atë ditë, Klodi ka qenë me Altinin në makinë. Këtë muhabet unë e mora vesh nga Klodi. Pas 4 -5 muajsh vjen Plarent Dervishi nga Amerika dhe këta sikur forcohen. Fillojnë përsëri të shikoheshin me inat, zakonisht Plarenti ishte ngacmues. Ne talleshim dhe qeshnim, duke i lënë të kuptohet se nuk kishte çfarë të na bënte neve. Një muaj para se të vritej, Klodi takohet me Nar Kokën te "Zeusi". Atje Klodin e çova unë me makinë. Nari e kishte ftuar Klodin për kafe. Unë pashë që nga jashtë që Nari ishte ulur të tavolina e fundit dhe dukej nga xhami. Ata ndenjën dhe rreth një orë e gjysmë muhabet. Mua me mori Klodi në telefon pasi kisha një nr. me kontratë dhe e kisha marrë në emër të nënës sime, Nurije Maku.

ROLI I NAR KOKES
Kur shkova brenda takoj Klodin, i cili thotë merre këtë pistoletë se me dhuroi Nari dhe me prit jashtë. Pistoleta ishte e prodhimit izraelit. Kur Klodi doli nga lokali ku ishte me Nar Kokën, ne shkuam me makinë te hotel "Kontinentali" dhe aty erdhi Indrit Dokle të cilin e morën ne telefon. Kur u ulëm në lokal, Klodi tha që bisedova me Narin dhe ai më tha që të vrasim Lulin. Unë i thashë po. Klodi na pyeti se çfarë të bëjmë, dhe ne i thamë që jemi gati. Klodi nuk na tha arsyen se pse Nari i kishte kërkuar që ne të qëllonin Lulin. Klodi tha që Nari me dhuroi një pistoletë dhe më pyeti se ku e kisha. Unë i thashë qe e kam të makina. Indriti, kur dolëm nga lokali, erdhi dhe më pa pistoletën dhe na tha që t'ia jepnim atij. Klodi i tha, merre dhe ja dha. Në lidhje me këtë pistoletë dua të them se Indrit Dokle ja ka dhënë Altin Ollinit, i cili ishte shok me Altin Lamaj, pasi pas vrasjes se Klodit rrinim në Tiranë dhe takoheshin te lokal "01" e rrinim me ta. Lokali "01" ndodhej afër stadiumit "Dinamo", te rruga "Komuna e Parisit". Në darkë unë shkova në shtëpi, gjithashtu edhe Klodi shkoi në shtëpi dhe bisedoi këtë punë me vëllanë e tij, Shkëlqimin. Shkëlqimi i thotë Klodit që nuk duhet ta bësh këtë pune, pasi Nar Koka është intrigë e gjallë. Në mëngjes u takuam në kafe me Klodin, i cili na tha se nuk bëhet gjë për vrasjen e Lul Berishës dhe na tregoi bisedën e bërë me vëllanë e tij, Shkëlqimin. Një javë përpara se të vritej Klodi, erdhi nga Italia një djalë nga lagjja e Klodit, Osman Truma. Klodi njihej me Osmanin, sepse ishin çuna lagjeje. Nga bisedat mes tyre ishte rënë dakord që të hapin së bashku një sallë lojërash për fëmijë "Xhoko". Gjatë këtyre ditëve, Osmani rrinte me ne. Ditën që është vrarë Klodi, ai ka përcjellë në Rinas rreth orës 13:00 një shtetas italian, që kishte ortak në fabrikën e prodhimit të çantave që gjendet në "EUM", në Durrës. Rreth orës 14:00, Klodi më telefonoi me telefonin e tej me kontratë që e kishte marrë në emrin tim, dhe më thotë se i ishte prishur makina në rrugën e Rinasit duke ardhur për në Durrës, dhe më tha të shkoja ta merrja. Unë, së bashku me kushëririn e Altinit që quhet Moisi, nga Durrësi jemi nisur me makinën time tip "Benz" 2500 me targa DR 1635 me germë C ose D. Klodin e kemi takuar pak më larg se fabrika e tullave, në Vorë. Klodi ka hipur në makinën time, ndërsa Moisi ka hipur në makinën e Klodit dhe duke e rimorkiuar, jemi kthyer në Durrës te fabrika e çantave 'UEM'. Pasi lamë Klodin te fabrika, shkuam për ta rregulluar makinën në Shënavlash, sa kalon mbikalimin e autostradës, në krahun e djathtë të një servisi ku pronari quhet Besnik. Pasi blemë pjesët e këmbimit në Xhazotaj, ne shkuam te mekaniku dhe rregulluam makinën dhe ja dërguar Klodit te fabrika ku po rrinte, rreth orës 19.00.
Pasi takuam Klodin, unë i kujtova orarin e ndeshjes së futbollit në kalçeto në orën 20:00. Klodi më tha të shkonim të bëheshim gati dhe shihemi në kalçeto. Në orën 20.00, në kalçeton që ndodhet te "Eurodrini", në afërsi të Urës së Dajlanit, erdhi Klodi dhe kemi luajtur së bashku rreth një orë. Ne luanim 5 me 5, ku në ekipin tim ishte Klodi, Gent Rexhepi nga Durrësi dhe dy persona të tjerë që nuk i kujtoj. Kundër nesh luajtën Tepshet, që në afërsi të "Galaktikut" kanë një servis makinash. Pas ndeshjes unë pyeta Klodin nëse ishte për kafe, dhe ai u përgjigj se ishte i lodhur dhe u nis për në shtëpinë e tij, ndërsa unë shkova në shtëpinë time rreth orës 21:10, me makinën time. Klodi nga kalçeto u largua së bashku me Osmanin, me makinën e tij që e rregulluam atë ditë. Rreth orës 22:00, kur unë isha në shtëpi duke parë televizor, më ka telefonuar Indrit Dokle dhe më ka thënë se ka bërë karambol Klodi me makinë dhe ka thënë të shkoja te kirurgjia për t'u interesuar se ishte duke ardhur. Menjëherë unë u vesha dhe me makinë shkova te spitali në Durrës, në kirurgji, sipas fjalëve të Indritit. Aty mora vesh se në kirurgji ndodhej vetëm Osmani i plagosur, ndërsa Klodin e kishin dërguar në Spitalin Ushtarak. Këto informacione i mora nga policia që gjendej aty. Menjëherë u nisa për në Spitalin Ushtarak, ku më thanë se ishte Klodi, rrugës më mori Indriti dhe më pyeti nëse Klodi ishte në spitalin e Durrësit apo jo. Unë iu përgjigja Indritit se Klodi ndodhej në Spitalin Ushtarak dhe se unë po shkoja në drejtim të tij. Indriti pas ndeshjes ishte nisur për në drejtim të Tiranës, ku ka edhe shtëpinë dhe këto telefonata po mi bënte rrugës në kthim për në Durrës. Indriti për Klodin kishte informuar dhe një person me emrin "Zaçe", ku i kishte thënë se Klodi kishte bërë aksident. Kur vajta në Spitalin Ushtarak, aty gjeta Indritin, i cili më tha se Klodi kishte vdekur jo nga aksidenti, por e kishin vrarë me armë. Pas 10 minutash aty erdhi Leonard Koka, të cilin e kishte njoftuar Indrit Dokle në lidhje me vrasjen. Nardi erdhi me makinën e tij tip 'Benz', i pashoqëruar me njeri. Pasi erdhi Nardi aty, ai thirri Indritin te makina e tij, por me Indritin shkova dhe unë. Indriti e pyeti Nardin: "o Nar, kush e ka vrarë"? Dhe, Leonardi u përgjigj: "Lul Berisha e ka vrarë". Te Spitali Ushtarak erdhi Altini, të cilin e lamë aty. Ndërsa unë dhe Indriti shkuam tek lokali "Trieste", në plazhin Durrësit për t'u qetësuar për ngjarjen. Gjatë rrugës po bisedonim për vrasjen e Klodit, dhe Nari na tha se me 100 firma e jap unë që ai Luli e ka vrarë. Kur shkuam te lokali gjetëm Ard Abazin, që është shofer i Lefter Kokës dhe Mondin, nipin e Narit. Më pas shkova në shtëpinë time dhe i lajmërova për vrasjen e Klodit, pastaj u ktheva tek lokali. Më vonë unë dhe Indrit Dokle shkuam te shtëpia e Klodit, ndërsa Nari nuk erdhi. Aty lajmëruam prindërit e Klodit dhe pasi sollëm trupin e Klodit nga Tirana, e bëmë gati. Të nesërmen në varrim nuk erdhi asnjë nga kundërshtarët e tij, as Luli, e as shokët e tij. Mbaj mend që erdhi babai i Indrit Taullait.

ATENTATI I DESHTUAR
NDAJ LUL BERISHES
Pas vrasjes së Klodit, unë me Indritin u angazhuam për të marrë hak. Luli, 4-5 ditë para vrasjes së Klodit kishte shkuar në Turqi dhe erdhi të nesërmen e varrimit të Klodit. Me Indritin, blemë një makinë "Volsvagen Passat", të cilën do ta përdornim për vrasjen e Lul Berishës. Kjo makinë ishte pa targa dhe ishte e vjedhur jashtë shtetit. Makina kishte ngjyrë ulliri të hapur. Indriti, nëpërmjet shoqërisë së vet thirri për të kryer vrasjen e Lul Berishën dy persona nga Burreli, njëri me emrin Ervin dhe tjetri Alban. Dy personat nga Burreli, Indritit ia gjeti Altin Olloni, që banon në 'Komunën e Parisit', Tiranë. Në fillim erdhi Altini në Durrës, që takoi Indritin dhe ne u takuam te shtëpia e Altinit. Te shtëpia e Altinit, i thamë të na gjejë dy persona dhe do t'u jepnim nga 100 mijë euro për vrasjen e Lulit. Dua të them se Indriti ka qenë shok që shumë kohë më parë me Altin Ollonin. Altini i tha se do i gjente ai. Unë mora një shtëpi me qira në qytetin e Durrësit, tek Muzeumi i Dëshmorëve, nëpërmjet agjencive që merren me dhënien e shtëpive me qira. Kjo shtëpi është në katin e tretë të një pallati 5-katësh, përballë ish-punishteje dhe lekët i kam paguar me faturë për 6 muaj. Këtë shtëpi do ta përdornin Ervinin dhe Albanin. Këto të dy kanë ardhur 2-3 ditë para të 40-tave të Klod Saliut dhe i solli Indriti tek shtëpia që e zumë me qira. Kur erdhëm tek shtëpia me qira, shkuam unë me Indritin dhe këta të dy. Indriti u tregoi të gjitha fotografitë e Lulit që kishim dalë në kohën kur ishim bashkë. Atë natë bëmë plane se si do të qëllojmë Lulin. Armët i morëm te shtëpia e Klodit dhe u dhamë dy automatikë "Skorpions" me numra të fshirë, një pistoletë dhe një pistoletë të vogël, të gjitha me silenciator. Ne bëmë plane që të vrisnim Lulin tek lokali i tij "Ç'era una Volta". Unë i mora dy çunat dhe i dërgova nëpër rrugica deri te lokali i Lulit natën, dhe u tregova vendin kur lokali ishte i mbyllur. Ata e kontrolluan vendin dhe e shëtitën në këmbë për ta njohur më mirë. Ata nuk kishin qenë asnjëherë në Durrës. Ata kërkuan dhe shofer për të drejtuar makinën, pasi nuk njihnin qytetin. Indriti u interesua për shofer dhe Gaz Qorri, që është nga Spitalla, një shok i Indritit na dërgoi kunatin e tij nga Ferma e Sukthit, të cilit i kishte marrë motrën për grua. Gazi ishte çuni i xhajës së Altinit. Ne i thamë Gazit se na duhet për të drejtuar makinën që do përdorim për vrasjen e Lulit dhe do i japim 20 mijë euro. Shoferi erdhi pasi kishte bërë muhabetin me Gazin dhe ishte dakord. Ditën ku u mbushën të 40-at nga vrasja e Klodit, Ervini, Albani dhe shoferi u nisën për të vrarë Lulin. Shkojnë me makinën që e blemë dhe me targa gjermane false, që ja ka vënë Ridi Xhunga, vëllai i Ilir Xhungës, me një djalë që e ka emrin Besnik të cilin e arrestoi policia për këtë ngjarje. Indritin, një ditë para të dyzetave të Klodit thirri në telefon Ridin dhe i dha çelësat e makinës 'Pasat' që ndodhej të shtëpia me qira te Muzeumi dhe i tha të shkonte ta lante. I dhamë targat gjermane dhe i thamë t'ia vinte. Atyre s'u treguam asgjë për punën, që do të qëllonim Lulin. Albani dhe Ervini, pasi shkuan tek lokali zbritën dhe po shihnin për Lulin. Në atë moment Luli ishte futur tek bashkia. Në ato momente, ata për të mos rënë në sy që po prisnin Lulin, hynë në makinë dhe filluan të bëjnë xhiro për rreth bashkisë. Aty i kapi një polici i qarkullimit që quhet Tarja. Ai u sheh armët dhe u thotë të ndalojnë. Ata i thanë që na lër të ikim dhe të japim ndonjë lekë. Por, Tarja nuk pranoi dhe lajmëroi me radio policinë. Në këtë moment këta lanë armët dhe ia mbathën. Kjo punë dështoi. Në këtë moment ne kemi qenë për të dyzetat e Klodit te lokali i Lumnës, në Spitallë. Këta çunat morën ne telefon Indritin dhe i treguan për këtë punë. Dua të theksoj se armët që i lanë në makinë çunat ishin të pastra, pra nuk ishin të përdorura më parë në ndonjë rast tjetër, pasi ne nuk mbanin armë të pista në shtëpi, që mos të kishim probleme.
Pas të dyzetave, Indriti fjeti te shtëpia ime dhe të nesërmen nisemi për në Tiranë. Atje takuam Altin Ollonin, te lokali "01", te 'Komuna e Parisit' dhe i themi këtu-këtu puna. Më pas, që nga ajo ditë kemi ndenjur 20 ditë te shtëpia e Indritit. Gjatë këtyre ditëve, ne rrinim me Altin Ollonin. Atje unë mora një shtëpi me qira dhe Indriti zuri një dashnore, D.K rreth 30 vjeç dhe rrinte te shtëpia e Denisës me qira. Indriti pagoi lekët për 6 muaj. Shtëpia e Denisës ishte te 'Komuna e Parisit'. Te shtëpia që mora unë linim armët, ndërsa flinim tek shtëpia e Denisës. Gjatë kësaj periudhë nuk shkonim fare në Durrës, me qëllim që Luli të dilte lirshëm. Gjatë kësaj kohe që takoheshim me Altinin, jemi takuar dhe me Albanin e Ervinin nga Burreli. Ne po bisedonim që në duhej një djalë tjetër për të vrarë Lulin. Ata thanë që e gjejmë ne personi. Ky person erdhi te shtëpia me qira që i morëm Denisës. Ky djalë quhet Sela, të cilin po ta shikoj, e njoh. Tek shtëpia isha unë me Indritin, Albanin, Ervinin, Altin Ollonin dhe Selën, që ramë dakord që të bëhej vrasja për shumën prej 150 mijë eurosh. Dua të them se këto lekët i kishim futur në punë për të vrarë Lulin dhe i fituam pasi nisëm një dërgesë prej 20 kg heroinë nga Kosova për në Itali. Këtë dërgesë e kishim nisur pa mbushur dyzet ditët e vdekjes së Klod Saliut. Transportuesin e drogës e gjeti Indriti dhe ai ishte një kosovar. Drogën në Itali e priste Ervin Cuko, nga Spitalla dhe ai na
.dërgoi rreth 180 mijë euro. Këto para, 100 mijë shkuam e i morëm tek shtëpia e Ervinit dhe 80 mijë eurot e tjera i morëm më vonë. Dua të them se Ervin Cuko erdhi vetë tek ne, pas vrasjes së Klodit dhe na kërkoi të punonte me ne. Drogën ai e priste në qytetin e Peskarës, në Itali. Ndërkohë, në kohën që qëndronim në Tiranë, së bashku me Indritin kemi bërë edhe dy a tre rrugë tjera me drogë. Droga ishte e pastër dhe ne pasi e blinim, e shtonim duke përzier. Nga kjo punë që është bërë kemi fituar 600 mijë euro të thata, para të cilat i mbante Indrit Dokle në shtëpinë e tij.

RRENGU QE I PUNUAM LUL BERISHES
T'i kthehemi edhe njëherë përpjekjeve që kemi bërë për vrasjen e Lul Berishës. Një javë rresht, Sela së bashku me Ervinin dhe Albanin kanë ruajtur Lulin për ta vrarë tek lokali i tij "Ç'era una Volta", te fermentimi. Pamë se ata nuk po arrinin ta qëllonin Lulin. Ne menduam që t'i bëjmë një intrigë Lulit. Për këtë qëllim, shkuam me taksi së bashku me Indritin tek pallatet e reja, tek "Vollga" dhe takuam Nar Kokën. Pasi bëmë muhabet me te dhe i thashë që neve nuk kemi gjë me Lulin, i thamë Narit që po deshi ai të vijë të pijë kafe me ne. Pasi bëmë këtë muhabet, unë me Indritin u nisëm për në Tiranë dhe shkuam tek shtëpia e Indritit. Atje Nari mori në telefon Indritin, po atë natë që të vinte me Indrit Taullajn që të na takonte. Ne i thamë që të vinte dhe të na takonte në Tiranë dhe lamë takim tek "21 Dhjetori", tek shtëpia e Indritit, në një lokal poshtë shtëpisë, tek Drejtoria e Taksave. Vonë në darkë, Nari erdhi me Indrit Taullain dhe një djalë që e thërrasin Klod Cerri, i cili aktualisht përdor makinën e Narit, një fuoristradë të zezë tip 'Benz'. Pasi u ulëm tek lokali filluam bisedën, dhe Indrit Dokle i tha Indrit Taullajt se çfarë kishte me neve. "Po ta dimë se jemi hasmë, na thuaj që jemi hasmë, në qoftë se nuk kemi gjë, në rregull. Ne s'jemi komandantë, se komandantët vdesin shpejt". Indrit Taullai i tha që, 'nuk kemi gjë, dhe as mos e vrit trurin'. Mbasi ndenjëm një copë herë me njëri-tjetrin dhe bëmë shaka, u ndamë dhe unë me Indrit Doklen shkuam tek shtëpia e Denisës, ku na priste Sela me Ervinin. Të nesërmen niset Sela me Ervinin për në Durrës për të vrarë Berishën. Ata morën nga një pistoletë, ku Sela kishte një pistoletë tip 'Klock', ndërsa Ervinit nuk ia mbaj mend llojin. Të dy ata shkuan në Durrës me furgon. Aty rreth orës 10:00, Luli del nga shtëpia dhe Ervini që po e ruante tek polici që rri në kryqëzim, i lajmëron Selës që po e priste tek stacioni i trenit se 'Benzi' i Lulit është duke ardhur. Luli afrohet para lokalit të tij, zbret nga makina dhe po bënte shaka me Isuf Morinën dhe me një tjetër me mbiemrin Haxhiaj. Sela ishte në trotuarin përballë lokalit dhe afrohet avash-avash pranë Lulit. Kur i afrohet, rreth dy metra pranë tij e nxjerr pistoletën, e mbush ia drejton Lulit për ta qëlluar. Në fillim qëllon Isuf Morinën. Në atë moment fut dorën në brez ai që e kishte mbiemrin Haxhiaj dhe Sela e qëllon edhe atë dhe vazhdon duke qëlluar në drejtim të Lulit. Luli rrëzohet në tokë dhe në këtë moment, pistoleta e Seles ngeci dhe nuk mund të qëllonte më. Pastaj Sela iku me vrap dhe Luli thërret me të madhe, "oj none, oj none". Sela pas kësaj ikën dhe vjen në Tiranë dhe u takuam me të tek shtëpia e Denisës. Ne e pyetëm se si ndodhi ngjarja dhe ai na tregoi gjithë ngjarjen, siç e thashë më sipër. I thamë nëse e kishte vrarë, por ai na tha se nuk e kishte vrarë dot. Atëherë ne i dhamë atij 25 mijë euro dhe Selën e nisëm për në Burrel. Në darkë shkuam tek shtëpia e Indritit dhe na merr Nari në telefon. Telefonin e hapi Indriti dhe Nari i tha: "O Indrit, çfarë na bëre". Indriti i thotë në telefon që unë, 's'kam bërë gjë dhe nëse t'i mendon se unë kam bërë gjë, thuaji Lulit që të vijmë dhe ta takojmë tek shtëpia e tij në Durrës'. Nari në moment mori Lulin në telefon dhe i tha për bisedën që po bënte me Indritin, dhe i tha se Luli i kishte thënë që të vijnë.

BALLAFAQIMI NE
SHTEPINE E LUL BERISHES
Kur Nari po fliste në telefon me Indritin, herën e parë me Narin foli dhe babai i Indritit, Mensuri, por bënë biseda pa interes. Nari njihet me Mensurin, pasi ky i fundit ka qenë drejtor i rezervave në Durrës pas vitit 1997. Këtë Indriti e përdori për t'i treguar Narit se babai i tij ishte në dijeni që do të shkonim tek Luli, në mënyrë që Luli mos të bënte ndonjë pisllëk. Atë natë, në përfundim të bisedës, pasi mori miratimin e Lulit, ne i kërkuam Narit që të vinte të na merrte me makinë. Pas rreth gjysmë ore erdhi tek shtëpia e Indritit shoferi i tij, i quajtur Tit Cenka, me një "Benz Rexhina". Titi mori në telefon Narin dhe i tha se ne kishim arritur. U futëm të shtëpia e Lulit, ku aty gjetën Nar Kokën, Indrit Taullatin, Lulin dhe Plarentin. U hap biseda për gjuajtjen e Lulit dhe neve i thamë se nuk kishim gjuajtur. Luli na tha se ju keni shtirë njerëz për të më gjuajtur mua. Ne i thamë, jo, dhe i thamë të shikonte se mos i kishte gjuajtur çuni i dajës së Klodit, që është në Itali, se mos ta ka bërë Çimi, vëllai i Klodit. Luli tha që, 'nga Çimi unë rroj 10 vjet, këtë Indrit ma ke bërë ti'. Ne i thamë Lulit që nuk kemi bërë gjë. "Po të kemi bërë gjë, ja ku na ke, na vrit". Ai na tha se përderisa ju kam ftuar në shtëpi, as qimja e flokut nuk na lëviz. Unë e pyeta se si e kishte dorën dhe ai më tha, mirë e kam. Pasi bëmë shaka pak me njëri-tjetrin, dolëm nga shtëpia e Lulit. Luli qëndroi tek dera kryesore e shtëpisë, Lenti tek porta e jashtme. U larguam unë me Indrit Doklen, Indrit Taullain dhe Nari. Ikëm bashkë me makinën e Narit. Kur shkuam tek kryqëzimi për tek polici, unë thashë të ikim të pimë ndonjë gotë dhe i thashë të pinim në Tiranë, por Nari nuk pranoi dhe shkuam tek lokal 'Trieste'. Nari rrugës u dërgoi sms pronarëve të lokalit, duke u thënë: mbylleni lokalin dhe kur shkuam, e kishin mbyllur. Atëherë, ne u kthyem për në shtëpi, në fillim çuam Indrit Taullain tek shtëpia e tij. Pastaj më dërguan mua tek shtëpia ime së bashku me Indritin. Të nesërmen, së bashku me Indrit Doklen kemi shkuar në Tiranë. Mbas dy ditësh Indrit Dokle i telefonoi Indrit Taullait, pasi kishim shkëmbyer numrat me njëri-tjetrin gjatë kohës që ishim në makinë. Indrit Dokle i thotë Taullait, 'kur të vijmë të pimë ndonjë kafe?' Indrit Taullai i thotë, hajde kur të duash. E lamë një ditë të caktuar që të takoheshim me Indritin, tek shtëpia ime në Durrës. Atë ditë që e kishim lënë për t'u takuar, vjen Indriti me makinën e blinduar të Lulit tip "Benz sel", ngjyrë miu. Pasi hipëm në makinë, dolëm xhiro nga plazhi duke bërë muhabet. 'Benzin' e drejtonte Indrit Taullai, unë kisha hipur mbrapa, ndërsa Indrit Dokle ishte ulur në vendin e parë të pasagjerit. Mbasi bëmë muhabet dhe një xhiro me makinë me Indrit Taullain, ai na la tek shtëpia ime dhe e lamë që të takoheshim edhe njëherë tjetër.

SI I QELLUAM TAULLAIT
ME FISHEKE MESIMORE
Mbas tre-katër ditësh ishim tek shtëpia e Indrit Dokles, në Tiranë dhe po bënim muhabet të dy për të eliminuar Indrit Taullain. Ne vendosëm që ta vrisnim Indritin tek 'Benzi' i Lulit, por pasi ta bënin këtë, vrasja do t'i ngelej Lul Berishës. Kështu që e vendosëm për ta eliminuar. E morëm në telefon Indrit Taullain dhe i thamë që të pinim një kafe. Indriti pranoi dhe ne i thamë që të takoheshim te shtëpia ime në Durrës. Në të errësuar u nisëm për në Durrës dhe kur shkuam tek shtëpia ime, e lashë me Indrit Doklen që Indriti të hipte përpara makinës, ndërsa unë mbrapa. Indrit Dokle mori një pistoletë franceze me silenciator, ndërsa unë mora pistoletën 'Bereta'. Kur Indrit Taullai iu afrua shtëpisë sime, mori në telefon duke na thënë se kishte ardhur. Ne dolëm nga shtëpia me pistoleta në brez. Kur shkuam të hipnim tek makina, Indriti hapi derën e pasme dhe hipi mbrapa, ndërsa unë u ula në vendin e parë të pasagjerit. Indrit Taullai dyshoi dhe më tha: "o Tiku, do na falësh se kam një muhabet me Indritin". Pasi bënë muhabet rreth pesë minuta, më thërrasin mua dhe unë futem brenda makinës në vendin e parë. Shkuam deri tek Ura e Dajlanit dhe aty Indrit Taullai na thotë se ku do të shkojmë. Unë i thashë të shkojmë nga Plazhi dhe u nisëm rrugës së plazhit. Sapo hymë tek rruga e plazhit, unë i them Indritit, "si i gjuajtët Klodit, Klodi donte të të afronte". Indriti më tha, "sa më dhemb shpirti mua për atë, nuk ju dhemb ju të dyve". Pastaj vazhdoi të thoshte se kishte qenë ai që e kishte penguar, se ata kanë dashur ta vrisnin më përpara (e kishte fjalën për Lulin dhe Lentin). "Isha unë ai që vendosa të mbarohej kjo punë, çfarë u bë u bë". Pas kësaj, Indrit Taullai e ndryshoi muhabetin dhe po na thoshte se do të vinin 50 kg kokainë nga Bolivia me 10 mijë dollarë kilogrami. Shkuam deri në fund, te Plepat dhe aty Indrit Taullai na thotë të ktheheshim, por unë i thashë t'i binim nga unaza dhe të bëjmë atë rrugë që bëmë herën tjetër. Dhe, ashtu bëmë, i ramë nga Unaza. Sapo futemi tek hyrja e Unazës, Indrit Dokle nxjerr pistoletën dhe qëllon Indrit Taullain. Taullai thërret me të madhe dhe hap derën. Qëllohet edhe dy herë të tjera. Në atë kohë, makina ngel pa shofer dhe unë kapa timonin dhe i bie anash rrugës. Pasi ndaluam makinën kemi hedhur pistoletat në kanal, tek shinat e trenit dhe kemi ikur me mendjen se e kemi vrarë Indritin. Lajmëruam Rid Xhungën dhe pasi ai erdhi me makinën, kemi shkuar ne Tiranë, tek shtëpia e Indrit Dokles. Për vendin ku kemi hedhur armët, jam në gjendje që t'u dërgoj atje dhe t'i gjej konkretisht ku i kemi hedhur. Ditën tjetër morëm vesh se Indrit Taullai ishte akoma gjallë dhe ne u habitëm se si kishte mundësi, sepse gëzhojat dolën nga arma dhe ato i kishte gjetur Lul Berisha tek makina e tij. Këtë gjë e mësuam më vonë dhe na e tha Nar Koka disa ditë pas ngjarjes. Nari pas kësaj ngjarje erdhi në Tiranë dhe na takoi tek shtëpia e Indritit, dhe na tha se ndodhi që nuk e vratë. Por, ne i thamë që kemi gjuajtur me fishekë mësimorë. Në fakt, e vërteta ishte se ne i gjuajtëm për ta vrarë atë. Por siç duket, fishekët e pistoletës së Indrit Dokles duhej të kishin qenë fishekë mësimorë. Këtë pistoletë që përdori Indrit Dokle në këtë rast na e kishte shitur Altin Olloni për 1 mijë euro. Kjo pistoletë kishte fishekë kalibër 7.65 mm, por ne nuk e provuam asnjëherë para se t'i gjuanim Indrit Taullait.

TREGTIA E DROGES
Ne morëm vesh nga Nari më vonë se kur e kishim qëlluar Indrit Taullain, ai kishte shkuar me vrap tek lokal "Trieste" dhe atje e kishte marrë në telefon Lul Berishën dhe i kishte thënë se më kanë qëlluar. Luli nuk kishte shkuar vetë, por i kishte telefonuar Narit dhe i kishte thënë që të merrte Indrit Taullain. Edhe ai kishte çuar një njeri tjetër. Nari na tregoi se kur kishte takuar Indrit Taullain ishte shumë i trembur dhe nuk ishte normal. Luli nuk e besonte historinë që i kishte ndodhur Indrit Taullait, pasi i thoshte se si ka mundësi që nuk të kanë vrarë, sepse këtu qenkan gëzhojat dhe ti ke shpëtuar dhe je hedhur nga makina 50 km në orë. Nari na tha se Luli kishte filluar të dyshonte tek Indriti dhe biles kishte bërë prova me makinë, duke ecur me 50 km në orë me makinën e tij dhe i thoshte Indritit që të hidhej, por Indriti nuk hidhej. Në takimet që Nari ka bërë me ne, si moment nuk më kujtohet mirë, por pas vrasjes së Klodit na tregoi se Plarenti me Indrit Taullain ziheshin të dy, duke thënë se nuk e vrave ti, por e vrava unë. Indriti i thoshte, "po ku qëllon Lenti, e di ti se si qëllon Lenti". Pas ngjarjes së ndodhur me Indrit Taullain, ramë në qetësi. Unë i thashë Indrit Dokles se do të ikja. Kjo, për arsye sepse kishin filluar dyshimet mes nesh, pasi Indriti më thoshte pse nuk po del Luli, mos e lajmëron njeri atë, etj. Kështu që unë u largova për në Itali në muajin korrik të vitit 2005. Në Itali kam qëndruar deri në mes të muajit gusht 2005. Gjatë kësaj kohe komunikoja rregullisht me Indriti. Kur erdha nga Italia, kisha mbledhur 100 mijë euro nga tregtia e drogës. Kur erdha unë në Tiranë, jam vendosur te shtëpia që Indriti kishte marrë me qira nga Denisa. Aty gjeta Ervinin, Selën, Kujtim Bunën, vëllai i burrit të motrës së Indrit Dokles, një djalë me emrin Spartak nga Burreli dhe Sardian Sulejmanin, nga Durrësi. Te nesërmen me Indrit Dokle, Altin Ollonin dhe Ervinin nga Burreli shkuam me avion në Prishtinë, që nga Tirana për t'u interesuar për trafikun e drogës. Pasi bëmë muhabete rreth trafikut të drogës, u kthyem në Tiranë të nesërmen. Mora vesh se Indrit Dokle, këta burrelasit i dërgonte vazhdimisht në Durrës që ta ruanin Lulin dhe ta vrisnin. Pasi unë u ktheva nga Italia, Sela shkoi dhe nja tre a katër herë të tjera në Durrës, së bashku me Sardianin dhe Spartakun për ta vrarë Lulin, por nuk u bë gjë. Kujtim Buna, një natë bëri fjalë me Selën në prani të të gjithëve dhe po i thoshte, 'përderisa do marrësh lekët, përse nuk shkon me e vra, apo po shkon për t'u tallur'. Ngrihet Ervini dhe thotë se këtij nuk i kanë vrarë as nënë e as babë. Aty ndërhyn Indriti, duke thënë, 'ty nuk të takon me fol shumë, se në qoftë se nuk e vrisni ju, do të vrasim vetë'. Kështu që prishet muhabeti dhe vendosem të ndërronim shtëpi dhe u ndamë me ta. Nga ai moment iku Sela me Spartakun, dhe pas dy ditësh iku edhe Vini. Pastaj ne vendosëm me njëri-tjetrin që të largoheshim prej aty.

KUNDERTANKE DHE
KOSOVARE PER LUL BERISHEN
Në atë kohë, unë rrija me Indritin, Sardjan Sulejmanin dhe Kujtim Bunën, pasi me Altin Ollonin ishim prishur. Gjatë kësaj kohe po bënim plane për të vrarë Lulin me kundërtank, për këtë gjë u interesua Kujtim Buna, i cili i telefonoi një personi nga Kosova për të blerë dy kundërtanke njëpërdorimësh. Këto dy kundërtanke i sollën dy shtetas kosovarë, të moshës rreth 40 vjeç. Njëri prej tyre ishte i gjatë dhe rreth 1.80 m dhe i shëndetshëm, kishte flokë biondë, ndërsa tjetri ishte më i shkurtër, rreth 1.65 m me trup të dobët dhe me flokë të rëna. Bisedat paraprakisht me këta i kishte bërë Kujtimi, dhe me këta Kujtimi kishte shoqëri, këtë e kuptuam me pas. Tre apo katër ditë pas porosisë së Kujtimit, dy kosovarët për të cilët fola sollën në Tiranë dy kundërtanket e fshehur në një kamion të mbushur me patate. Kamionin me patate e kanë sjellë deri në afërsi të rrugës "Komuna e Parisit".
Në këtë vend ndaluan makinën pak larg, i morën kundërtanket në një thes dhe na i sollën në shtëpi. Kur erdhën në shtëpi po na mësonin se si t'i përdornim. Nga udhëzimet e tyre mësuam se këto ishin njëpërdorimshe dhe pasi bëhej shpërthimi i parë që çanin blindën, shpërthenin përsëri brenda dhe kishin një temperaturë 4000 gradë. Në këtë kohë, Kujtimi bisedoi me kosovarin e shkurtër dhe i kërkoi t'i gjente nja dy vetë, kosovarë, të cilët duhej të qëllonin për të vrarë Lul Berishën. Erdhën dy kosovarët që i solli baca i vogël, me këtë emër e thërrisnim kosovarin e shkurtër që solli kundërtanket. Me këta e bëmë pazarin për 80 mijë euro për të vrarë Lul Berishën. Ne u kërkuam që të qëllonin me kundërtank, por ata nuk pranuan dhe thanë se është më lehtë ta vrisnim me pistoleta, pasi t'i afrohemi afër. Ne këtyre u dhamë dy pistoleta si dhe fotografinë e Lul Berishës, fotografi kjo e prerë nga fotot e tjera ku Lulit i kishte dalë vetëm koka dhe një varëse me zinxhir. Njëri nga kosovarët ishte më i shkurtër dhe e quanin "kinezi", ndërsa tjetrit nuk ia mbaj mend emrin. Dy kosovarët i dërgoi në Durrës Sardian Sulejmani dhe u tregonte vendin dhe lokalin ku do t'i gjuanin Lulit. Kosovarët i strehuam në plazh, tek një hotel të cilin nuk e di mirë. Ditën që ka ndodhur ngjarja, dy kosovarët po qëndronin në zonën afër lokalit të Lulit, por të shkëputur me nga 50 metra nga njëri-tjetri. Në kohën kur po prisnin daljen e Lulit, njëri prej kosovarëve ishte sulmuar prej tre personave të cilët i ishin qepur për ta rrahur. Ky kishte futur dorën tek pistoleta dhe ishte vetëplagosur po dashje. Siç na tregoi Sardiani më vonë, ai i kishte rënë telefonit të këtij kosovarit, por ai nuk përgjigjej. Më vonë ai është përgjigjur me gjysmë zëri. Atëherë është afruar Sardiani me kinezin dhe e kanë gjetur kosovarin të shtrirë në tokë. Ai i ka kërkuar Sardjanit ndihmë. Por, Sardiani ia ka marrë armën atij dhe kinezit dhe ka ikur. Kinezi, ndërkohë ka lajmëruar policinë dhe ka shkuar bashkë me shokun e tij në spital. Kur policia më pas ka shkuar në spital, kinezi i është dorëzuar policisë dhe kjo tentativë për të vrarë Lul Berishës dështoi.

SI IA MBLODHA AVNI GASHIT
COPAT E KOKES NE QESE
Indrit Dokles i ishte bërë fiksim se Avni Gashi kishte spiunuar kur ishte vrarë Klodi. Kjo përshtypje i ishte krijuar, pasi natën e vrasjes së Klodit, Avniu kishte qenë duke shkuar për në Tiranë dhe kishte ndaluar në autostradë, ku kishte parë makinën e Klodit të përmbysur. Këtë muhabet, Avniu na e kishte treguar mua dhe Indritit. Atë ditë do të luhej ndeshja Shqipëri-Turqi në Tiranë. Para se të fillonte ndeshja, unë me Indritin, Sardianin dhe Kujtim Bunën ishim tek shtëpia me qira, tek "21 Dhjetori". Indriti e mori në telefon Avniun dhe i tha, "hajde e flasim për punë pune, por mos i trego njeriu që ke ardhur këtu". Indriti la takim me Avniun tek hotel 'Mondial', te "21 Dhjetori", në Tiranë dhe e porositi që të vinte me furgon që të mos ta shikonte njeri. Dhjetë minuta para ndeshjes, Avniu i bëri telefon Indritit e i tha se kishte ardhur tek 'Mondiali'. Indriti i tha se po vij aty. Në këtë moment ne ishim te garazhi poshtë shtëpisë sime dhe po prisnim ardhjen e Avniut. Pas telefonatës që i bëri Indritit, ky i fundit dërgoi Sardianin në këmbë për ta marrë Avniun, pasi shtëpia ishte rreth 300 metra larg hotel 'Mondial'. Pas rreth 5 minutash, Sardiani erdhi së bashku me Avniun pa asnjë merak, pasi njiheshin me njëri-tjetrin. Sapo Avniu erdhi, ai u takua me mua, Kujtimin dhe Indritin dhe u ulëm tek karriget. Unë në atë kohë isha duke luajtur në kalçeto dore me topa ping-pongu së bashku me Kujtimin. Përpara se të vinte Avniu, ne e kishim planifikuar se ai do të vritej. Sapo Avniu u ul në një karrige, Indriti e pyeti atë për ngjarjen e vrasjes së Klodit dhe ai i tregoi momentin që na kishte treguar më parë. Pas pesë minutash ata afrohen afër meje dhe Kujtimit. Sardiani ishte në krah të djathtë të Avniut. Kur Avniu afrohet afër kalçetos, Sardian Sulejmani nxjerr pistoletën tip 'Zastava' me silenciator nga xhepi i brendshëm i xhaketës në krahun e majtë dhe e qëllon Avniun dy herë në krahun e djathtë të kokës. Avniu bie menjëherë në tokë. Unë mora një qese të zezë, vesha një palë doreza dhe me qese e mblodha kokën e Avniut dhe qesen e shtrëngova me skoç rreth qafës, në mënyrë që mos të dilte gjaku. Kujtimi më ndihmoi duke e ngritur kokën e Avniut që unë ta fusja në qese dhe ta shtrëngoja me skoç. Pastaj i hoqa jelekun Avniut, pasi ishte bërë me gjak dhe e tërhoqa nga pellgu i gjakut. Hapa bagazhin e "Jaguarit" dhe shtrova qese të zeza dhe pastaj morëm kufomën dhe e futëm brenda të katërt. Jelekun e futëm me një qese dhe e hodhëm në një kazan plehrash në lagje. Pasi e futëm trupin e Avniut në bagazh, filluam të pastronim pellgun e gjakut, të cilin e kemi pastruar me shtupa dhe detergjente. Shtupat, fshesat dhe celularin e Avniut, pasi i thyem, i hodhëm të kazani i plehrave në lagje. Kur i mbaruam këto punë, Indriti na tha që ai do të ikte para me Kujtimin, ndërsa unë me Sardianin do ta ndiqnim mbrapa me "Jaguar".
Indriti me Kujtimin morën një taksi dhe kur taksia erdhi, ne e ndoqëm nga mbrapa. Makinës "Jaguar" i jepja unë, ndërsa Sardiani ishte në vend të parë. Vazhduam rrugën për në autostradë dhe në Sukth morëm Indritin dhe Kujtimin, të cilët kishin zbritur nga taksia. Pastaj kaluam mbikalimin dhe morëm rrugën Plepa-Tiranë. Aty qëndruam në një lokal dhe hëngrëm bukë. Në atë kohë, ishte pjesa e dytë e ndeshjes Shqipëri-Turqi. Ne pritëm sapo u errësua pak dhe me pas hipëm makinës dhe morëm drejtimin për në Tiranë. Pasi kishim bërë rreth 100 metra rrugë, pamë një lavazh makinash dhe na u duk vendi i përshtatshëm për të hedhur kufomën e Avniut. Kthyem makinën me prapakolp, unë me Kujtimin veshëm doreza nga ato që përdoren për pastrim shtëpie, dolëm nga makina, hapëm bagazhin dhe pasi morëm kufomën e Avniut, e ulëm në tokë. Pastaj unë i hoqa qesen që kishte në qafë dhe këtë qese e futa në një qese tjetër të pastër dhe Avniun e vrarë e hodhëm tek disa ferra poshtë lavazhit. Mbasi e hodhëm trupin, i hoqëm dorezat dhe i futëm tek qesja me gjak. Këtë qese e futëm përsëri në bagazhin e makinës dhe pasi u futëm në makinë u nisëm dhe morëm rrugën nga kishim ardhur. Kur dolëm te 'Katër Rrugët e Shijakut', ndoqëm rrugën për në Tiranë. Kur kaluam Maminasin, ndaluam makinën dhe dogjëm qeset me çakmak dhe nga ato nuk ngeli asgjë. Pastaj vazhduam rrugën për në Tiranë, ku shkuam te garazhi i shtëpisë sime. Ata ikën të tre tek shtëpia e re që kishim marrë me qira, ndërsa unë qëndrova. Më pas mora vesh nga Indriti se armën me të cilën Sardiani qëlloi Avniun ai e kishte bërë copa-copa dhe e kishte hedhur nëpër puseta të lagjes. Të nesërmen te garazhi i shtëpisë sime ka ardhur Kujtim Buna, dhe unë me Kujtimin pastruam edhe njëherë vendin ku u vra Avniu. Mbasi e pastruam mirë dhe na u mbush mendja se nuk kemi lënë asnjë shenjë, filluam të mbyllnim dy vrimat që kishte lënë pistoleta në momentin që u qëllua Avniu. Vrimat i mbushëm me llaç dhe i lyem me gëlqere. Vrimat ishin në faqen e majtë të murit, në pozicion sipër njëra tjetrës kur futesh te garazhi majtas. Pasi i bëmë këto punë, Kujtimi iku, ndërsa unë qëndrova. Disa ditë më pas, Indritin e morën në telefon nga shtëpia e tij dhe i thanë se ka ardhur një fletë-thirrje nga Prokuroria e Durrësit. E kishin sjellë dy oficerë krimesh. Indriti konsultohet me babanë e tij dhe i thotë që nuk kam pse të shkoj. Indriti i tha babait të tij të takonte avokatin, në mënyrë që të pyeste nga prokuroria se për çfarë e kishin thirrur. Avokati nuk kishte kthyer përgjigje dhe pas dy ditësh, Indritit i vjen fletë-thirrja e dytë nga Prokuroria e Durrësit, të cilën ia kishte çuar tek shtëpia një mikrobus policie. Indritin e morën përsëri nga shtëpia e tij dhe e lajmëruan se kishte shkuar mikrobusi i policisë së Durrësit dhe i kishte çuar fletë-thirrjen. Indriti vendosi që të paraqitej në Prokurori.

VRASJA NE DISKO E ILIR KOLDASHIT
Një ditë para se të shkonte në Prokurori, ai ishte së bashku me mua tek shtëpia e tij me qira. Atë natë, tek shtëpia e Indritit ishte Kujtim Buna, Sardian Sulejmani dhe unë. Kujtimi doli nga shtëpia rreth orës 18:00-19:00 dhe na tha se do të shkonte të takonte disa shokë. Vjen në shtëpi aty nga ora 22:30, ishte i prerë dhe filloi të shante me fjalë të ndyra. Unë dhe Indriti e pyetëm se çfarë kishte që shante, por ai vazhdonte duke rrahur duart dhe duke sharë. Indriti e pyeti se çfarë kishte. Ai u përgjigj që truproja i diskos ia kishte bërë për kunj. Ne e pyetëm si është puna, dhe ai tha se kishte hyrë në disko me një shef policie të Lezhës, dhe atë nuk e kishte kontrolluar bodigardi, kurse Kujtimin e kishte kontrolluar. Kujtimi nga mërzia dhe nga inati kishte filluar të pinte në disko dhe kur erdhi në shtëpi, rreth orës 22:30, ishte bërë tapë. Indriti, pasi dëgjoi këtë i tha Kujtimit të shkonte të e zihej. Në këtë moment, Kujtimi stepet pak dhe unë e Indriti i thamë ta linte këtë muhabet për ta zgjidhur nesër. Kujtimi më përgjigjet mua, duke më thënë: "unë të kam ngrënë bukën në shtëpi ty, ndërsa ti akoma s'ma ke ngrënë bukën mua". Indriti i thotë Kujtimit që ai është më i madh se ty, prandaj duhet t'ia dëgjosh fjalën. Kujtimi, pas këtyre fjalëve merr në telefon një shok të tij që është punonjës policie me origjinë nga Kukësi. Kujtimi i tha atij që të shkonte tek shoku i vet, që ishte një mundës me origjinë nga Kukësi, me banim në Laprakë dhe të merrte dy pistoletat. Po ashtu, Kujtimi mori në telefon edhe mundësin që e thirri në emër, po mua nuk më kujtohet, dhe i tha që do të vijë shoku ynë t'i marrë pistoletat dhe t'ia japësh. Ai punonjësi i policisë shkoi i mori armët dhe ia solli po atë natë tek shtëpia, me qese. Ne kishim zbritur nga shtëpia dhe dolëm para restorantit turk, që ndodhet në rrugën e Kavajës dhe e pritëm atë policin që erdhi me makinën e tij. Hipën që të katërt, unë, Kujtimi, Indriti dhe Sardiani. Në makinë morëm pistoletat që ishin dy, unë të tipit 'CZ" dhe "Beretën" e mori Kujtimi. Të gjithë bashkë shkuam te disko që ndodhej tek "Hotel Sheratoni". Aty zbritëm nga makina dhe hymë në disko, unë, Indriti dhe Sardiani, ndërsa Kujtimi dhe polici qëndruan tek dera e diskos. Indriti takoi përgjegjësin e sigurisë së diskos dhe dolën që të dy jashtë duke biseduar, ndërsa unë me Sardianin i shoqëruam nga pas. Kur dalim jashtë, duke kaluar derën e diskos, Indriti i thotë përgjegjësit se cili është badigardi që e ka kontrolluar Kujtimin. Pas këtij momenti, Kujtimi shkon tek cepi i hyrjes së diskos që futesh për nga hoteli. Nga ajo si tip porte që ndodhej në këtë krah nga shkoi Kujtimi, del një person që e tërheq Kujtimin si leckë. Unë ndërkohë i them se kush je ti, se ne jemi katër vëllezër. Në këtë moment pas meje ishte Indriti, i cili me zë të lartë i thotë personit që po tërhiqte Kujtimin: "kush je ti"?
Ky person i thotë se jam Ilir Koldashi, po ti kush je. Indriti i përgjigjet: "unë jam Indrit Dokle". Ai i thotë: "ti je ai krimineli? Indriti i përgjigjet se jam nga Hasi, ndërsa atij i tha emrin e fshatit të tij. Personi nuk iu përgjigj dhe ne morëm rrugën për të ikur. Indriti del tek dera e portës së diskos. Personi ishte afër me Kujtimin dhe Sardianin. Në krahun tim ka qenë përgjegjësi i diskos. Indriti, para se të dalë tek dera shan duke thënë: "mbajeni mend se do t'u bëj motrën të gjithëve". Personi i thotë: "mua më shan nga motra, more kllëf", dhe i turret Indritit. Indriti i tha që unë nuk të shava ty. Kujtimi i del përpara këtij personi që u prezantua si Ilir Koldashi dhe e qëllon me të dy duart në fytyrë. Iliri i gjuan Kujtimit me grusht dhe ata lidhen me njëri-tjetrin duke u munduar t'i qëllonin njëri-tjetrit me grusht. Në atë kohë, Ilirin e kisha me kurriz dhe nxora pistoletën dhe e qëllova dy herë dhe pastaj ika me vrap. Vrapova në drejtim të pastiçerisë "Venecia" dhe mbas meje vjen Kujtimi dhe Sardiani me vrap. Indriti ikën avash-avash, ndërsa ne morëm drejtimin për në rrugën që të çon te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
Kur shkova në buzë të rrugës së Elbasanit, afër një muri, tek cepi i tij e hodha pistoletën. Mora rrugën majtas dhe u futua tek rruga në krah të Fakultetit Ekonomik. U ktheva përsëri majtas dhe dola përsëri tek kryqëzimi ku kisha hedhur pistoletën. Aty u bashkova me Sardianin dhe Kujtimin. Kujtimi më dha pistoletën e tij dhe celularin dhe më tha të iki se ishte plagosur. Pashë se Kujtimi kishte gjak tek gjoksi. Pasi ikën Kujtimi me Sardianin, pistoletën e Kujtimit e hodha poshtë një qebaptoreje portative, ndërsa celularin e Kujtimit e kam hedhur në lulishten rrethuese të Fakultetit Ekonomik, brenda rrethimit. Pastaj mora drejtimin e fushës së sportit dhe pasi dola sipër Qytetit Studenti, u ktheva djathtas në një rrugë të asfaltuar dhe dola në rrugën kryesore të Elbasanit, dhe më pas u futa tek kodrat e Liqenit Artificial. Në një rrugicë afër Gardës kam ndaluar një djalë që po vinte me motor, të cilit i thashë që të më çonte deri tek "21 Dhjetorit" se e kam babanë shumë të sëmurë dhe i dhashë 20 euro si shpërblim. Gjatë gjithë rrugës, Indriti më ka marrë në telefon rreth 4-5 herë, duke më pyetur se ku isha.
Nga vendi ku kam bërë vrasjen e deri tek shtëpia, kam folur në telefon vetëm me Indritin dhe asnjë person tjetër. Shkova tek shtëpia e Indritit, ku rrinte me qira dhe aty më tha që ai djali ka vdekur në vend, ndërsa Kujtimi është rëndë. Pastaj Indriti më tha: "çfarë na bëre". Unë iu përgjigja: "ti e shave, Kujtimi i gjuajti, edhe ti po ta kishe në brez në atë moment do të qëlloje". Ai më tha që unë nuk do t'i shtija. Pastaj, Indriti më tha që unë të iki. Unë i thashë që unë po iki, e ai më tha: 'prit se do të vij edhe unë'. Dolëm nga kjo shtëpi dhe kemi shkuar tek shtëpia e një shoku tek stadiumi "Dinamo", në një pallat të ri shumëkatësh. Atë natë kemi fjetur aty dhe i treguam të gjitha atij shokut se çfarë kishte ndodhur. Para se të shkonim, ky shoku e kishte marrë Indritin në telefon dhe i kishte thënë që po e priste. Gjatë kësaj kohe, Indritit i telefonoi babait i tij dhe i tha që në shtëpi kanë ardhur për kontroll policia. Indriti iu përgjigj: "po mire, le të vijnë, se unë nuk kam bërë gjë".
Të nesërmen, unë i thashë Indriti që të shkonim tek shtëpia ime në Tiranë. Kështu bëmë. U nisëm të dy dhe shkuam tek shtëpia ime, që ndodhej tek lagja "21 Dhjetori". Kemi ndenjur në këtë shtëpi një ditë. Unë thirra gruan dhe fëmijët për të ndenjur atë natë me ta, ndërsa Indriti thirri në telefon Ervin Çukën nga Spitalla, i cili erdhi dhe kanë ndenjur bashkë duke bërë muhabet gjithë natën. Të nesërmen në mëngjes, Ervini iku dhe shkoi tek shtëpia e një sportisti nga Kukësi, që merrej me mundje dhe banonte në Tiranë, tek i cili Indriti i kishte lënë 70 mijë euro në ruajtje. Këtë mundësin po ta shikoj, e njoh. Unë atë ditë përcolla gruan dhe fëmijët dhe u thashë që të merrnin plaçkat dhe të shkonin tek shtëpia në Durrës, se kismet kur do të shihemi. Kur iku nusja, vura re se Indriti ia kishte dhënë numrat e telefonit të gjitha Ervinit dhe e kishte ngarkuar që të merrej me punët tona. Ervini shau pasi i ngeli barra atij, e kush merrej me të gjitha këto tani. Indriti i kishte dhënë 10 mijë euro borxh Ervinit. Në fakt, ishin 8500 euro. Indriti e mori në telefon motrën e tij të madhe dhe i thotë të vinte dhe ta takonte. Ne i thamë që t'i binte vërdallë rrugicave se mos e ndiqnin. Ajo erdhi dhe i tha Indritit se babai ka lexuar gjithë natën nenet dhe nuk bën më shumë se 8 vjet burg. Indriti i tha që: "unë nuk kam bërë gjë, do të marr blindën dhe do të dorëzohem". Unë nuk u ndjeva fare. Indriti i dha motrës 50 mijë euro dhe e përcolli. Kur iku motra e Indritit, i thashë atij që të vinte me mua në Itali, por Indriti më tha që do të dorëzohej në polici.

SHERRI PER PARATE ME INDRIT DOKLEN
U ndava me Indritin dhe gjeta një person që niste njerëz për në Itali, pa dokumente. Së bashku me këta persona, që po t'i shoh i njoh edhe sot, por nuk ua mbaj mend emrat, shkova nga Shkodra për në Han të Hotit dhe që andej kalova kufirin në këmbë për në Mal të Zi, por jo nga postblloku i policisë. Këtij burrit i dhashë 2500 euro dhe u ndava me të në kufi, sepse më pas më morën njerëz të tjerë që ishin të rrjetit dhe më dërguan në Bosnje, më pas në Kroaci, Slloveni, Austri dhe përfundimisht në Itali. Dua të them se para se të nisesha, i thashë Indriti që të marrë ndonjë lek kur të mbërrij në Itali, tek njerëzit që na kishin lekët të pambledhura nga shitja e mallit. Indriti më tha që lekët do të ndahen tek shtëpia e tij dhe ti nuk ke për të marrë asnjë lek. Këto fjalë m'i tha kur isha në Bosnje, dhe unë e mora në telefon, pasi gjeta numrin që përdorte në burg, nëpërmjet një shokut tim nga Durrësi. Ku shkova në Itali, aty rrija brenda dhe nuk dilja. Një shokut tim që nuk ia mbaj emrin, pasi nuk e kisha shok të ngushtë, ia kërkova numrin e babait të Indritit për t'ia plasur të gjithë të vërtetën në lidhje me ngjarjen e fundit dhe t'i thosha që nuk ia kam bërë unë Indritit, por Kujtim Buna. Unë e mora në telefon dhe më doli një i njohur i Kujtim Bunës dhe më tha që të bësh një deklaratë që andej nga Italia dhe të tregosh që e vrave ti Ilir Koldashin, që të dalin nga burgu ata të tre. Unë i thashë: "mirë, mirë, se do ta bëj unë deklaratën, por më jep numrin e Indritit". Ai më dha numrin 06930.... por nuk jam shumë i sigurt, ndërsa të njohurin e Kujtimin e kam marrë në një numër tjetër.
Unë fola me Indritin rreth orës 17 të pasdites. Në telefon ne kemi debatuar për ngjarjen e fundit dhe ai më thoshte që ma ke futur. Unë i thashë që nuk ia kisha futur unë, por Kujtim Buna. Ai më kërkoi që të bëja një deklaratë, që e kisha vrarë unë Ilir Koldashin. Unë i thashë: "do ta bëj deklaratën dhe e theva kartën e telefonit, dhe nuk jam lidhur në telefon më me të". Shkova në Breshia, tek një shoku im nga Durrësi dhe ndenja 4-5 ditë atje. Ai më tha se është kapur edhe R. Xh. me 10 kg heroinë të pastër dhe e takova një shokun tim, që i kishte vajtur për vizitë në burg dhe i kishte thënë që për faj të Tikut (meje), po ndodhnin të gjitha këto gjëra dhe se po të më kapte, do të më fuste një plumb. Në këto kushte, kam vendosur që pas katër muajsh qëndrimi në Itali të kthehem në Shqipëri, pasi më kishin dërguar si Lul Berisha, Indrit Dokle dhe familjarët e Ilir Koldashit persona për të më vrarë. U nisa nga Italia me makinë dhe shkova në Austri, dhe mes kufirit me Slloveninë më kapën policët sllovenë dhe më kaluan në Austri. Aty deklarova që jam nga Kosova dhe më quanin Arben Krasniqi dhe më dërguan në policinë e Prishtinë me aeroplan. Që aty kam ardhur në Rinas, po me aeroplan dhe jam dorëzuar.
Nuk kam gjë për të shtuar. Procesverbalin, pasi e gjej të rregullt, e firmos pa vërejtje.